Infertiliteti është sëmundje e sistemit reproduktiv që mund të paraqitet te të dy gjinitë. Kryesisht, në qoftë se dështoni të ngelni shtatzënë pas 12 muajsh kryerje të marrëdhënieve seksuale në mënyrë të rregullt dhe pa mbrojtje, duhet bashkë me partnerin të vizitoni mjekun.
Shkaqet e infertilitetit mund të prekin të dy partnerët. Ata përfshijnë:
- Mungesa e ovulacionit të rregullt
- Spermë me cilësi të dobët ose bllokim të traktit riprodhues te meshkujt
- Tubat fallopianë të dëmtuara ose bllokuara
- Anomali të mitrës
Ndër faktorët e rrezikut mund të jenë:
- Mosha e shtyrë
- Pesha (mbipeshë apo nënpeshë)
- Sëmundjet seksualisht transmetuese
- Duhani
- Sëmundje tjera
- Trajtimi me barëra specifike
Për çiftet e prekura apo personat, në qoftë se kujdesi është i duhur, mund të rriten shanset për të ngelur shtatzënë.
Një në gjashtë persona në mbarë botën përballen me probleme steriliteti, sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Ky raport gjithashtu vuri në dukje se nuk ka shumë dallime në përqindjet e përhapjes së këtij fenomeni mes vendeve me të ardhura të larta, të mesme dhe të ulëta mesatare. Përqindja e të rriturve të prekur nga steriliteti gjatë jetës së tyre është 17.8 për qind në vendet me të ardhura të larta dhe 16.5 për qind në ato me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Sipas raportit, njerëzit në vendet më të varfra shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre për kujdesin e fertilitetit në krahasim me njerëzit më të pasur.
Kostot e larta shihen si një nga faktorët që i pengojnë njerëzit të kenë qasje në trajtime të tilla dhe përfundimisht të mos jenë në gjendje të mbeten shtatzënë në ato raste kur metodat natyrore dështojnë.
“Raporti zbulon një të vërtetë të rëndësishme – infertiliteti nuk diskriminon”, tha drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom.
Ai shtoi se “përqindja e madhe e njerëzve të prekur tregon nevojën për ta zgjeruar qasjen në kujdesin e fertilitetit dhe për t’u siguruar që kjo çështje të mos anashkalohet më në hulumtimet dhe politikat shëndetësore, ashtu që që mënyra më të sigurta, efektive dhe të përballueshme për të arritur prindërimin të jenë të qasshme për ata që i kërkojnë”.