“Rasti i padenoncuar, nuk ekziston si rast”, Video-intervistë me zëdhënësin e SPB-së për krimet në internet

Gjatë 4  viteve të fundit, në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë janë denoncuar gjithsej 165 raste të krimit kibernetik. Në pjesën më të madhe prej tyre autorët nuk janë gjetur, ndërkaq pjesa më e madhe e viktimave janë gra. Në një intervistë për „Mollëkuqja”, zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë inkurajoi të gjithë të denoncojnë ngacmimet në rrjetet-sociale, sipas tij, rasti i pa denoncuar – nuk ekziston si rast.

Intervistoi redaktori i „Mollëkuqja”, Ardit Ramadani. 

Ndiqeni intervistën duke klikuar KËTU.

Çka konsiderohet krim kibernetik?

Fatmir Rexhepi, SPB: Këshilli i Evropës miratoi Konventën për krimin kibernetik më 23 nëntor 2001 në Budimpeshtë. Gjithsej 58 shtete janë nënshkruese të Konventës, 28 prej të cilave janë ratifikuar.  Vendi ynë konventën e ka nënshkruar më 23.11.2001, dhe ratifikuar më 15.09.2004, kështu që ka hyrë në fuqi më 01.01.2005. Konventa përmban materiale, procedurale dhe norma për bashkëpunimin ndërkombëtar. Dispozitat në fushën e së drejtës materiale i referohen: aksesit të paautorizuar, përgjimit të paautorizuar, ndërhyrjes në të dhëna, ndërhyrjes në sistem, keqpërdorimit të pajisjes, falsifikimit kompjuterik, mashtrimit kompjuterik, akteve të lidhura me pornografinë e fëmijëve, akteve që lidhen me shkelje të së drejtës së autorit dhe të drejta të tjera të ngjashme.

Çfarë thotë ligji?

Dispozitat ligjore për krimet në fushën e krimit kibernetik mund ti gjejmë në Kodin Penal dhe i referohen:

• Neni 144 paragrafi 4 – Rrezikimi i sigurisë përmes sistemeve kompjuterike

• Neni 147 – Shkelja e fshehtësisë së letrave ose dërgesave të tjera

• Neni 149 – Keqpërdorimi i të dhënave personale

• Neni 149-a – Parandalimi i aksesit në sistemin e informacionit publik

• Neni 157 – Shkelja e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta

• Neni 157-a – Shkelja e së drejtës së shpërndarësit të sinjalit satelitor të mbrojtur teknikisht.

• Neni 193 – Tregimi i materialit pornografik te një fëmijë

• Neni 193-a – Prodhimi dhe shpërndarja e pornografisë për fëmijë

• Neni 193-b – Frikësimi i marrëdhënieve seksuale ose aktiviteteve të tjera seksuale të të miturit nën 14 vjeç.

• Neni 251 – Dëmtimi ose hyrja e paautorizuar në një sistem kompjuterik

• Neni 251-a – Krijimi dhe importimi i viruseve kompjuterike

• Neni 251-b – Mashtrimi kompjuterik

• Neni 271 – Krijimi, marrja ose tjetërsimi i fondeve për falsifikim

• Neni 274-b – Neni 279-a – Falsifikim kompjuterik

• Neni 286 – Shkelja e së drejtës nga shpikja e raportuar ose e mbrojtur dhe topografia e qarqeve të integruara.

• Neni 394-d – Përhapja e materialeve raciste dhe ksenofobike

Cilat krime në internet denoncohen më shpesh? 

Fatmir Rexhepi, SPB: Veprat penale më të zakonshme janë “Shpërdorimi i të dhënave personale” kryesisht në rrjetet-sociale siç janë Facebook, Instagram, Messenger, Tik Tok dhe Snapchat, të parashikuara dhe të dënueshme sipas nenit 149 të Kodit Penal të RMV-së dhe “Shpërdorimi i kartës së pagesës dhe lëshimi i çekut pa mbulesë” të parashikuara dhe të dënueshme sipas nenit 274.

Cila gjini është më e predispozuar të jetë viktimë e krimit online? 

Fatmir Rexhepi, SPB: Nuk ka rregulla, gjegjësishtë sipas denoncimeve viktima mund të jenë në të njëjtën masë të dy gjinitë, kështu që dua të potencoj se veprat penale me të cilat punon departamenti i krimit kibernetik janë një çështje e gjallë, dhe ato ndryshojnë me një dinamikë të madhe.

A ka metoda online dhe anonime për të raportuar krimin kibernetik?

Fatmir Rexhepi, SPB: Viktima duhet që personalisht të denoncojë këtë vepër penale, sepse në atë mënyrë bëhet shtjellimi më i mirë dhe më i sigurt i secilit detaj sa I përket veprës dhe mënyrës së zbulimit të personit i cili ka kryer veprën penale, mund të kryhet në stacionin policor në Tetovë dhe në të gjitha stacionet tjera që mbulon Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Gjithashtu, kemi një e-mail adresë ku mund të drejtohen e cila është cybercrime@moi.gov.mk ku viktimat mund të denoncojnë, megjithatë shumë më e pëlqyeshme dhe më e sigurt është që denoncimi të bëhet personalisht dhe të shtjellohen të gjitha detajet.

Çfarë provash nevojiten për të raportuar krimin kibernetik?

Fatmir Rexhepi, SPB: Provat kryesore që duhet t’i posedojë viktima janë materialet të cilat janë përdorur, siç janë mesazhet, forografitë, qofshin origjinale apo screenshot në celular. Kështu, që të kemi qasje më të shpejt dhe më të lehtë deri te keqpërdoruesi, në këtë rast është e pëlqyeshme që profili i cili ka kryer keqpërdorimin të jetë ende aktiv, të mos pritet që personi I cili ka kryer veprën të deaktivizojë profilin sepse në atë mënyrë nuk kemi qasje te iP adresa.

A ka departamenti juaj mjetet e nevojshme për të zbuluar autorët e krimit në internet?

Fatmir Rexhepi, SPB: Sektori i Krimeve Kompjuterike dhe Forenzikës Digjitale pranë Ministrisë së Brendshme të RMV-së ka të gjitha mjetet e nevojshme për zbulimin e autorëve të krimeve në fushën e krimit kompjuterik.

A është policia në rajonin e pollogut mjaftueshëm e trajnuar për të trajtuar këto raste?

Fatmir Rexhepi, SPB: Inspektorët e policisë, në këtë rast pjesëtarët e policisë të cilët e kryejnë këtë detyrë shkojnë në trajnime të rregullta si në RMV ashtu edhe jashtë vendit, trajnimet kryesisht kryehen nga ekspert të autorizuar nga ShBA-ja, Franca dhe Gjermania.

Rasti i pa-raportuar, nuk ekziston si rast

Fatmir Rexhepi, SPB: Inkurajoj të gjithë personat të cilët kanë qenë viktima në këtë rast, si ata që kanë qenë të moshës jo-madhore që çdo keqpërdorim, kërcënim apo çdo mesazh që do të dëmtonte imazhin apo integritetin e tij, së pari për personat e mitur të ju drejtohen prindërve dhe së bashku me prindërit të drejtohen në stacionin e policisë dhe të denoncojnë çdo rast. Nëse një rast nuk denoncohet nuk ekziston si rast, kemi të bëjmë me diçka që është shumë personale dhe shumë diskrete, nuk mundet askush ta dije se çfarë ju ndodh juve personalisht në celular. Për këtë arsye, nuk duhet fshehur këto raste sepse inkurajohen keqpërdoruesit dhe vazhdojnë me krime të tilla, në raste kur ata zbullohen në kohë, kur mbajnë përgjegjësi për keqpërdorimin e kryer, atëherë ai nuk do të vazhdoje më me të njëjtën. Çdo fshehje e këtyre veprave penale, jep mundësi që keqpërdoruesi të krijojë viktima të reja.

Të tjera