Kanceri i gjirit nuk përfundon te diagnoza, operacioni apo trajtimi. Për shumë gra, ai shënon fillimin e një periudhe të vështirë, në të cilën duhet të përballen jo vetëm me sëmundjen, por edhe me ndryshimet në trup, frikën nga rikthimi i saj, pasojat e trajtimit dhe pasigurinë për të ardhmen.
Megjithatë, këto përjetime shpesh mbeten në hije, sidomos gjatë Tetorit Rozë, kur vëmendja përqendrohet te ndërgjegjësimi, kontrollet parandaluese dhe zbulimi i hershëm.
Në një intervistë për Mollëkuqja.mk, onkologia Vjollca Skenderi Neziri foli për këto aspekte të jetës me kancer gjiri që diskutohen më rrallë si marrëdhënia e gruas me trupin pas operacionit, shëndeti emocional, fertiliteti dhe mundësinë e mëmësisë pas trajtimit.
Ajo thekson se, krahas trajtimit mjekësor, gratë kanë nevojë edhe për mbështetje emocionale, një aspekt për të cilin, siç shpjegon ajo, në repartin e onkologjisë në vend mungon psikologu i punësuar që do të merrej posaçërisht me këtë pjesë të përjetimit të sëmundjes.
Pse duket sikur, edhe kur flasim për kancerin e gjirit, vazhdojmë të flasim shumë për “gjirin” dhe pamjen e gruas, e më pak për gruan vetë? A e shihni këtë edhe në mjekësi?
Në mjekësi klinike ku bën pjesë edhe onkologjia fokusi është në sëmundjen e kancerit të gjirit në rastin konkret, mënyrat më të mira të trajtimit, opsionet e trajtimit, pritshmërinë nga trajtimi etj. Punë e psikologjisë është trajtimi i aspektit emocional të gruas. E tani në vendin tonë për fat të keq në repartin e onkologjisë nuk ka psikolog të punësuar që do merrej me aspektin emocional të gruas, andaj ne onkologët mundemi ta luajmë edhe këtë rol. Andaj ndoshta jepet përshtypja se anashkalohet aspekti emocional.
Pas operacionit të gjirit, çfarë ndodh me marrëdhënien e një gruaje me trupin e saj? A është kjo diçka që mjekët e shohin te pacientet, por që rrallë flitet hapur?
Largimi i gjirit apo një pjese të gjirit është moment tronditës për gruan pasi në një mënyrë asaj i duket sikurse e ka humbur femërinë. Ky aspekt në kohën e tashme është pak i lehtësuar sepse ekziston mundësia e korrigjimit plastik, por përsëri shumë ka rendësi pranimi i sëmundjes nga ana e gruas dhe në fakt pranimi i trupit pa një pjesë përbërëse. Më shumë edhe këtu është përgatitja emocionale.
Sa presion ndiejnë gratë për ta “rikthyer” trupin siç ka qenë para kancerit? A vjen ky presion nga vetë gratë, partnerët, familja apo edhe nga mënyra si shoqëria e sheh trupin femëror?
Nuk mundem ta them sakët sa presion kanë gratë. Është çështje individuale, varësisht nga rrethi, familja apo shoqëria.
A flitet mjaftueshëm me pacientet për fertilitetin dhe mundësinë për t’u bërë nëna pas trajtimit? Sidomos kur bëhet fjalë për gra shumë të reja?
Po, zakonisht që në momentin kur diagnostikohen me kancer gratë e reja e diskutojmë çështjen e fertilitetit dhe opsionet e mundshme.
Çfarë ndodh kur një grua dëshiron të ketë fëmijë pas kancerit të gjirit? A duhet të zgjedhë mes trajtimit dhe planeve për mëmësinë, apo sot mjekësia mund t’i ofrojë alternativa?
Jo, zakonisht nuk mbetet gruaja para një udhëkryqi të tillë veçanërisht nëse nga fillimi konsultohet me onkologun e vet. Mundësia më e mirë është ruajtja (ngrirja) e qelizave vezë para fillimit të trajtimit, mënyra tjetër është pas trajtimit nëse gjithçka ka rrjedhë si duhet të planifikohet shtatzënia.
Cila është pjesa e jetës së një gruaje me kancer gjiri për të cilën mjekësia flet më pak, por ju e shihni çdo ditë në ordinancë?
Mendoj se është aspekti emocional, frika nga një rikthim, pasojat nga trajtimet, dobësimi i trupit, menopauza e hershme etj.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar janë diagnostikuar një mijë paciente me kancer të gjirit, ndërsa aktualisht shtatë mijë pacientë me sëmundje onkologjike janë në trajtim aktiv në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup. Pas shifrave dhe fushatave të tetorit rozë qëndrojnë probleme të pazgjidhura me vite, pritje me orë për terapi, mungesë e stafit, shërbime të përqendruara në Shkup ndërsa skriningu që mbulon vetëm një pjesë të vogël të grave.
This publication was produced within the framework of the project Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog, which is implemented as part of the broader regional project Together for LGBTQI+ Equality, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollekuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, CCE, or the project partners.



