Në shoqëritë ku pritjet familjare dhe normat tradicionale ende kanë peshë të madhe, shumë prej tyre jetojnë nën presionin e vazhdueshëm për ta fshehur një pjesë të rëndësishme të vetes. Mollëkuqja bisedoi me psikologen dhe psikoterapisten Fatlinda Nitaj për të kuptuar si e ndjejnë këta persona refuzimin familjar, diskriminimin dhe presionin për t’u fshehur, dhe çfarë roli mund të luajë psikoterapia në përballimin e këtyre vështirësive.
Si ndikon trajtimi shoqëror ndaj personave LGBTQI+ në shëndetin e tyre mendor dhe cilat janë pasojat psikologjike më të shpeshta që vëreni në praktikën tuaj?
Fillimisht duhet për bëjmë një dallim te rëndësishëm thelbësor që është orientimi seksual apo identiteti gjinor nuk janë çrregullime psikologjike, përderisa vështirësitë (problemet) e shëndetit mendor qe mund te paraqiten te personat LGBTIQI+ me se tepërmi lidhen me ambientin në të cilin jetojnë dhe mënyrën se si trajtohen.
Si rezultat i kësaj, nga përvoja klinike kemi edhe pasojat më të shpeshta që personat e komunitetit përballen qe mund të jenë ankthi, depresioni, ulja e vetëvlerësimit, izolimit social, ndjenja e turpit dhe fajit, vështirësitë në krijimin e marrëdhënieve të sigurta, çrregullimet e gjumit dhe në rastet më të rënda, mendimet vetlënduese apo vetëvrasëse.
Çfarë lloj dëmesh emocionale dhe psikologjike shkakton stigmatizimi i vazhdueshëm, refuzimi familjar apo diskriminimi institucional te këta persona?
Në kontekstin kosovar refuzimi familjar është një prej faktorëve potencialisht më të rëndë, sepse familja është zakonisht hapsira e parë ku individi pret siguri, përkatësi dhe pranim.
Në kur individi përjeton refuzim, kërcënim, turpërim apo kushtëzim të dashurisë, personi mund të krijojë bindjen se me të “ka diçka gabim” dhe me kalimin e kohës stigmatizimi i jashtëm mund te internalizohet dhe shndërrohet ne vetëstigmatizim.
Prandaj në momentin kur një i ri dëgjon nga familja e vet mesazhe si “na ke turpëruar”, “çfarë do të thotë rrethi?”, “duhet të ndryshosh” apo përballet me kërcënimin se do të largohet nga shtëpia, dëmi mund të jetë shumë më i thellë sesa një konflikt i zakonshëm familjar.
Diskriminimi institucional e rëndon edhe më shumë situatën, sepse personi mund të fillojë të besojë se nuk ka ku të kërkojë mbrojtje. Kur diskriminimi ndodh në shkollë, punë, sistemin shëndetësor apo institucione të tjera, krijohet një ndjenjë pafuqie dhe pasigurie.
Në raste të ekspozimit të vazhdueshëm ndaj kërcënimit, dhunës apo poshtërimit, mund të shfaqen edhe simptoma të traumës psikologjike.
Pse, nga këndvështrimi psikologjik, social dhe kulturor, shoqëritë në Ballkan vazhdojnë të jenë kaq të mbyllura ndaj diversitetit seksual dhe gjinor?
Sa i përket kësaj perspektive nuk ekziston vetëm një arsye sepse është me tepër një kombinim i shumë faktorëve historike, kulturor, social dhe psikologjik.
Së pari kemi një strukturë shumë të fortë familjare dhe kolektive. Në shoqëritë më individualiste pyetja mund të jetë “çfarë dëshiron individi?”. Në shoqërinë tonë shpesh pyetja bëhet “çfarë do të thotë familja dhe çfarë do të thotë rrethi?”.
Konceptet e reputacionit familjar, martesës, vazhdimësisë së familjes dhe pritjeve tradicionale ndaj burrit dhe gruas vazhdojnë të kenë peshë të madhe.
Së dyti, kemi mungesë të edukimit dhe informacionit. Për shumë familje kosovare, kontakti i parë me çështjet LGBTQI+ nuk ka ardhur përmes psikologjisë, mjekësisë apo edukimit, por përmes debateve politike, rrjeteve sociale ose përmbajtjeve te tjera te cilat krijon frikë dhe polarizim.
Së treti, çështja është politizuar shumë. Në vend që të diskutohet për një person real dhe shëndetin e tij mendor, debati shpesh reduktohet në pyetjen “a je pro apo kundër LGBTQI+?”.
Nga perspektiva psikologjike, kjo është qasje problematike.
Mund të kemi pikëpamje të ndryshme kulturore, politike apo fetare, por përballë nesh mund të jetë një 16-vjeçar që ka ankth, një 22-vjeçar që ka frikë t’i tregojë familjes se çka ndjen, apo një person që mendon se do të humbasë shtëpinë nëse zbulohet identiteti i tij. Në atë moment çështja nuk është më ideologjike. Është çështje e shëndetit mendor dhe dinjitetit njerëzor.
Si e përjetojnë individët LGBTQI+ presionin për t’u fshehur apo për të jetuar një identitet që nuk është i tyre, dhe çfarë pasoja afatgjata ka kjo për mirëqenien e tyre mendore?
Të jetosh duke u fshehur vazhdimisht është një pjesë e rëndësishme e vetës dhe kërkon shumë energji psikologjike dhe presion të brendshëm dhe personi mund të jetë vazhdimisht duke menduar: “Kujt mund t’i tregoj?”, “Çfarë ndodh nëse të tjerët e kuptojnë?”, “A do ta humbas familjen?”, “A do ta humbas punën?”, “A do të jem i sigurt?” etj. Kjo krijon një gjendje të vazhdueshme mobilizimi, tensioni, vigjilence dhe ankthi.
Disa persona mund të ndërtojnë dy jetë: një identitet publik që plotëson pritjet e familjes dhe shoqërisë dhe një identitet privat që e përjetojnë si autentik. Sa më gjatë që vazhdon ky konflikt, aq më e madhe mund të bëhet distanca midis asaj që personi është dhe asaj që ndjen se duhet të paraqesë.
Pasojat afatgjata përfshijnë lodhje emocionale, ankth kronik, depresion, ndjenjë zbrazëtie, vështirësi në intimitet dhe marrëdhënie, si dhe ndjenjën se personi nuk po e jeton jetën e vet.
Përfundimisht, është shumë e rëndësishme të theksohet se askush nuk duhet të detyrohet të zbulojë orientimin seksual apo identitetin gjinor nëse nuk ndihet i sigurt. “Coming out” duhet të jetë gjithmonë një vendim personal dhe siguria fizike, emocionale, familjare dhe ekonomike duhet të merret seriozisht.
Çfarë roli mund të luajë mbështetja psikologjike profesionale në shërimin nga këto trauma shoqërore dhe çfarë duhet të ndryshojë në shoqëri që këta persona më të ndihen të sigurt dhe të pranuar, si mundet të hapen më shumë shoqëritë?
Mbështetja profesionale psikologjike mund të ketë një rol shumë të rëndësishëm, sidomos kur personi ka kaluar vite duke u përballur me refuzim, frikë, diskriminim apo vetëstigmatizim.
Psikoterapia mund ta ndihmojë personin të kuptojë më shumë që ndjenjat e turpit dhe fajit nuk burojnë nga identiteti i tij, por nga mesazhet negative që ka marrë nga rrethi ju jeton. Përmes psikoterapisë mund të punohet në ndërtimin e vetëvlerësimit, menaxhimin e ankthit dhe depresionit, përpunimin e përvojave traumatike, krijimin e marrëdhënieve më të sigurta dhe zhvillimin e strategjive më efektivetë të përballimit.
Në fund, qëllimi nuk duhet të jetë që të gjithë të mendojnë njësoj. Në një shoqëri demokratike njerëzit mund të kenë bindje kulturore, personale apo fetare të ndryshme. Por ekziston një minimum që duhet të jetë i panegociueshëm: dinjiteti, siguria dhe e drejta e çdo personi për të jetuar pa dhunë, poshtërim dhe diskriminim.
Shoqëria bëhet më e hapur jo kur zhduken të gjitha dallimet mes njerëzve, por kur mësojmë të jetojmë me dallimet pa ia mohuar njëri-tjetrit dinjitetin.
This publication was produced within the framework of the project Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog, which is implemented as part of the broader regional project Together for LGBTQI+ Equality, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollekuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, CCE, or the project partners.




