765 raste me HIV në Maqedoni që nga 1987, çfarë duhet të dini dhe ku mund të testoheni

Maqedonia e Veriut po përballet me rritje të rasteve të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Vetëm gjatë muajit korrik u regjistruan 25 raste të reja, prej të cilave 11 ishin me HIV/AIDS, 7 me sifiliz, 4 me hepatit viral B, si dhe nga një rast me gonorre, klamidia dhe hepatit viral C. Këto janë të dhënat më të fundit të Institutit për Shëndet Publik.

Që nga viti 1987, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 765 raste me HIV/AIDS. Nga këta, 141 kanë ndërruar jetë, 508 jetojnë aktualisht me HIV/AIDS, ndërsa 116 konsiderohen të humbur për ndjekje, pasi janë shpërngulur.

Kujtojmë se pikërisht para dy vitesh, në vend u regjistrua për herë të parë epidemi e HIV-it.

Çfarë janë infeksionet seksualisht të transmetueshme?

Infeksionet seksualisht të transmetueshme janë infeksione që transmetohen kryesisht përmes kontaktit seksual të pambrojtur, qoftë vaginal, anal apo oral. Ato shkaktohen nga bakteret, viruset ose mikroorganizma të tjerë.

Disa prej tyre shfaqin simptoma të qarta, ndërsa të tjera mund të kalojnë pa u vënë re për një kohë të gjatë. Edhe një person pa simptoma mund t’ia transmetojë infeksionin partnerit të tij.

Kur nuk trajtohen në kohë, këto infeksione mund të shkaktojnë pasoja të rënda shëndetësore. Këtu përfshihen inflamacionet e organeve riprodhuese, probleme me fertilitetin, komplikime gjatë shtatzënisë, si dhe rritje e rrezikut për lloje të caktuara të kancerit.

Ato mund t’i prekin të gjithë, pavarësisht moshës apo mënyrës së jetesës. Zbulimi i hershëm, trajtimi i duhur dhe parandalimi mbeten rrugët më të mira për të mbrojtur shëndetin, si tuajin ashtu edhe të partnerëve tuaj.

Në vijim po i shohim disa nga sëmundjet më të shpeshta seksualisht të transmetueshme, çfarë janë, si transmetohen dhe si mund të mbroheni prej tyre. Të dhënat janë bazuar në informacionet e Institutit të Shëndetit Publik të Maqedonisë së Veriut.

HPV (Virusi i Papillomës Humane) 

Virusi i Papillomës Humane (HPV) është një nga infeksionet më të zakonshme seksualisht të transmetueshme. Ekzistojnë më shumë se 100 lloje të ndryshme të HPV-së. Disa prej tyre shkaktojnë lytha gjenitalë, ndërsa disa lloje me rrezik të lartë mund të shkaktojnë ndryshime qelizore të cilat, nëse nuk monitorohen dhe trajtohen, mund të çojnë në zhvillimin e kancerit.

HPV-ja lidhet më së shpeshti me kancerin e qafës së mitrës, por mund të lidhet edhe me lloje të tjera të kancerit, përfshirë kancerin e anusit, penisit dhe zonës së gojës dhe fytit.

HPV-ja më së shpeshti transmetohet përmes: kontaktit seksual me një person të infektuar; kontaktit lëkurë me lëkurë në zonën gjenitale; më rrallë, përmes kontakteve të tjera intime.

Infeksioni mund të transmetohet edhe kur personi i infektuar nuk ka simptoma të dukshme.

Në shumicën e rasteve nuk ka simptoma. Te disa persona mund të shfaqen: lytha gjenitalë; ndryshime të zbuluara gjatë kontrollit gjinekologjik ose testit PAP.

Parandalohet përmes: vaksinimit kundër HPV-së; kontrolle të rregullta gjinekologjike dhe skriningu për kancerin e qafës së mitrës; përdorimi i prezervativit (e zvogëlon rrezikun, por nuk siguron mbrojtje të plotë).

Klamidia 

Klamidia është infeksion bakterial seksualisht i transmetueshëm, i shkaktuar nga bakteri Chlamydia trachomatis. Është një nga IST-të bakteriale më të zakonshme, veçanërisht te të rinjtë. Shpesh quhet „infeksion i heshtur“, sepse shumë persona të infektuar nuk kanë simptoma.

Transmetohet përmes: marrëdhënieve seksuale të pambrojtura; kontaktit me sekrecionet gjenitale të infektuara; nga nëna te i porsalinduri gjatë lindjes.

Simptomat te gratë mund të jenë: shtim të sekrecioneve vaginale; dhimbje gjatë urinimit; dhimbje në pjesën e poshtme të barkut; gjakderdhje ndërmjet cikleve menstruale.

Simptimat te burrat mund të jenë: sekrecione nga penisi; djegie gjatë urinimit; dhimbje ose ënjtje në zonën e testikujve.

Infeksioni i patrajtuar mund të çojë në: inflamacion të organeve të legenit; infertilitet; rritje të rrezikut për shtatzëni jashtë mitre.

Parandalohet përmes: përdorimit të prezervativit; testimi i personave që janë në rrezik; trajtimi në kohë; trajtimi i partnerëve seksualë për të parandaluar riinfektimin.

Gonorrea 

Gonorrea është infeksion bakterial i shkaktuar nga Neisseria gonorrhoeae. Mund të prekë organet gjenitale, rektumin dhe fytin.

Vitet e fundit është rritur problemi i rezistencës së bakterit ndaj antibiotikëve, prandaj është veçanërisht e rëndësishme që trajtimi të bëhet sipas rekomandimit të mjekut.

Transmetohet përmes kontaktit seksual të pambrojtur; përmes kontaktit me sekrecione të infektuara; nga nëna te fëmija gjatë lindjes.

Simptomat përfshijnë: sekrecione purulente ose të verdha; djegie gjatë urinimit; dhimbje në pjesën e poshtme të barkut; dhimbje ose inflamacion në zonën e testikujve. Te shumë persona infeksioni mund të mos shkaktojë simptoma.

Nëse nuk trajtohet, ajo mund të shkaktojë: inflamacion të organeve riprodhuese; probleme me fertilitetin; përhapje të infeksionit në pjesë të tjera të trupit.

Parandalohet përmes përdorimit të prezervativit; testimit; trajtimin në kohë; shmanges së përdorimit të antibiotikëve pa rekomandim mjekësor.

Sifilizi 

Sifilizi është infeksion bakterial seksualisht i transmetueshëm, i shkaktuar nga bakteri Treponema pallidum. Sëmundja mund të zhvillohet në disa faza dhe, nëse nuk zbulohet dhe trajtohet në kohë, mund të shkaktojë pasoja të rënda shëndetësore.

Sifilizi është infeksion që mund të trajtohet me sukses me terapi të përshtatshme antibiotike, veçanërisht kur zbulohet në fazat e hershme.

Sifilizi më së shpeshti transmetohet përmes: kontaktit seksual të pambrojtur; kontaktit të drejtpërdrejtë me ndryshimet në lëkurë ose mukozë te një person i infektuar; nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë (sifilizi kongjenital).

Simptomat varen nga faza e sëmundjes.

Faza e parë: shfaqja e një plage ose ndryshimi pa dhimbje në vendin ku ka depërtuar infeksioni; zmadhimi i nyjeve limfatike.

Faza e dytë: skuqje në lëkurë, shpesh edhe në pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve; lodhje; temperaturë e rritur; zmadhimi i nyjeve limfatike.

Fazat e mëvonshme: nëse nuk trajtohet, infeksioni mund të shkaktojë dëmtim të sistemit nervor, zemrës dhe organeve të tjera.

Sifilizi mund të parandalohet përmes përdorimit të prezervativit gjatë marrëdhënieve seksuale; testimi i rregullt i personave me rrezik të shtuar; zbulimi dhe trajtimi i hershëm; testimi gjatë shtatzënisë sipas rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë; trajtimi i partnerëve seksualë kur është e nevojshme.

HIV (Virusi i Imunodeficiencës Humane) 

HIV-i (Human Immunodeficiency Virus) është virus që sulmon sistemin imunitar, pra mbrojtjen natyrore të organizmit kundër infeksioneve.

Pa trajtim, HIV-i mund ta dobësojë gradualisht imunitetin dhe të çojë në zhvillimin e AIDS-it (sindroma e imunodeficiencës së fituar). Sot, falë terapisë moderne antiretrovirale, personat që jetojnë me HIV mund të kenë jetë të gjatë dhe cilësore. Zbulimi i hershëm dhe fillimi i terapisë kanë rëndësi të madhe.

HIV-i mund të transmetohet përmes: kontaktit seksual të pambrojtur me një person të infektuar; kontaktit me gjak të infektuar; përdorimit të gjilpërave ose mjeteve të tjera të përbashkëta te personat që injektojnë droga; nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes ose ushqyerjes me gji, nëse nuk zbatohen masat e duhura.

HIV-i nuk transmetohet përmes: shtrëngimit të duarve, përqafimit ose kontaktit të përditshëm; përdorimit të të njëjtave mjete për të ngrënë; kollitjes ose teshtitjes; qëndrimit në të njëjtin ambient me një person që jeton me HIV.

Në fazën e hershme mund të shfaqen simptoma të ngjashme me gripin: temperaturë; lodhje; dhimbje muskujsh; zmadhim i nyjave limfatike; skuqje në lëkurë. Më pas, infeksioni mund të mos shfaqë simptoma për një kohë të gjatë.

HIV-i mund të parandalohet përmes përdorimit të prezervativit; testimi i rregullt për HIV; përdorimi i mjeteve sterile gjatë procedurave mjekësore dhe procedurave të tjera; përdorimi vetëm i gjakut të testuar për transfuzion; masat parandaluese dhe terapeutike sipas rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë.

Herpesi gjenital 

Herpesi gjenital është infeksion viral që më së shpeshti shkaktohet nga virusi herpes simplex i tipit 2 (HSV-2), por mund të shkaktohet edhe nga HSV-1.

Virusi mbetet i pranishëm në organizëm dhe mund të riaktivizohet. Terapia mund të ndihmojë në zvogëlimin e simptomave dhe kohëzgjatjes së episodeve aktive.

Transmetohet përmes: kontaktit të drejtpërdrejtë me lëkurën ose mukozën e një personi të infektuar; kontaktit seksual, përfshirë edhe rastet kur nuk ka ndryshime të dukshme; kontaktit me ndryshime aktive të shkaktuara nga virusi.

Disa persona nuk kanë simptoma. Te të tjerët mund të shfaqen: ndryshime të dhimbshme ose flluska në zonën gjenitale; kruajtje ose djegie; dhimbje gjatë urinimit; parehati në zonën gjenitale; dobësi e përgjithshme dhe temperaturë e rritur gjatë infeksionit të parë.

Parandalohet përmes përdorimit të prezervativit (e zvogëlon rrezikun); shmangia e kontaktit seksual gjatë shfaqjes së ndryshimeve aktive; informimi i partnerit; konsultimi me mjekun për terapinë e përshtatshme.

Hepatiti B 

Hepatiti B është infeksion viral i shkaktuar nga virusi i hepatitit B (HBV), i cili prek mëlçinë. Infeksioni mund të jetë afatshkurtër (akut) ose të kalojë në formë kronike. Te disa persona me hepatit B kronik mund të zhvillohen sëmundje të rënda të mëlçisë.

Virusi transmetohet përmes: kontaktit seksual me një person të infektuar; kontaktit me gjak të infektuar; përdorimit të gjilpërave ose mjeteve të përbashkëta që mund të jenë të kontaminuara; nga nëna e infektuar te i porsalinduri.

Shumë persona nuk kanë simptoma. Kur shfaqen, ato mund të përfshijnë: lodhje humbje të oreksit; të përziera; dhimbje barku; urinë të errët; zverdhje të lëkurës dhe syve.

Hepatiti B kronik mund të çojë në: cirrozë të mëlçisë; ulje të funksionit të mëlçisë; rritje të rrezikut për kancer të mëlçisë.

Parandalohet përmes vaksinimt kundër hepatitit B (masa më efektive për mbrojtje); përdorimi i prezervativit; përdorimi i mjeteve mjekësore sterile; shmangia e ndarjes së sendeve personale që mund të jenë të kontaminuara me gjak (për shembull, brisqet).

Ku mund të testoheni?

Testimi i hershëm mbetet mënyra më e sigurt për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe të partnerëve tuaj.

Qendrat për Shëndet Publik
Në qytete të ndryshme të vendit, përfshirë Shkupin, Manastirin, Kumanovën, Prilepin, Koçanin dhe Tetovën, ofrojnë testim vullnetar për HIV, në shumicën e rasteve falas dhe anonim. Për informata dhe drejtim te qendra më e afërt me vendbanimin tuaj, mund të kontaktoni Institutin për Shëndet Publik.

HERA, Qendra Rinore “Sakam da znam”
Testim falas dhe konfidencial për HIV dhe infeksione të tjera seksualisht të transmetueshme, me mundësi caktimi edhe online. Shërbimi fizik ndodhet në Shkup, në Vodno.

Qendra për HIV, “Zaedno Posilni”
Testim falas çdo ditë pune, pa takim paraprak. I vetmi grup i vetorganizuar i personave që jetojnë me HIV në vend, me këshillim nga bashkëmoshatarë.

  • 7:30 deri 13:00, çdo ditë pune
  • zp.mk

Zbulimi i hershëm mund t’ju shpëtojë jetën. Nëse keni pasur kontakt të rrezikshëm ose thjesht dëshironi qetësi mendore, mos ngurroni të testoheni. Është falas, i shpejtë dhe në shumicën e rasteve, anonim.

Rekomandime të përgjithshme për parandalimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme

Për të zvogëluar rrezikun nga këto infeksione, rekomandohet përdorimi i prezervativit gjatë marrëdhënieve seksuale dhe testimi i rregullt, veçanërisht te personat me partnerë të rinj ose më shumë se një partner seksual, si dhe te ata që dyshojnë se kanë qenë të ekspozuar ndaj infeksionit.

Në rast se shfaqen simptoma si sekrecione të pazakonta, djegie gjatë urinimit, dhimbje në zonën gjenitale ose ndryshime në lëkurë a mukozë, është e rëndësishme të vizitoni mjekun sa më shpejt. Antibiotikët dhe barnat e tjera nuk duhet të merren pa rekomandim mjekësor.

Vaksinimi kundër HPV-së dhe hepatitit B mbetet një nga mjetet më efektive të parandalimit, ndërsa komunikimi i hapur me partnerin dhe një sjellje seksuale e përgjegjshme mbeten po aq të rëndësishme sa vetë mbrojtja fizike.

This publication was produced within the framework of the project Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog, which is implemented as part of the broader regional project Together for LGBTQI+ Equality, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollekuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, CCE, or the project partners.

Të tjera