Më 16 prill 2025, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi që, sipas Ligjit për Barazi të vitit 2010, përkufizimet ligjore të termave “grua” dhe “seks” i referohen ekskluzivisht seksit biologjik. Ky vendim nënkupton se vetëm gratë biologjike konsiderohen ligjërisht si të tilla në kuadër të këtij legjislacioni, duke përjashtuar gratë transgjinore – përfshirë edhe ato që kanë Certifikata të Njohjes së Gjinisë (Gender Recognition Certificates).
Ankesa u dërgua në Gjykatën e Lartë nga grupi aktivist “For Women Scotland”, pasi dy gjykata në Skoci kishin refuzuar argumentin e tyre se përkufizimi i termit “grua” në Ligjin për Barazi duhej të kufizohej vetëm për personat e lindur biologjikisht si gra, raporton The Guardian.
Pas vendimit të datës 16 prill, Susan Smith, themeluese e “For Women Scotland” tha se marrja e këtij vendimi ka qenë një rrugë e gjatë, por se “gratë tani mund të ndihen të sigurta që shërbimet dhe hapësirat e përcaktuara për gra u takojnë vetëm atyre që kanë lindur biologjikisht si gra”.
Ky vendim mund të ketë pasoja të gjera dhe të kufizoj edhe më shumë qasjen e grave trans në shërbime dhe hapësira të rezervuara për gratë. Ato nuk do të kenë më qasje në tualetet apo dhomat e zhveshjes për gra, dhe burrat trans nuk do të mund të hyjnë më në ato për burra.
Për më tepër, zyrtarët kanë konfirmuar se NHS (Shërbimi Kombëtar Shëndetësor) është duke shqyrtuar përditësimin e udhëzimeve zyrtare për repartet njëseksuale, në përputhje me këtë vendim dhe të akomodojnë pacientët bazuar në seksin e tyre biologjik.
Vendimi do të ketë pasoja të mëdha edhe në sport, një industri që prej kohësh po përballet me pyetjen nëse gratë trans duhet të lejohen të garojnë në sportin për gra. Si dhe, ky vendim do të aplikohet edhe në burgjet e vendit, ku gratë trans do të transferohen në burgjet e burrave dhe burrat trans në ato të grave.
Gjithashtu, Policia Britanike e Transportit ka treguar se ka miratur një “qëndrim të ri të përkohshëm”, që do të thotë se personat trans që ndalohen në paraburgim do të kontrollohen nga një oficer në përputhje me seksin e tyre të lindjes, raporton the Independent.
Sacha Deshmukh, shefja ekzekutive e grupit për të drejtat e njeriut në Amnesty International UK, tha se vendimi ishte dëshpërues.
“Kjo do të ketë pasoja të mëdha për personat transgjinor, por është e rëndësishme të theksojmë se gjykata ka qenë e qartë në vendimin se personat trans janë të mbrojtur nën Ligjin për Barazi kundër diskriminimit dhe ngacimimit”, shtoi Deshmukh.
- Artikulli fillimisht është publikuar në QIKA.