Kërcënime, diskriminim dhe mungesë sigurie – realiteti i grave gazetare në RMV

Në një mjedis ku gazetaria është thelbësore për një shoqëri demokratike dhe të informuar, mbrojtja e gazetarëve nga kërcënimet dhe dhuna është më e rëndësishme se kurrë. Edhe përkundër progresit të bërë ndër vite Maqedonia e Veriut  vazhdon të mos jetë vend i sigurtë për gazetarët e me theks të veçantë për nëpunëset gra në media. Raportet tregojnë se gazetaret gra shpesh janë objektiva të sulmeve dhe kërcënimeve. Në vitin 2020, nga 14 sulme të regjistruara ndaj gazetarëve, nëntë prej tyre kishin në shënjestër gra që kryenin detyrën e gazetares. Në vitin 2021 nga 5 sulmet e regjistruara tre ishin ndaj gazetarëve gra, përderisa në vitin 2022 u regjistrua një sulm ndaj një gazetareje në vitin 2023 dhe 2024 u regjistruan nga 2 sulme ndaj gazetareve gra. Ndërsa viti 2025 filloi me djegjen e automjetit të një gazetareje në Ohër.

Një anketë e kryer nga Platforma për Gazetari Hulumtuese dhe Analizë – PINA, ku u anketuan 103 gazetare gra në RMV, tregoi se 81,6% e tyre janë përballur me ngacmime dhe kërcënime online. Studimi nxorri në pah se 81.6% e grave gazetare në vend janë përballur me ngacmime online për shkak të punës së tyre dhe pothuajse gjysma (43.7%) nuk e kanë raportuar askund ngacmimin, ndërsa pjesa më e madhe e pjesës tjetër (32%) e raportoi atë në redaksinë e tyre. Mbi 29.7% e grave gazetare kanë thënë se fotot e tyre janë shpërndarë në grupe të caktuara në rrjetet sociale, me qëllim diskreditimin e tyre. 22% e gazetareve gra u përballën me ndjekje në internet, ndërsa ndaj 18.7% të tyre u organizuan fushata të orkestruara.

Përveç sulmeve nëpunëset mediatike në vendin tone përballen dhe me diskrimin gjinor në pozita dhe paga, si dhe mungesë të politikave efektive për të adresuar këto çështje. Për të rritur ndërgjegjësimin, për të ofruar trajnime dhe për të ndikuar në politikat mediatike për një përfaqësim më të drejtë gjinor, së fundi në Maqedoninë e Veriut u formua Rrjeti i Grave në Media “E barabartë”. Për më shumë folëm me gazetaren Fatlume Dervishi nga Rrjeti i Grave në Media “E barabartë”.

  • Ti je një nga iniciatoret e formimit të rrjetit të grave në media “E barabartë”. A mund të na thuash pse kishte nevojë që në vendin tonë të krijohet një rrjet i tillë?

Rrjetet për barazi gjinore në media nuk janë diçka e re dhe e panjohur. Disa prej tyre në rajon madje janë shumë aktive dhe kanë arritur rezultate. Por, në vendin tonë, ky është organizimi i parë, serioz dhe me peshë për nga numri i pjesëmarrëseve dhe atyre që na përkrahin, sa i takon barazisë në media. Sondazhet e viteve të fundit treguan atë që gazetaret dhe nëpunëset e mediave e dinin, e përjetonin ose ishin të vetëdijshme prej kohësh por që nuk e kishin thënë hapur. Gratë që punojnë në media diskriminohen, ndiqen fizikisht por dhe në internet, kërcënohen, diskreditohen në rrjetet sociale, përjetojnë dhunë psikologjike dhe seksuale, të dhënat personale të tyre keqpërdoren, nuk konsiderohen aq të afta sa kolegët e tyre burra dhe vështirë u besohen pozita drejtuese. Këto janë pohime individuale të mbi 80% të të punësuarave në media. Ky numër është shumë shqetësues. Është e rëndësishme që për këto gjëra të flitet. Prandaj rrjeti i grave në media e ka për qëllim të ngrejë vetëdijen në nivelin më të lartë, të solidarizohet, t’u japë zë grave në media dhe të jetë në anën e tyre, për secilin nga rastet e lartpërmendura.

Në një të ardhme, shpresoj jo të largët, mediat në vend duhet të ndryshojnë politikat e funksionimit të brendshëm, duhet të miratojnë kode sjelljeje me gjuhë të ndjeshme gjinore dhe duhet të bëjnë kujdes të përdorin gjuhë të ndjeshme gjinore jo vetëm brenda redaksive por edhe gjatë transmetimit të informacioneve. Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, si një ndër kushtet kryesore për barazi gjinore brenda hapësirave të punës në media thekson edhe trajnimet e vazhdueshme për vetëdijesim por edhe një person përgjegjës në rolin e supervizorit, të trajnuar pikërisht për këto tema, tek i cili gratë mund të drejtohen kur ndjenjë çfarëdo lloj pabarazie ose ngacmimi gjinor.

Rrjeti, sigurisht, do të kujdeset edhe për mënyrën se si portretizohen në media gratë me funksione publike, si raportohet për dhunën gjinore dhe për tema të tjera që kanë prapavijë gjinore. Nuk mund të ndryshohet situata brenda redaksive nëse paralelisht nuk punohet për ndryshimin e mënyrës se si formohet opinion publik mbi këto tema.

  • Emri i rrjetit “E barabartë” tingëllon i fuqishëm dhe mjaft i vendosur. Përmes eksperincës tënde shumë vjeçare në media a mundet të na e thuash pse gratë nuk janë të barabarta në media edhe nëse bëjnë punë të barabatë me burrat?

Diskriminimi gjinor është i pranishëm në të gjitha format e organizimit shoqëror. Mediat nuk bëjnë përjashtim nga pjesa tjetër e shoqërisë. Si diskriminohen gratë që punojnë në media? E para, nuk merren seriozisht, konsiderohen si më të dobëta, më të brishta dhe më pak të afta. Gazetaria në vend dominohet nga gratë për nga pjesëmarrja gjinore megjithatë në pozitat drejtuese shpesh qëndrojnë burrat. Politikat e brendshme të punës në media nuk janë politika të ndjeshme gjinore. Gratë shikohen si barrë për vendin e punës kur janë shtatzëna ose kur janë nëna të reja që kalojnë një pjesë të kohës duke u kujdesur për fëmijët.

  • Sa mendon se gratë në media janë të vetëdijshme që puna e tyre nuk është e barabartë me të burrave dhe sa është e vështirë për një grua të fitojë terren profesional në mediat e vendit tonë?

Nga takimet që kemi pasur me shumë kolege në të gjithë vendin si pjesë e nismës për formimin e rrjetit të grave, rezultoi që gratë janë të vetëdijshme për pabarazinë gjinore në vendet e tyre të punës dhe në këtë profesion në përgjithësi. Në një formë ose një tjetër, të gjitha e kishin ndjerë pabarazinë. Kur them se duhet të punohet për ngritjen e vetëdijes, në mendjen time është vetëdija e burrave, ose e gjysmës tjetër të shoqërisë. Kolegët nuk janë shumë të prirur për ta parë ose për ta dalluar diskriminimin. Prandaj është e rëndësishme që shembujt konkret të trajtohen edhe publikisht. Sepse duke i heshtur rastet konkrete që ndodhin, pjesa që nuk i përjeton, ndoshta edhe nuk i beson.

  • Sa ka gjetur përkrahje nisma, qoftë nga kolegët gra apo dhe nga ato burra? Dhe na thuaj se si mundet të bëhemi pjesë e këtij rrjeti?

Secila nëpunëse e mediave mund të bëhet anëtare e rrjetit të grave në media në formën më të thjeshtë të mundshme. Plotësohet vetëm një formular në internet dhe aplikimi automatikisht pranohet. Qëllimi nuk është që të komplikojmë anëtarësimin me procedura burokratike. Qëllimi është që të zgjerohet rrjeti dhe në këtë mënyrë, edhe ndikimi dhe rezultati. Deri tani kemi mbështetjen e organizatave të mediave dhe të gazetarëve në vend, sidomos të Sindikatës së gazetarëve dhe nëpunësve mediatik, nën ombrellën e të cilës funksionojmë.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera