September 5th, 2021
Unë nuk besoj në konceptin “punë burrash” apo “punë për gra”, i tha gazetarit të “Mollëkuqja” gruaja e cila vite më herët ka sfiduar mentalitetin patriarkal të roleve gjinore vetëm që sot të jetojë ëndrrën e saj për të qenë shofere autobusi. Shaqiri gati dy dekada e bën këtë punë por jeta e saj jo gjithmonë ka qenë fushë me lule: përballja me paragjykimet, ofendimet dhe mosbesimet ka qenë përditshmëri e saj në fillimet e karrierës. Megjithatë, ajo sot mezi pret të ketë një kolege grua, shkruan Mollëkuqja.mk.
Makfirete Shaqiri tash 17 vite është e punësuar në Ndërmarrjen për Transport Publik në Shkup. Ajo është ndër të rrallat gra që mund të shihen prapa timonit të një autobusi për transport publik në Shkup dhe jo vetëm.
Edhe pse tani Shaqiri po shijon punën pa pasur probleme shtesë, fillimet e saja si pretendente për shofere autobusi në një kohë ku rrallë mund të shihje gra prapa timonit të veturave, nuk kanë qenë të lehta.
“Në fillim, ishte shumë e vështirë sepse përkundër sfidave tjera personale është dashur të përballohem edhe me paragjykimet, sepse imagjinoni, atëherë as vetura nuk voziteshin nga gratë, apo ishin raste jashtëzakonisht të rralla. Këtu buronte paragjykimi kryesor ndaj meje, si një grua që synonte një ditë të vozis autobus. Sidoqoftë, paragjykimet ishin në fillimet e mia ndërkaq tani nuk ekzistojnë më, përkundrazi më përkrahin shumë dhe marr mesazhe inkurajuese” tha Makfire Shaqiri për “Mollëkuqja”.
Makfire Shaqiri ka qenë me fat që ka pasur përkrahjen e familjes për të realizuar ëndrrën e saj, sipas saj, kjo ka mjaftuar për të mposhtur çdo paragjykim, ofendim apo tendencë të mos besimit nga ana e shoqërisë.
“Që në moshë të re, nga fëmijëria, i kam dashur autobusët dhe më janë dukur interesant. Në fillim, nuk e besoja kurrë se do të vijë dita që unë do të arrij që ta vozis sepse nuk shihja shumë gra prapa timonit të autobusëve. Megjithatë, kam pasur fat që familja më ka përkrahur gjithmonë dhe asnjëherë nuk më ka thënë të mos e bëj këtë punë, pa marrë parasysh gjithë sfidave të cilat nuk ishin të thjeshta, sidomos jo për një nënë të vetme” theksoi Makfire Shaqiri.
Në “luftën” me mentalitetin patriarkal dhe kundër roleve gjinore padyshim që fitimtare doli në fund ajo, por, beteja e Shaqirit nuk përfundon këtu, ajo për “Mollëkuqja” tha se mezi pret që të ketë një kolege, grua, sepse sipas saj, gratë mund të bëjnë çdo punë.
“Dikur ishte shumë e vështirë që si grua shqiptare të sfidohet ai mentalitet dhe të bëhet kjo punë e cila cilësohej si punë burrash, megjithatë, kjo ngelet në të kaluarën dhe ofendimet e paragjykimet e fillimit nuk dua t'i kujtoj. Unë nuk besoj në konceptin e punë për burra dhe punë për gra, gratë mund të bëjnë çdo punë në qoftë se ata duan. Dua së shpejti të kem një kolege grua”
Makfire Shaqiri
Shaqiri është nënë vetushqyese,”i biri im u rrit në autobus, shpesh herë për të kujdeseshin udhëtarët”
Përkundër lindjes së birit, Makfire Shaqiri nuk ka munguar as edhe një ditë në punë, ajo tregon për “Mollëkuqja” sfidat me të cilat është përballur në rritjen e birit gjatë orareve të tejzgjatura të punës.
“Në fillimet e mia e merrja djalin me vete, ai u rrit në autobus, ishte shumë e vështirë dhe vetëm dikush në situatën time mund të më kuptojë, për djalin tim kujdeseshin edhe udhëtarët, ai komunikonte me ata, shoqërohej”
Makfire Shaqiri
Për në fund, “Mollëkuqja” ju sjell vetëm një prej qindra historive ku gratë kanë sfiduar rolet gjinore dhe në fund kanë fituar betejën me patriarkatin dhe mentalitetin i cili shpesh herë është në favor të burrave. Andaj, inkurajojmë vajzat dhe gratë që të ndjekin ëndrrat e tyre pa marrë parasysh sfidave me të cilat do të duhet të përballen gjatë rrugës.
Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia