Shkrimtaret shqiptare marrin “vendin e merituar” në monografinë shkencore të Meliza Krasniqit

Sot në Prishtinë u promovua monografia shkencore “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” nga autorja Meliza Krasniqi, në botim të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Autorja për një periudhë katër vjeçare ka mbledhur informacione për mbi 80 gra shkrimtare shqiptare, ka lexuar veprat e tyre dhe i ka interpretuar, duke i seleksionuar më pas autoret.

“Dera ka qenë e hapur vetëm për burrat fatkeqësisht, në letërsi, dhe ne nuk i kemi njohur gratë, e as emrat e tyre. Unë kam parë që ka një rrjet të madh të grave, janë diku mbi 80, dhe unë nuk desha të shkruaj për një, andaj kam shkruar për të gjitha”, shprehet autorja.

Monografinë që ka mbi pesëqind faqe e ka redaktuar redaktori Gëzim Aliu. Ai ishte prezent në promovimin e librit për të qartësuar për publikun përmbajtjen dhe ndarjen historike të monografisë shkencore. Monografia është e ndarë në katër kaptina kryesore, duke i ndarë autoret sipas vendit ku kanë vepruar: shkrimtaret e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe të Italisë.

“Nëse drama e kontekstit ka qenë e rëndë për shkrimtarët shqiptarë, shumë më e rëndë ka qenë për gratë shqiptare, që kanë synuar të shkollohen, të shkruajnë dhe të botojnë. Ideja për t’u marrë me gratë shqiptare të një periudhe kohore mjaft të gjatë, mund t’i nxjerrë fare mirë dy ose edhe tri monografi shkencore, por Meliza Krasniqi ka vendosur ta sfidojë numrin e konsiderueshëm të shkrimtareve dhe shumësinë e veprave të tyre, mbi 60 shkrimtare e diku mbi 230 vepra”, u shpreh redaktori i librit, Gëzim Aliu.

Një prej shkrimtareve të përfshira në libër është edhe Natasha Lako. Në monografi autorja ka sqaruar biografinë e shkrimtareve, për të analizuar më pas krijimtarinë e tyre.

“Edhe sot autore gra nuk janë të vendosur ndonjëherë në faqen e parë, as në libraritë ku shiten librat. Rrallë ndodh kjo, por kur të lexojnë këtë studim të Melizës do ta kuptojnë se çfarë kanë bërë, sepse atje nuk ka vetëm rreshtim titujsh, ka edhe përmbajtje. Meqë unë jam një autore që pothuajse kam pasur fatin të njoh të gjithë këto krijuese, në përjashtim të autoreve që nuk i njoh mirë personalisht nga arbëreshët, ju them që unë ndjek çdo varg shqiptar të grave shqiptare”, thekson autorja Natasha Lako.

Sipas Krasniqit, gratë janë fokusuar në temat e emancipimit të gruas, duke trasuar një rrugë për përfshirje më të madhe të grave në sferat e ndryshme të jetës.

“Gratë kanë shkruar kryesisht poezi, tema të emancipimit të gruas, qoftë në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoninë e Veriut, në përjashtim të autoreve arbëreshe të cilat kanë jetuar larg atdheut, andaj ato kanë shkruar gjithmonë më tepër për mallin për atdheun. Dhe normalisht nuk mungon as tema sentimentale e dashurisë”, thotë Krasniqi.

Monografia shkencore “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” është botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ky është botimi i parë serioz që ju përkushtohet plotësisht shkrimtareve shqiptare dhe krijimtarisë së tyre. Ndryshe, shkrimtaret gra edhe globalisht janë të diskriminuara në tregun e shitjes. Shtëpitë botuese vazhdojnë të investojnë më tepër te autorët burra, të rezervojnë rraftet për të mira për autorët burra, duke i lënë në hije gratë krijuese.

Друго