Diskutimet mbi barazinë gjinore po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë në debatet publike në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht mes të rinjve të cilët sot kanë më shumë mundësi të shprehin qëndrimet dhe përvojat e tyre.
Megjithatë, përtej diskutimeve, mbetet e paqartë nëse brezat e rinj po arrijnë të sfidojnë realisht normat dhe stereotipet gjinore që vazhdojnë të ndikojnë në jetën e përditshme.
Përderisa disa të rinj vlerësojnë se shoqëria po bëhet më e hapur ndaj barazisë dhe roleve të barabarta gjinore, të tjerë theksojnë se paragjykimet, pritshmëritë tradicionale dhe format e fshehta të diskriminimit vazhdojnë të jenë të pranishme, si në familje ashtu edhe në hapësirat publike dhe digjitale.
Për të sjellë perspektivën e gjeneratës së re, biseduam me disa të rinj nga Maqedonia e V.
Flutura Xhemaili, studente nga Kumanova, thotë se përderisa barazia gjinore diskutohet më hapur, nga ana tjetër ka regres të heshtur ku patriarkati nuk është zhdukur por është përshtatur me kohën.
“Sot ai nuk shfaqet gjithmonë në formën e vjetër, të drejtpërdrejtë, por përmes gjuhës së “traditës”, “familjes”, “moralit” dhe madje edhe përmes rrjeteve sociale, ku kontrolli mbi vajzat shpesh romantizohet si kujdes, ndërsa privilegji i djemve normalizohet si natyrshmëri. Prandaj, nuk do të thoja se gjeneratat e reja janë automatikisht më të barabarta; ato janë më të vetëdijshme, por edhe më të ekspozuara ndaj një kundër-reagimi konservator”, tha Xhemaili.
As studentja nga Tetova, Gentina Abdiji nuk sheh ndryshimin që siç thotë, shpesh përmendet.
“Shpesh duket sikur po kopjojmë modele dhe trende që duken mirë për publikun, pa i kthyer ato në qëndrime dhe veprime konkrete. Mendoj se një nga arsyet kryesore pse ndryshimi ecën kaq ngadalë lidhet me edukimin që marrim që në familje, sepse pikërisht aty formohen bindjet e para për rolin e gruas dhe burrit. Ajo që një fëmijë sheh, dëgjon dhe përjeton në shtëpi, më vonë reflektohet natyrshëm në shoqëri, në marrëdhënie dhe në vendimmarrje. Për këtë arsye, edhe pse brezat e rinj sot duken më modernë, në shumë raste thelbi mbetet i njëjtë, vetëm i prezantuar ndryshe”, thotë Abdiji.
Studenti Gajur Memeti thotë se ajo që vëren sot te të rinjtë është se tema e barazisë gjinore shpesh trajtohet thjesht si një lloj fushate PR-i.
“Kemi mësuar fjalorin e duhur dhe e dimë saktë se çfarë është ‘politikisht korrekt’ për të thënë publikisht, por në praktikë, gjërat nuk kanë ndryshuar aq shumë. Për mua, barazia nuk duhet të kthehet në një luftë mes gjinive apo në një garë se kush është më lart. Ndryshimi i vërtetë vjen kur fillojmë t’i vlerësojmë njerëzit për karakterin, punën dhe aftësitë që kanë, pa asnjë filtër tjetër. Sfida jonë si djem të rinj nuk është të ndjekim trendet digjitale vetëm për t’u dukur modernë, por të tregojmë pjekuri. Kjo do të thotë të respektojmë ambiciet e vajzave njësoj si tonat, duke mbajtur njëkohësisht peshën e përgjegjësive tona. Në fund të ditës, shoqëria nuk ecën përpara me fjalë të bukura, por kur fillojmë të funksionojmë me njëri tjetrin si një skuadër”, tha Memeti.
Lejla Poliku, gjithashtu studente thotë se të rinjtë në RMV sot sfidojnë hapur ndarjet tradicionale të roleve, si brenda shtëpisë ashtu edhe në tregun e punës, duke synuar t’i mundësojnë vetes të drejta të barabarta.
“Mirëpo, kjo nuk do të thotë se gjithçka ka ndryshuar plotësisht. Ende mbetet shumë punë për t’u bërë, pasi paragjykimet shoqërore dhe pabarazia ekonomike vazhdojnë t’i mbajnë gratë larg barazisë së vërtetë”, tha Poliku.
Gratë më nuk ndjehen si “ardhacake” në një “shtëpi të huaj”
Lidhur me këto çështje biseduam edhe sociologun dhe profesorin Ali Pajaziti. Ai thotë se në ditët e sotme në krahasim me të kaluarën, konteksti ka ndryshuar dhe gratë kanë më shumë vetëbesim.
“Ajo nuk ndjehet e nënshtruar, si ardhacake, “e shtëpisë së huaj”, ajo sot është e punësuar dhe ka të ardhurat e veta financiare, që ia rrit asaj pavarësinë, kështu që statusi i saj sot është përmirësuar goxha”, thotë Pajaziti.
Nga ana tjetër, një studim i kryer nga Ipsos dhe King’s College London, që kishte përfshirë 23 mijë persona në 29 vende, zbuloi diçka shqetësuese: djemtë e rinj të Gjeneratës Z kanë më shumë gjasa se gjyshërit e tyre të besojnë se gruaja duhet t’i bindet burrit. Rreth 31% e djemve të moshës 13-28 vjeç e mbështetën këtë pohim, krahasuar me vetëm 13% të burrave mbi 60 vjeç.
Edhe në mesin e grave shifrat janë befasuese. Gratë e reja ishin më të prirura se gjenerata e gjysheve të tyre të bien dakord me idenë e nënshtrimit, 18% krahasuar me 6%.


