Rajoni i Pollogut është i vetmi rajon nga tetë rajonet planore të RMV-së në të cilin nuk ka strehimore për gratë të cilat janë viktima të dhunës në familje. Përkundër faktit që nevoja për strehimore është e madhe, institucionet nuk e kanë vendosur në listën e tyre prioritare këtë, këtë e tregon edhe analiza e fundit e “Cortex”. Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale për „Mollëkuqja” japin premtime.
Edhe pse nënshkruese e Konventës së Stambollit, shteti i Maqedonisë së Veriut nuk respekton obligimet që rrjedhin nga kjo konventë si dhe as ligjet nacionale sipas të cilave, shteti obligohet që grave viktima të dhunës në familje të ju sigurojë strehim.
Këto janë gjetjet e organizatës “Cortex” në lidhje me këtë:
- Në vitin 2020 dhe 2021 në Qendrën ndër-komunale për punë sociale janë regjistruar 105 raste të dhunës në familje, për të cilat janë evidentuar 80 gra viktima (76.19%) dhe 85 burra kryerës (80.95%). Te më shumë se 90% të rasteve të paraqitura të dhunës familjare, dhuna ndodh mes bashkëshortëve ose partnerëve jashtëmartesorë.
- Në vitin 2020 dhe 2021 në Qendrën ndër-komunale për punë sociale në Gostivar janë evidentuar gjithsej 58 raste të dhunës familjare, nga të cilat më tepër se 90% gratë janë viktima.
- Në vitin 2020 në SPB Tetovë janë regjistruar 96 vepra penale nga fusha e dhunës familjare, nga të cilat 74 vepra janë në Komunën e Tetovës dhe 22 në Komunën e Gostivarit Janë paraqitur 91 kryerës nga gjinia mashkullore (që paraqet 85.84% nga numri i përgjithshëm i kryerësve) dhe 80 gra viktima (që paraqet 76.29% nga numri i përgjithshëm i këtyre veprave penale).
- Institucionet ende nuk grumbullojnë të dhëna për të gjitha format e dhunës ndaj grave të definuara sipas konventës së Stambollit.
Përkundër shifrave të lartëpërmendura, gratë viktima të dhunës në rajonin e pollogut nuk kanë strehimore, rikujtojmë që ky rajon është i vetmi nga gjithsej tetë rajonet planore të RMV-së pa strehimore për gratë, kurse ka vetëm dy qendra këshilluese.
Nevoja për rritjen e shërbimeve të specializuara për gratë viktima të dhunës dhe dhunës në familje është shumë e rëndësishme. Vendi ynë ka nënshkruar Konventën e Stambollit e cila duhet të sigurojë akses në shërbime të specializuara për gratë viktima të dhunës. Përfundimet tona kryesore janë se dhuna ndaj grave dhe në familje në këtë moment nuk janë prioritet i komunave të Pollogut. Në rajonin e Pollogut nuk ka asnjë strehimore, nuk ka qendër për kriza për intervenim, nuk ka linjë kombëtare sos në të gjitha gjuhët që të jetë në qasje 24 orë
Ana Aframovska, këshilltare juriste në Rrjetin nacional kundër dhunës ndaj grave dhe asaj në familje
Nga ana tjetër, psikologja Nebahate Ziberi-Imeri në qendrën Cortex për Keshillime dhe Psikoterapi thekson se edhe vetëqeverisja lokale duhet të merr masa që shërbimet të cilat i meriton ky rajon t’i posedojë, dhe që dalin nga neni 21 i Ligjt për parandalim dhe mbrojtje të grave nga dhuna familjare i cili u miratua në vitin 2021.
Rajoni i Pollogut është rajoni i vetëm i cili numëron 255 mijë banorë dhe sipas standardeve minimale evropiane në çdo 50 mijë banorë duhet të ketë një qendër këshilluese. Në fakt rajoni i Pollogut ka vetëm dy qendra këshilluese. Vetëqeverisja Lokale duhet të merr masa që shërbimet të cilat i meriton ky rajon ti posedojë. Jemi duke lobuar me të gjitha institucionet lokale dhe komunat e rajonit të Pollogut. Qëllimi jonë është që të lobojmë në ngritjen e vetëdijes te kryetarët e komunave të rajonit të Pollogut që t’i shfrytëzojnë praktikat pozitive të komunave në vend për të siguruar këshillimore dhe strehimore
Nebahate Ziberi-Imeri
Ministria kompetente premton, por nuk tregon pse nuk e ka përmbush këtë obligim deri tani
Qeveria e RMV-së e ka miratuar Planin Kombëtar të Veprimit për zbatimin e Konventës së Isntsbullit për periudhën 2018-2023. Sipas dinamikës së punës, deri në vitin 2021, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, janë krijuar 13 shërbime rajonale të specializuara për përkujdesjen e grave viktima të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore (strehimore) në 7 rajone planore. Por pavarësisht kësaj rajoni i Pollogut është i vetmi në të cilin ende nuk ka qendër të hapur.
Për këtë, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) për Mollëkuqja premtojnë se deri në fund të vitit 2023 do të krijohet strehimore edhe në rajonin e Pollogut.
Sipas zbatimit të Planit të Veprimit, rajoni i tetë planor mbulohet në periudhën 2022-2023, me të cilin Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të krijojë shërbime të specializuara për gratë viktima të dhunës dhe dhunës në familje në rajonin e fundit planor në vendit
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale
Ndryshe, sipas nenit tre të Konventës të Këshillit të Evropës për Parandalim dhe Luftë Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur edhe si Konventa e Stambollit të cilën Maqedonia e Veriut e nënshkroi më 8 korrik 2011, ndërsa hyri në fuqi më 1 korrik të vitit 2018, “Dhuna ndaj grave kuptohet si shkelje e të drejtave të njeriut dhe një formë diskriminimi ndaj grave, si dhe i referohet të gjitha akteve të dhunës me bazë gjinore që shkaktojnë ose ka të ngjarë të çojnë në lëndime ose vuajtje fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike, duke përfshirë kërcënime për akte të tilla.”