Kryetari i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi, në një postim të tij në facebook ka përdorur gjuhë seksiste dhe denigruese ndaj grave, duke shkruar “E tash mos qani si gra për atë që e keni humbur si burra”. Përdorimi i një gjuhe të tillë përforcon stereotipet gjinore duke i portretizuar gratë si më të dobëta dhe më emocionale. Jo vetëm, e njëjta përforcon edhe stereotipin se burrat duhet të jenë të fortë dhe joemocional.
Në një postim ku Ibrahimi flet për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, duke akuzuar pushtetin e mëparshëm që nuk ka zgjidhur çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, ai ju drejtohet duke ju thënë që “të mos qajnë si gra atë që kanë humbur si burra”. Përforcimi i stereotipeve të tilla, shumë shpesh ka pasur pasojat e veta në shëndetin mendor të burrave. Në Maqedoninë e Veriut nga 100 mijë banorë mesatarisht 9.4 persona e braktisin këtë botë si pasojë e vullnetit të lirë, vetëvrasjes. Sa i përket gjinisë, 74 për qind janë burra, ndërsa 26 për qind gra.
Përdorimi i një fraze të tillë dëshmon që burrat politikën e konsiderojnë “fushë të veten”, dhe se as marrin në konsideratë pjesëmarrjen e grave kur merren vendime të rëndësishme. Çështjen e rregullimit të gjuhës shqipe, Ibrahimi e konsideron se e kanë pasur për detyrë ta zgjidhin burrat, pa pasur në konsideratë që në pushtetin e kaluar ka pasur 10 deputete gra më tepër se sa në këtë përbërje.
Kjo nuk është hera e parë që politikanë të Maqedonisë së Veriut përdorin frazën e tillë publikisht. Në shkurt të vitit 2023, Daim Luçi, asokohe Zëvendësministër i Kulturës në Republikën Maqedonisë së Veriut, për të shfaqur pakënaqësitë e tij kundrejtë partisë “Alternativa”, publikisht ka përdorur gjuhë seksiste duke e shpërndarë të njëjtën në faqen zyrtare të tij në Facebook. Luçi u është drejtuar burrave të tjerë të partisë për t’i këshilluar “të mos qajnë si gra”, sepse sipas tij bashkëpartiakët e partisë nuk kanë qenë në gjendje ta mbrojnë të njëjtën “si burra”.
„Мollëkuqja” vazhdimisht ka ndjekur gjuhën e përdorur nga politikanët, marrë parasysh se kjo sferë është e dominuar nga burrat, politikanet gra kanë qenë viktimat më të shpeshta të retorikës së papërshtatshme dhe shpesh herë seksiste. Këto dallime gjinore dhe retorika të përdorura publikisht vetëm se thellojnë pabarazinë dhe stereotipet gjinore. „Mollëkuqja” e cilëson këtë deklaratë të kryetarit të partisë “Alternativa”, Zeqirja Ibrahimi, si të papërgjegjshme, seksiste dhe të dëmshme për kauzën feministe në Maqedoninë e Veriut.
Gjuha seksiste është përdorur shpesh publikisht edhe nga politikanet gra. Kujtojmë deklaratën e ish kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifit, kur në shkurt të vitit 2022 përdori në një intervistë në TV21 gjuhë seksiste ndaj kryetarit aktual të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“Si nuset kur martohen, i vjen rëndë, Jo s’më le vjehrra, jo s’mund ta bëj këtë, jo atë. Kohët e telave kanë mbaruar. Koha e nusërimit të Bilall Kasamit ka përfunduar. Është mirë ta vesh skutaçen dhe të kapet për pune”, tha Teuta Arifi në TV21.
„Mollëkuqja” bën thirrje që personat e përfshirë në politikë pa dallim të jenë të kujdesshëm me gjuhën të cilën e përdorin, në mënyrë që rastet e tilla të mos përsëriten më. Politikanët kanë ndikim të madh te publiku dhe duhet të mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si ju drejtohen.