Menstruacionet, shtatzënia, seksi, dashuria – këto tema duhet të jenë pjesë e kurrikulës shkollore. Por Maqedonia e Veriut ende heziton, thonë ekspertët, dhe kjo ka pasoja.
Sara Saiti ishte 12 vjeç kur nisi të kërkojë në internet informacione mbi trupin dhe shëndetin riprodhues. As ajo, dhe as bashkëmoshatarët e saj në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, nuk informoheshin siç duhet gjatë orëve mësimore në lidhje me temën.
Edukimi gjithëpërfshirës seksual nuk është lëndë e posaçme në kurrikulën mësimore, prandaj dijet mbi shëndetin seksual dhe riprodhues, teorikisht duhet të mësohen në lëndën e biologjisë. Fillimisht në shkollë fillore, e më pas në të mesmen. Por në praktikë, duket se nuk funksionon siç duhet, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në disa vende të tjera të Evropës.
Tabu në shkolla: Edukimi seksual i shpërfillur
“Asokohe, kur ishim adoleshentë, erdhi koha që mësuesi të na shpjegonte se si ndodh fertilizimi i vezës dhe krijimi i fetusit. Por ajo çka na u tha ishte se ‘Për të pasur reaksion, duhet të ketë aksion’. Dhe e mbylli me kaq” – thotë për DW-në Sara, sot 19 vjeçe. I njëjti mësues, kujton ajo, i detyronte që mbi bluzën me krahë të shkurtër, vajzat të hidhnin gjithmonë supeve një xhaketë, për të mbuluar trupin.
Por duket se sikleti për mësuesit, të cilëve u duhej të shpjegonin tema të tilla, vijoi edhe më pas. “Edhe mësuesja e re na shpjegoi me shumë hezitim ciklin menstrual dhe shtatzëninë. Ishte shumë zhgënjyese, sepse ajo nuk arriti ta menaxhojë talljen e moshatarëve të mi dhe të na e normalizojë temën ” – thotë Sara.
Për djemtë e klasës, ishte e ndaluar të bënin pyetje në orët mësimore. Përgjigjja ishte: “Këto do t’i mësoni nga gruaja e ardhshme”.
Me kalimin e viteve, Sara kuptoi se shmangia e këtyre temave nuk kishte të bënte me raste të izoluara por me një fenomen që për fat të keq, konsiderohej krejtësisht normal.
“As në shkollë të mesme nuk folëm për edukimin seksual. Por kësaj here nuk kishte turp, por mosinteresim. Shumica nuk kishim interes ndaj edukimit seksual si pasojë e mbiekspozimit në internet. As diskutimet për erotikën në letërsi nuk na bënin përshtypje.”
Me informacionet e internetit, shpeshherë të pasakta dhe nga burime të paverifikuara, bashkëmoshatarët e Sarës u “përftuan” edhe për risqet që vijnë prej tij. “Më shqetësonte shumë që në mungesë të burimeve të denja, moshatarët e mi ‘shkolloheshin’ nga përmbajtjet degraduese pornografike, që krijonin pritshmëri dhe këndvështrime të dëmshme” – thotë 19-vjeçarja.
Psikologia paralajmëron për rreziqet
Sheruze Osmani Ballazhi, me profesion psikologe, thotë për DW se “në mesin e mësuesve është krijuar përshtypja se fëmijët mbrohen ose qëndrojnë larg rreziqeve nëse këto tema mbeten tabu ose nuk diskutohen”.
Por realiteti në Maqedoninë e Veriut tregon të kundërtën. “Tregon praninë e rrezikut nga marrëdhënie seksuale në moshë të hershme, shtatzëni dhe aborte në moshë të mitur, ekspozim ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, përdhunime apo marrëdhënie abuzive” – analizon Osmani-Ballazhi.
Por duket se familja dhe shkolla nuk janë të vetmet mjedise ku “të vërtetat” nuk përputhen. Një tjetër tregues gjendet tek përgjigjet e studimit të bërë së fundi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila përmes studimit të sjelljes dhe shëndetit tek nxënësit, ((Health and behavior of school-aged children), arriti në përfundimin se në Maqedoninë e Veriut 30% e djemve dhe vetëm 5% e vajzave të moshës 15-vjeçare kanë deklaruar se janë seksualisht aktivë.
Për psikologen, “kjo e dhënë është tregues për një shoqëri patriarkale, për të cilën tema e edukimit seksual është tabu. Kjo do të thotë se të rriturit, si prindërit ashtu dhe arsimtarët, nuk ndihen rehat të flasin haptas apo të trajtojnë tema që lidhen me edukimin seksual me fëmijët apo nxënësit e tyre”.
Ta lësh informimin e një teme të tillë vetëm në duart e internetit, sipas saj, është tepër e rrezikshme.
“Nëse duam të kemi të rinj të cilët janë të aftë që t’i ruajnë kufijtë personalë, të shmangin raportet abuzive por njëkohësisht të kuptojnë pasojat e mundshme nga veprimet e tyre, të kuptojnë ndryshimet që ndodhin me trupin e tyre gjatë pubertetit, atëherë duhet që nëpërmjet edukimit seksual, t’ju japim të dhëna të verifikuara shkencërisht.”
Rritje të sëmundjeve seksuale
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme janë shumë të përhapura në Maqedoninë e Veriut. Vetëm gjatë vitit 2023 janë regjistruar 159 persona të infektuar dhe 2 të vdekur, sipas Institutit të Shëndetit Publik.
Infeksioni seksual më i përhapur tek të rinjtë e moshës 20-29 vjeç është sifilisi, infeksion bakterial që mund të parandalohet nga marrëdhëniet seksuale të mbrojtura. Vetëm gjatë vitit të fundit, sipas të dhënave zyrtare, u regjistruan 60 persona të infektuar.
Një tjetër rritje problematike u shënua edhe tek të infektuarit me HIV/AIDS. Vitin e shkuar, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 50 raste, 22% më shumë se viti paraardhës.
Edhe numri i shtatzënive të paplanifikuara tek vajzat e mitura shënoi rritje, duke e renditur Maqedoninë e Veriut si shteti me numrin më të lartë të këtyre shtatzënive në Europë, në masën 11%. Ndërsa shkalla e lindjeve tek të miturat është pothuajse trefishi i mesatares së vendeve të Bashkimit Europian.
Duke iu referuar të njëjtave shifra, gjatë vitit 2023 në Maqedoninë e Veriut u regjistruan 34 raste dhune me bazë gjinore dhe përdhunimi, ndërsa në tetë muajt e parë të vitit u raportuan 1166 raste për dhunë në familje.
Zvarritje në përfshirjen e edukimit seksual në shkolla
Por pavarësisht të dhënave shqetësuese, burokracia e institucioneve kompetente e ngadalëson procesin e futjes së lëndës së edukimit gjithëpërfshirës seksual në kurrikulat shkollore.
“Vendosja e kësaj lënde, si lëndë zgjedhore është parashikuar në kuadër të reformave në arsimin fillor. Por, reformat ende nuk janë realizuar prandaj këtë vit kjo lëndë nuk do të ligjërohet në asnjë shkollë, as si lëndë zgjedhore, as si aktivitet jashtëshkollor. Aktualisht po realizojmë takime dhe trajnime me mësimdhënës të shkollave fillore, për t’i sensibilizuar ata në lidhje me këtë” – bën me dije Byroja për Zhvillim të Arsimit.
Tri vite më parë, ky institucion realizoi një program-pilot të kësaj lënde në tri shkolla fillore, për të parë si do të reagonin nxënësit në lidhje me përmbajtjen e lëndës.
“Nga rezultatet u kuptua qartë se nxënësit tek të cilët është realizuar programi, ishin më të vetëdijshëm për të drejtat e tyre, krijimit të marrëdhënieve të shëndosha, mënyrës së mbrojtjes së shëndetit të tyre dhe parandalimit të dhunës seksuale.”
Edukimi gjithëpërfshirës seksual nuk është pjesë e kurrikulës mësimore në të gjitha shtetet e Bashkimit Europian. Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara kanë përcaktuar objektiva dhe standarde të ndryshme rreth edukimit seksual që duhen përmbushur nga shtetet anëtare të BE-së.
- Artikulli fillimisht është publikuar në DW Shqip.