Dhuna ndaj grave: Të dhënat shqetësuese, institucionet nuk bëjnë mjaftueshëm

Dhuna ndaj grave është shumë prezente edhe në shoqërinë tonë, e cila fatkeqësisht ende është në luftë të madhe me fenomenin e patriarkatit. Dhuna ndaj grave dhe ajo në familje shfaqet në forma të ndryshme, si ajo verbale, psikike, duke vazhduar më pas në forma më të rënda si ajo fizike dhe në disa raste duke përfunduar edhe në vrasje. Një numër i këtyre rasteve raportohen në institucionet përkatëse ndërsa në disa raste tjera ngelet brenda mureve të shtëpisë, një nga arsyet për këtë duket të jetë joefikasiteti i institucioneve në menaxhimin e këtyre lëndëve.

Gratë janë viktimë më e shpeshtë e dhunës në familje, këtë e thonë edhe të dhënat zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme. Vetëm nga viti 2019 e deri në shtator të këtij viti numri i grave të cilat kanë qenë viktimë e dhunës në familje është 2,565 ndërkaq i burrave 631.

Sipas inspektores për dhunën në familje nga Ministria e Punëve të Brendshme e RMV-së Nermine Izairit pothuajse çdo ditë ka raste të paraqitjes së dhunës në familje, sidomos në rrethin e Tetovës dhe Gostivarit.

Numri i regjistruar i veprave penale për dhunën në familje ndaj grave në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë për këtë vit deri në shtator është 42, ndërkaq për tërë vitin 2020 ishte 80.

Kemi ligje, nuk kemi zbatim

Vedije Ratkoceri, profesoreshë universitare e të Drejtës Penale tha se Maqedonia e Veriut ka bërë mjaft nga aspekti normativ në drejtim të parandalimit të dhunës ndaj grave, por ajo çfarë mungon në vendin tonë është mungesa e përkrahjes institucionale.

“Republika e Maqedonisë së Veriut sa i përket aspektit normativ ka bërë mjaft në këtë drejtim, duke hartuar strategji për parandalim të dhunës në familje. Shteti jonë ka miratuar ligj të veçantë që nga viti 2014 për të parandaluar dhunën në familje. Ligj i ri është miratuar në janar të këtij viti dhe i njëjti ka hyrë në fuqi në maj të po këtij viti dhe është në harmonizim të plotë me Konventën e Stambollit. Ajo çfarë mungon për momentin është inkriminimi në kodin penal si vepër e veçantë e femicidit (vrasje e grave) dhe të dënohet më ashpër. Ajo çka mungon më së shumti në vendin tonë është mungesa e përkrahjes institucionale. Kjo mungesë e besimit në institucione shpesh herë i demotivon gratë që të denoncojnë dhunën, i demotivon ato që të paraqesin dhunën dhe të parandalojnë ndoshta tragjedinë që mund të pasojë më tej”

Vedije Ratkoceri

Në të njëjtën vijë është edhe Arta Selmani- profesoreshë universitare e së Drejtës Familjare e cila thekson se element shumë i rëndësishëm për parandalimin e këtij fenomeni është vetë edukimi i gjeneratave të reja, në frymën e barazisë gjinore.

Një nga propozimet për të bërë përpara në këtë drejtim do të ishte edukimi i policëve, gjegjësisht ata të cilët i pranojnë këto raste që të sillen me më shumë empati dhe mos t’i kthejnë në shtëpi gratë dhe vajzat kur denoncojnë dhunë.

Për këtë të fundit pajtohet edhe inspektorja Nermine Izairi, e cila pohoi se trajnime të tilla nuk ndodhin te ne.

“Ne jemi personat e parë të cilët takohemi me viktimën e dhunës në familje, ne jemi ato që duhet të marrim masa. Duhet të ketë bashkëpunim me të gjitha institucionet, sidomos nëse ka nevojë që viktima të strehimohet në strehimore ku Maqedonia e Veriut ka shumë pak, edhe ato që ekzistojnë janë me kapacitet të vogël”

Nermine Izairi

Në Maqedoninë e Veriut është në fuqi Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen e grave nga dhuna në familje. Përmes këtij ligji, rregullohet ndërveprimi i institucioneve gjatë marrjes së masave për parandalimin e dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe dhunës në familje, veprimi i institucioneve për mbrojtjen e grave nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje, koordinimi i ndërsjellë i institucioneve dhe organizatave, shërbimet për mbrojtjen e viktimave dhe mbledhja e të dhënave për dhunën me bazë gjinore ndaj grave dhe dhunës në familje. Shteti detyrohet të sigurojë risocializim të viktimave të dhunës, sigurim shëndetësor dhe mundësi ekonomike.

Ndryshe, nga 25 nëntori në të gjithë botën shënohet fushata 16-ditore e njohur si “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përfundon në 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka caktuar 25 nëntorin si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Të tjera