Fustani i nuses nuk e bën vajzën të rritur

Shkrim me rastin e Ditës së parë ndërkombëtare për eliminimin e martesave të fëmijëve, të hershme dhe të detyruara – 27 nëntor 2026

Sot, më 27 nëntor, bota shënon për herë të parë Ditën ndërkombëtare për eliminimin e martesave të fëmijëve, të hershme dhe të detyruara. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e shpalli këtë ditë me konsensus, më 4 shtator 2026, me iniciativë të Sierra Leones. Rastësisht apo jo, ajo bie brenda 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, dhe kjo nuk është vetëm koincidencë kalendarike, sepse martesat e hershme prekin në masë shumë më të madhe vajzat. Martesa e një fëmije është formë e dhunës me bazë gjinore: ajo i cënon vajzës të drejtën për arsimim dhe për shëndet, pavarësinë ekonomike dhe, mbi të gjitha, të drejtën për të zgjedhur vetë të ardhmen e saj.

Shpesh dëgjojmë se ky është problem i „vendeve të tjera”, mirëpo numrat në vendin tonë flasin ndryshe. Sipas Anketës me tregues të shumëfishtë (MICS 2018–2019) të Entit Shtetëror të Statistikor dhe UNICEF-it, 8% e grave të moshës 20–24 vjeç kanë hyrë në martesë ose bashkësi jashtëmartesore para moshës 18 vjeç (krahasuar me 14% në vitin 1994). Rënia është reale, por e ngadaltë dhe mesatarja fsheh pabarazi të thella:

  • te gratë rome të moshës 20–24 vjeç, kjo përqindje arrin 45%;
  • 15,5% e grave rome janë martuar para moshës 15 vjeç, kundrejt 0,3% në nivel nacional;
  • 24% e grave nga familjet më të varfra janë martuar para 18 vjeç, kundrejt vetëm 2% nga familjet më të pasura;
  • 29% e grave me arsim fillor ose pa arsim janë martuar si të mitura, kundrejt më pak se 1% e atyre me arsim të lartë;
  • 5,6% e vajzave adoleshente 15-19 vjeç janë në martesë ose bashkësi jashtëmartesore; te vajzat rome kjo shifër është 22,6%.

Këto të dhëna përfshijnë si martesat e lidhura formalisht, ashtu edhe bashkësitë jashtëmartesore, pa i dalluar ato. Ato që i shohin institucionet janë vetëm maja e ajsbergut. Enti Shtetëror Statistikor ka regjistruar 118 martesa fëmijësh në vitin 2016, ndërsa organizatat lokale vlerësojnë se numri real mund të jetë trefish më i lartë. Sipas të dhënave të Ministrisë së politikës sociale, demografisë dhe të rinisë (nga raportet vjetore të qendrave për punë sociale), vetëm në periudhën 2021–2024 janë parashtruar 278 kërkesa në gjykatë për lejimin e martesës së të miturve mbi 16 vjeç. Këtu nuk llogariten bashkësitë jashtëmartesore, të cilat as nuk regjistrohen, as nuk ndëshkohen sa duhet, madje as nuk ka mënyrë si të kontrollohen. Këto nuk janë thjesht statistika. Pas çdo përqindjeje është një vajzë që e braktisi shkollën, që u bë nënë para se të bëhej e rritur, që u bë e varur ekonomikisht dhe juridikisht nga një familje tjetër, e jo nga familja e saj, e cila ka detyrim moral dhe ligjor për të.

Ligji ynë lejon atë që Konventa e ndalon – Ligji për familjen, në nenin 16, e vendos si rregull se martesë nuk mund të lidhë personi që nuk ka mbushur 18 vjeç. Por në të njëjtin nen parashikohet edhe përjashtimi: gjykata kompetente, në procedurë jashtëkontestimore, mund ta lejojë lidhjen e martesës së personit që ka mbushur 16 vjeç, nëse vërteton se ai ka arritur pjekurinë fizike dhe psikike të nevojshme për ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve martesore, pasi të jetë marrë mendimi i institucionit shëndetësor dhe ndihma profesionale e Qendrës për punë sociale. Procedura për dhënien e kësaj leje rregullohet më tej me Ligjin për procedurën jashtëkontestimore. Me fjalë të tjera, martesa e një fëmije te ne nuk është vetëm praktikë që ndodh jashtë ligjit, ajo ka edhe rrugë ligjore për ta mundësuar të njëjtën..

Ky përjashtim është në kundërshtim me frymën dhe qëllimin e Konventës së OKB-së për të drejtat e fëmijës, e cila në nenin 1 përcakton se „me fëmijë kuptohet çdo qenie njerëzore nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të rasteve kur mosha madhore arrihet më herët, në përputhje me legjislacionin të cilit ai i nënshtrohet”. Dikush mund të thotë se pjesa e fundit e nenit 1„me përjashtim të rasteve kur mosha madhore arrihet më herët”  e „shpëton” zgjidhjen tonë ligjore. Por ja që po ua them se nuk e shpëton. Në sistemin tonë juridik mosha madhore arrihet me mbushjen e moshës 18 vjeçare. Përjashtimi nga kjo  rregull lidhet pikërisht me martesën: i mituri që lidh martesë me leje të gjykatës fiton zotësi të plotë për të vepruar. Me fjalë të tjera, fëmijën e bëjmë madhor me vendim gjyqësor dhe e bëjmë të tillë pikërisht që të mund të martohet- por biologjikisht ai mbetet fëmijë me nevojat dhe kërkesat e veta.

Këtu renditja logjike është përmbysur. Konventa i lejon shtetit të parashikojë moshë madhore më të ulët dhe, për pasojë, ta trajtojë si të rritur atë që e ka arritur atë moshë në çdo aspekt të jetës. Ne, përkundrazi, e trajtojmë fëmijën 16-vjeçar si fëmijë kudo: në shkollë, në punë e kështu me radhë. E “bëjmë” madhor vetëm në momentin kur martohet. Pra, martesa nuk lejohet sepse fëmija tashmë është i rritur; fëmija „bëhet i rritur” sepse e lejojmë të martohet. Me këtë arsyetim, çdo shtet do të mund ta shmangte mbrojtjen e Konventës thjesht duke deklaruar se martesa e bën fëmijën madhor, dhe neni 1 do të mbetej pa asnjë përmbajtje. Për këtë arsye, Komiteti i OKB-së për të drejtat e fëmijës dhe Komiteti CEDAW, në Rekomandimin e përbashkët nr. 31/18, kanë qenë të qartë: mosha minimale e martesës duhet të jetë 18 vjeç, pa përjashtime, si për vajzat, ashtu edhe për djemtë.

Nga ana tjetër, Komiteti për të drejtat e fëmijës, në vërejtjet përmbyllëse për vendin tonë në vitin 2022, i rekomandoi shtetit të ndryshojë Ligjin për familjen dhe të heqë të gjitha përjashtimet që lejojnë martesë nën 18 vjeç, si dhe të marrë masa konkrete për eliminimin e kësaj praktike, veçanërisht te komuniteti rom.

Kësaj i shtohet edhe Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit), të cilën vendi ynë e ka ratifikuar. Neni 37 i saj, „Martesa e detyruar”, kërkon që shtetet ta penalizojnë detyrimin e një të rrituri ose të një fëmije për të lidhur martesë, si dhe joshjen e dikujt jashtë vendit me qëllim që të detyrohet të martohet. Kur bëhet fjalë për një 16-vjeçare, pyetja nuk është vetëm nëse ka pasur dhunë apo kërcënim, por nëse një fëmijë mund të japë fare pëlqim të lirë dhe të plotë për martesë. Pikërisht këtu kufiri mes martesës „me pëlqim” dhe martesës së detyruar bëhet shumë i brishtë. Edhe Ligji për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje (2021) e përkufizon fëmijën si çdo person deri në 18 vjeç, ndërsa joshjen ose mashtrimin e një fëmije për të hyrë në martesë ose në bashkësi jashtëmartesore e përkufizon si martesë të detyruar, pra si formë të dhunës me bazë gjinore. Kështu, një ligj e quan dhunë atë që një ligj tjetër e lejon me vendim gjykate.

Paradoksi tjetër  juridik është edhe më i  dukshëm. Kodi Penal, në nenin 197 („Bashkësia jashtëmartesore me fëmijë”), e dënon me burgim nga tre muaj deri në tre vjet personin madhor që jeton në bashkësi jashtëmartesore me fëmijë që ka mbushur 14 vjeç, por nuk ka mbushur 18 vjeç, si dhe prindin, adoptuesin ose kujdestarin që e lejon ose e nxit këtë. Ndërkaq,bazuar në nenin 196 („Lejimi i lidhjes së martesës së palejuar”), dënohet personi zyrtar që mundëson lidhjen e martesës edhe pse i ka ditur pengesat ligjore për shkak të të cilave martesa është e ndaluar ose nule. Megjithatë, kur gjykata jep leje për martesën e një fëmije 16 vjeç, pengesa ligjore e moshës thjesht „zhduket”  dhe e njëjta marrëdhënie që si bashkësi jashtëmartesore do të ishte vepër penale, bëhet martesë e ligjshme. E njëjta vajzë 16-vjeçare është viktimë kur jeton pa kurorë, por „mjaftueshëm e pjekur” kur kurora bëhet me vendim gjykate.

Organizatat e shoqërisë civile paralajmërojnë edhe për një standard të dyfishtë tjetër: lejet nganjëherë jepen më lehtë kur kërkesat arsyetohen me „traditë dhe kulturë”. Por tradita nuk mund të jetë kurrë arsye ligjore për ta privuar një fëmijë nga mbrojtja që i takon çdo fëmije tjetër. Interesi më i mirë i fëmijës nuk ka përkatësi etnike.

Dhe ta themi hapur: në shumicën e rasteve, „pëlqimi” i një 16-vjeçareje nuk është zgjedhje e lirë, por rezultat i varfërisë, i braktisjes së shkollës, i shtatzënisë së hershme ose i presionit familjar. Detyra e ligjit nuk është ta vërtetojë këtë realitet, por ta ndryshojë, madje edhe ta ndalojë. Nga ana tjetër detyra jonë është të bëjmë presion për këto ndryshime urgjente, ligjore dhe institucionale:

  • Heqja e përjashtimit nga neni 16 i Ligjit për familjen dhe vendosja e moshës 18 vjeç si kufi absolut, pa asnjë përjashtim, siç kanë bërë tashmë një numër i konsiderueshëm legjislacionesh evropiane.
  • Harmonizimi i Ligjit për familjen me Kodin Penal, që i njëjti fëmijë të ketë të njëjtën mbrojtje, pavarësisht formës së bashkësisë.
  • Të dhëna të besueshme dhe të ndara sipas moshës, gjinisë, komunitetit dhe rajonit – edhe për bashkësitë jashtëmartesore, jo vetëm për martesat e regjistruara.
  • Parandalim përmes shkollës: ndjekje e rasteve të braktisjes së shkollës nga vajzat, bashkëpunim i shkollave, qendrave për punë sociale dhe policisë.
  • Trajnim i gjyqtarëve, prokurorëve, policisë dhe punonjësve socialë, që asnjë raportim për bashkësi me të mitur të mos refuzohet si „çështje familjare” ose „traditë”.

Dita e sotme nuk duhet të mbetet vetëm një datë në kalendar. Ajo është ftesë për ta pyetur veten si shoqëri dhe si sistem juridik: a e mbrojmë vërtet fëmijën, apo vetëm e rregullojmë procedurën me të cilën ai pushon së qeni fëmijë?

Asnjë vajzë nuk duhet të detyrohet në martesë. Çdo vajzë ka të drejtë të jetë e sigurt, të mësojë dhe të zgjedhë vetë të ardhmen e saj.

Të tjera