Bashkëjetesa ndëretnike nuk matet vetëm me faktin se komunitetet jetojnë pranë njëri-tjetrit, por edhe me shkallën e respektit, barazisë dhe mundësive që kanë në shoqëri. Për komunitetin rom, paragjykimet dhe diskriminimi shpesh mbeten të normalizuara në jetën e përditshme, ndërsa gratë dhe vajzat rome përballen me barriera të ndërthurura që lidhen me përkatësinë etnike, gjininë dhe pozitën sociale.
Për këto çështje dhe të tjera, Mollëkuqja bisedoi me Senada Sali, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe avokate , e cila për më shumë se një dekadë është angazhuar në përfaqësimin strategjik të rasteve të shkeljes së të drejtave të romëve në të gjithë Evropën. Sot, puna e saj është e përqendruar më shumë në barazinë gjinore dhe të drejtat riprodhuese.
Sali flet për mënyrën se si ‘antigjipsizmi’ është normalizuar në shoqëri, për nevojën që gjuha dhe identiteti rom të respektohen, si dhe për pabarazitë me të cilat përballen gratë rome në arsim, punësim, shëndetësi dhe pavarësi ekonomike. Ajo ndalet edhe te rëndësia e përfaqësimit të grave rome në jetën publike, duke theksuar se dukshmëria nuk është e njëjtë me ndikimin dhe se gratë rome duhet të jenë pjesë e vendeve ku merren vendimet dhe përcaktohen politikat.
Në këtë bisedë, Sali thekson gjithashtu se ndërtimi i urave mes komuniteteve nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e romëve, por duhet të ndërtohet nga të dyja anët. Institucionet, sipas saj, duhet të luftojnë segregimin në arsim, të krijojnë mundësi reale për arsimim dhe punësim të vajzave rome, të garantojnë qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore dhe të ndryshojnë mënyrën se si gratë rome paraqiten në shoqëri dhe media.
Nga përvoja juaj si aktiviste dhe juriste, si e vlerësoni bashkëjetesën mes komunitetit rom dhe komuniteteve të tjera në Maqedoninë e Veriut? Ku mendoni se ende ekzistojnë barriera që pengojnë bashkëjetesën më të barabartë dhe më të afërt?
Sa i përket bashkëjetesës, përvoja ime personale është pozitive. Jam rritur me maqedonas dhe shqiptarë, i flas edhe maqedonishten edhe shqipen dhe për mua kjo është pjesë e natyrshme e jetës në Maqedoni. Por mendoj se ekziston një dallim mes të jetuarit pranë njëri-tjetrit dhe të perceptuarit vërtet si të barabartë.
Te romët, një nga barrierat është se ‘antigjipsizmi’ është aq i normalizuar sa ndonjëherë as nuk njihet më si racizëm. Kjo shihet më së miri në gjuhën e përditshme. Fjala ‘cigan’ përdoret si fyerje edhe kur nuk bëhet fare fjalë për romët. Dikush ka hedhur mbeturina – ‘punë cigani’. Dikush është sjellë në mënyrë të pakulturuar, përdoret e njëjta fjalë. Më ka ndodhur të hyj në një taksi dhe shoferi, pa e ditur se jam rome, të më tregojë për një ‘cigan’ që e kishte nervozuar.
Kur reagoni, përgjigjja shpesh është: “Nuk mendova asgjë të keqe” ose “Unë nuk kam asgjë kundër romëve”. Besoj se shumë njerëz vërtet nuk janë të vetëdijshëm për peshën e këtyre fjalëve. Por pikërisht ky është problemi. Racizmi nuk pushon së qeni racizëm vetëm sepse jemi mësuar me të.
E njëjta gjë vlen edhe për gjuhën rome. Romët në vend flasin maqedonisht, ndërsa shumë prej tyre edhe shqip ose turqisht, varësisht nga mjedisi. Por gjuha rome ende imitohet ose përqeshet. Nuk pres që të tjerët ta mësojnë gjuhën time. Pres që ta respektojnë.
Për mua, bashkëjetesa nuk është vetëm tolerancë. Ajo nënkupton respekt të ndërsjellë dhe dinjitet të barabartë.
Kur flasim për gratë dhe vajzat rome, si ndikojnë njëkohësisht paragjykimet mbi baza etnike dhe stereotipet gjinore në mundësitë e tyre për arsimim, punësim, pavarësi dhe pjesëmarrje në shoqëri?
Gratë rome nuk janë një grup homogjen dhe nuk dua t’i paraqesim vetëm si gra të cenueshme apo viktima. Por të dhënat tregojnë qartë se shumë gra rome përballen me pabarazi që ndërthuren, për shkak të gjinisë, përkatësisë etnike dhe shpesh edhe pozitës sociale. Kjo është diskriminim ndërsektorial dhe nuk është vetëm një koncept teorik.
Për shembull, hulumtimi i Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore në dhjetë vende evropiane tregoi se vetëm 28 përqind e grave rome të moshës 20 deri në 64 vjeç ishin të punësuara me pagesë, krahasuar me 58 përqind të burrave romë. I njëjti hulumtim vlerëson se gratë rome, mesatarisht, jetojnë 11 vjet më pak se gratë në popullatën e përgjithshme.
Për mua, këto shifra janë të rëndësishme sepse tregojnë se pabarazia nuk matet vetëm me faktin nëse dikush i ka formalisht të drejtat. Ajo shihet në punë, të ardhura, shëndet dhe, në fund, madje edhe në jetëgjatësi.
Arsimi është veçanërisht i rëndësishëm. Në rastin “Elmazova” dhe të tjerët kundër Maqedonisë së Veriut“, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi diskriminim për shkak të segregimit të nxënësve romë në shkolla dhe paralele në Manastir dhe Shtip. Gjykata ishte e qartë se nuk është e nevojshme të ekzistojë qëllim diskriminues që të ketë diskriminim, i rëndësishëm është edhe efekti që krijon sistemi.
Kjo është thelbësore. Nuk mund t’i ndajmë fëmijët në moshën gjashtë apo shtatëvjeçare dhe më pas, si të rritur, të presim që ata vetë t’i kapërcejnë paragjykimet dhe distancën mes komuniteteve.
Te vajzat, arsimi është i lidhur ngushtë edhe me pavarësinë ekonomike dhe autonominë riprodhuese. MICS 2018–2019 tregoi se 28 përqind e grave të moshës 20 deri në 24 vjeç në vendbanimet rome kishin lindur para moshës 18-vjeçare, krahasuar me rreth 4 përqind në popullatën e përgjithshme.
Por këtë shifër nuk duhet ta lexojmë si dëshmi për ndonjë “traditë rome”. Duhet të pyesim se çfarë zgjedhjesh ka realisht një vajzë nëse e braktis herët arsimin, nuk ka perspektivë për punësim dhe pavarësi ekonomike ose nuk ka qasje në informacione dhe shërbime për shëndetin seksual dhe riprodhues.
Nga perspektiva ime e tanishme profesionale, të drejtat riprodhuese janë pikërisht kjo: që gruaja të mund të vendosë lirshëm dhe në mënyrë të informuar për trupin dhe jetën e saj dhe të ketë qasje në kujdes shëndetësor cilësor, pa diskriminim.
Prandaj, pyetja nuk është “çfarë nuk shkon me gratë rome?”, por çfarë në sistem krijon mundësi kaq të ndryshme jetese për to.
A mendoni se gratë dhe vajzat rome sot kanë më shumë hapësirë për t’u dëgjuar dhe për të marrë pjesë në jetën publike, përfshirë aktivizmin, angazhimin profesional dhe vendimmarrjen? Cilat pengesa ende i mbajnë jashtë këtyre hapësirave?
Po, hapësira është më e madhe se më parë. Sot shohim më shumë gra rome të arsimuara, profesioniste, aktiviste dhe gra të reja që flasin publikisht në emër të tyre.
Por dukshmëria nuk është e njëjtë me ndikimin. Për mua, pyetja e vërtetë nuk është vetëm nëse ka një grua rome në një konferencë, panel apo grup pune. Pyetja është nëse gratë rome janë aty ku merren vendimet, ku përcaktohen buxhetet, hartohen politikat dhe vendosen prioritetet.
Gjithashtu, është e rëndësishme që gratë rome të mos njihen si eksperte vetëm kur tema janë romët. Unë jam Rome, por ekspertiza ime profesionale nuk kufizohet nga përkatësia ime etnike. E njëjta gjë vlen për çdo grua tjetër rome. Ajo mund të jetë eksperte në drejtësi, mjekësi, ekonomi, arsim, teknologji ose në cilëndo fushë tjetër.
Për mua, ky është niveli tjetër i barazisë: jo vetëm të na jepet hapësirë për të folur për diskriminimin që përjetojmë, por njohuritë dhe kompetencat tona profesionale të njihen edhe jashtë “temave rome”.
Nga ana tjetër, dukshmëria e grave rome të suksesshme ka rëndësi për vajzat. Kur një vajzë sheh një mjeke, juriste, profesoreshë, gazetare rome ose një grua rome që merr vendime, ajo merr një mesazh shumë të thjeshtë, por të rëndësishëm: edhe unë mund të jem aty.
Prandaj, hapi i ardhshëm nuk është vetëm përfaqësim më i madh. Është kalimi nga prania në ndikim real.
Çfarë roli mund të kenë gratë dhe vajzat rome në ndërtimin e urave mes komuniteteve dhe në promovimin e bashkëjetesës ndëretnike? Dhe çfarë duhet të bëjnë institucionet dhe shoqëria për t’ua mundësuar këtë rol?
Gratë rome mund të jenë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të urave, por nuk do të doja t’u vendosnim edhe një përgjegjësi tjetër, që ato të rregullojnë bashkëjetesën mes komuniteteve. Ndërtimi i urës ka kuptim vetëm nëse ajo ndërtohet nga të dyja anët.
Institucionet, sipas meje, duhet të bëjnë disa gjëra konkrete.
Së pari, ta ndërpresin segregimin në arsim. Pas aktgjykimit “Elmazova”, kjo nuk është më çështje vullneti të mirë, por detyrim i shtetit.
Së dyti, të krijojnë kushte që vajzat rome të qëndrojnë në arsim cilësor dhe më pas të kenë qasje reale në punësim dhe pavarësi ekonomike.
Së treti, sistemi shëndetësor duhet të sigurojë qasje të barabartë në kujdes shëndetësor seksual dhe riprodhues cilësor, jo vetëm si e drejtë formale, por si shërbim që gruaja realisht mund ta marrë, duke respektuar dinjitetin dhe autonominë e saj.
Dhe së fundi, duhet të ndryshojë mënyra se si flasim për gratë rome. Nëse mediat i paraqesin vetëm përmes varfërisë, martesave të hershme, familjeve me shumë fëmijë ose diskriminimit, atëherë edhe kur qëllimi është i mirë, krijohet një imazh njëdimensional.
Por gjithashtu nuk dua të shkojmë në ekstremin tjetër dhe të paraqesim vetëm “gra rome të suksesshme” si dëshmi se problemi është zgjidhur.
Një grua rome nuk duhet të jetë juriste, mjeke apo profesoreshë që të meritojë respekt. Gruaja që nuk ka diplomë, që është e papunë ose që jeton në varfëri ka të njëjtën të drejtë për dinjitet.
Kjo, për mua, është thelbi: të krijojmë një shoqëri në të cilën gratë rome nuk do të duhet as ta fshehin identitetin e tyre, as të jenë të jashtëzakonshme për t’u trajtuar si të barabarta.



