Libra. Foto: Federico Bonamino në Canva
Libra. Foto: Federico Bonamino në Canva

Lea Ypi, Arlinda Baftiu dhe fuqia e artit për të bashkuar atë që politika ka ndarë

Lea Ypi mori çmimin “BookStar 2026” në Shkup, dhe në sallë ishin njerëz nga komunitete të ndryshme etnike, të bashkuar rreth së njëjtës vepër. Pak javë më vonë, tetë poetë shqiptarë e maqedonas u ulën në të njëjtën skenë për “Ndërmjet dy vargjeve”. Në qendër të të dy nismave ishin dy gra, Lea Ypi dhe Arlinda Baftiu si bashkëorganizatore. 

“Të lirë”, ishte libri me të cilin u vlerësua shkrimtarja dhe filozofja shqiptare, Lea Ypi. Ajo lirinë e trajton jo vetëm si të drejtë individuale, por edhe si përgjegjësi morale dhe si pyetje se si ndërtohen vetë shoqëritë.

Arti si “urë lidhëse” mes komuniteteve

Prania e Ypit në Shkup solli në sipërfaqe edhe diçka tjetër. Mundësinë që kultura të hapë hapësira ku njerëzit takohen përtej identiteteve që zakonisht i ndajnë.

Në një shoqëri ku shqiptarët dhe maqedonasit shpesh jetojnë në atë që mund të quhet dy realitete paralele, arti mbetet një nga pak vendet ku këto realitete kryqëzohen.

“Është e rëndësishme për mua, të paktën, që ky vlerësim në këtë ambient të kulturës dhe letrave është një vlerësim që më bën të mendoj që ka aq shumë hapësira ku ne mund të bashkëpunojmë përtej nacionalizmit, përtej limiteve ideologjike dhe ku mund të luftojmë për lirinë dhe për integritetin”, tha Lea Ypi gjatë një interviste për Portalb.mk.

“Njohja e lirisë kolektive, njohja e identitetit, e gjuhës, e gjërave që na bëjnë bashkë, nuk është kërcënim për tjetrin. Në fakt, është një pasuri për një shoqëri”, shtoi ajo. 

Deklarata e saj lidhet drejtpërdrejt me temën e librit “Të lirë”, ku liria trajtohet si përgjegjësi që ndahet mes individit dhe shoqërisë.

Tetë poetë, dy gjuhë, një skenë

Nëse në Shkup njerëzit u mblodhën rreth librit të një autoreje shqiptare, një nismë tjetër e kohëve të fundit e solli këtë bashkim edhe më afër. “Ndërmjet dy vargjeve” ishte një lexim poetik ku në të njëjtën skenë u takuan tetë poetë, shqiptarë e maqedonas.

Poezia, në këtë rast, nuk ishte vetëm ajo që lexohej. Ishte edhe arsyeja pse njerëzit u mblodhën në të njëjtën sallë.

Arlinda Baftiu, poete dhe gazetare, ishte pjesë e organizimit të eventit. Sipas saj, nisma të tilla kanë rol të drejtpërdrejtë në uljen e distancës mes komuniteteve.

“Ngjarje të tilla gjithmonë e zvogëlojnë hendekun e tjetërsimit të tjetrit. Organizime të tilla kanë dëshmuar rëndësi të madhe në njohjen më të mirë, dialogun kulturor dhe përmirësimin e komunikimit mes të rinjve që jetojnë brenda një hapësire të përbashkët”, thotë Baftiu.

Për të, kjo nuk mbetet vetëm çështje kulturore, por një formë diplomacie, aq më e nevojshme në një shoqëri ku sektorë të tjerë shpesh nuk arrijnë të ndërtojnë ura të qëndrueshme.

“Arti është gjuhë universale, dhe vetëm kur jemi në iniciativa të tilla të përbashkëta e kuptojmë se ndajmë të njëjtat brenga dhe pikëpyetje”, thotë ajo.

Sipas Baftiut, nisma të tilla dikur ishin më të shpeshta, kryesisht si projekte të mbështetura nga komuniteti ndërkombëtar.

“Sot duhet të jenë të pranishme dhe pjesë e kulturës së përditshme. Skenat kulturore ende mbeten të ndara si me thikë, dhe kjo përbën problematikë në një shoqëri që duhet të bashkëjetojë”, thotë ajo. 

Fjalët e saj tregojnë se megjithatë distanca mes komuniteteve në fushën e kulturës mbetet, ende, një çështje e pazgjidhur.

Njohja e njëri-tjetrit përmes krijimtarisë

Andrej Mediq, poet dhe profesor i letërsisë, konsideron se takimi i artistëve të rinj nuk është vetëm shkëmbim kulturor, por një mënyrë për ta njohur tjetrin përmes krijimtarisë.

“Letërsia, ashtu si e gjithë kultura në përgjithësi, ka një mundësi të madhe për afrimin e artistëve të rinj nga komunitete të ndryshme. Nismat kulturore ndihmojnë që të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin, të njohim artin që krijojmë dhe, në përgjithësi, të njihemi më mirë mes vete si artistë të rinj dhe aktivë”, thotë Mediq.

Kjo ishte edhe një nga arsyet pse u organizua “Ndërmjet dy vargjeve”.

“Ngjarja pati një dukshmëri të mirë, një atmosferë të bukur dhe një pjesëmarrje të madhe. Është e rëndësishme sepse përfaqëson një hap përpara drejt organizimit të përbashkët të ngjarjeve dhe njohjes së ndërsjellë”, thotë ai.

Sipas Mediqit, qëllimet e tyre nuk përfundojnë me këtë event.

“Ideja jonë është të organizojmë sa më shumë ngjarje ku do të marrin pjesë artistë nga të gjitha komunitetet”, thotë ai.

Maqedonia e Veriut nuk është pa shembuj të bashkëpunimit kulturor. Edhe pse në numër jo të madh, ekzistojnë festivale dhe ngjarje letrare që prej vitesh mbledhin autorë, poetë dhe artistë nga komunitete të ndryshme.

Ditët e Naimit, Festivali i Poezisë në Shkup, Dobri Gosti dhe Mbrëmjet Strugane të Poezisë janë disa prej hapësirave ku letërsia tejkalon gjuhën dhe përkatësinë etnike dhe krijuesit takohen rreth asaj që kanë të përbashkët, artit.

Të tjera