Foto: Pexels
Foto: Pexels

Maqedonia e Veriut, mbi 200 ankesa për diskriminim në gjashtë muajt e parë të vitit

Qindra qytetarë kanë trokitur në dyert e Komisionit për Antidiskrimimim në gjashtë muajt e parë të vitit 2026. Shumica me pretendime se janë diskriminuar për shkak të përkatësisë etnike, ndaj tyre janë përdorur terme ofenduese dhe nënçmuese, kryesisht përderisa kanë qenë në orar apo në vendin e punës. 

Një në katër prej gjithsej 208 parashtresave për diskriminim gjatë 6 muajve të para të vitit kanë pasur si bazë etninë. Por jo vetëm. 

Të dhënat e Mollëkuqja tregojnë se në Maqedoninë e V. ende përdoret gjuhë dhe veprime të urrejtjes ndaj dikuj vetëm për shkak të prejardhjes sociale, ngjyrës së lëkurës, racës, identitetit gjinor dhe orientimit seksual. 

Kryesisht, apo 47% e denoncuesve raportojnë se diskriminimi ndaj tyre ka ndodhur në vendin e punës. Është diskriminuar mbi 22 baza ndërs në 32 raste është konstatuar se ka pasur diskriminim. 

Mollëkuqja përgatiti një infografik për këtë. 

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Mollëkuqja.mk
Ilustrim: Fisnik Xhelili/Mollëkuqja.mk

Komisioni që supozohet të parandalojë dhe ndëshkojë diskriminimin me kompetenca të limituara

Kryesisht çfarë ka në dorë ky komision është monitorimi dhe rekomandimi. Çdo qytetar ka të drejtë të parashtrojë ankesë ndërsa komisioni duhet që në afat prej 60 ditëve të jep mendim, nëse konstatohet shkelja, rekomandon mënyrën e heqjes së shkeljes.

Personi apo institucioni i cili e ka kryer shkeljen, përkatësisht ka diskriminuar, ka afat prej 30 ditëve ndërsa deri në 6 muaj nëse ka arsye të fuqishme që të zbatojë rekomandimin. 

Vetëm nëse ky rekomandim nuk zbatohet, komisioni mund të parashtrojë kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse tek një organ tjetër i cili nuk është nën Komisionin për Antidiskriminim por nën Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. 

Gjobat që mund t’i parashtrojë ky komisioni shkojnë nga 400 deri në 5 mijë euro. 

Ka vërrejtje serioze për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Antidiskriminim 

Anëtarët e Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi zgjidhen nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Rrjedhimisht, shpesh herë, rol më të madh në pëzgjedhjen e tyre ka pasë ngjyrimi politik, dhe jo aftësitë reale apo përvoja. 

Kujtojmë intervistën virale të Xhihan Ahmed, e cila në fillim të këtij viti u nominua për anëtare ndërsa nuk ia kishte idenë për Konventën e Stambollit, kur u pyet për këtë, ajo foli për Stambollin dhe periudhën e Ataturkut. 

Ajo megjithatë pas reagimeve publike reflektoi dhe dha dorëheqje. 

Pak muaj më parë, Mollëkuqja zbuloi se Koalicioni VLEN kishte vendosur të emërojë si anëtarë të këtij komisioni gazetarin Ismail Sinani, i cili në paraqitjet e tij publike kishte shprehur qëndrime kundër feminizmit dhe komunitetit LGBTQ+. 

Reagimit të Mollëkuqja u bashkëngjitën edhe Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi si dhe organizatat tjera joqeveritare të cilat njëzëri kërkonin deputetët të mos e votojnë Sinanin si anëtarë të këtij komisioni. 

Por megjithatë zëri qytetar nuk u dëgjua ndërsa sot Ismail Sinani është anëtar i këtij komisioni. Theksojmë se për këtë janë alarmuar edhe institucionet ndërkombëtare, marrë parasysh përkrahjen e vazhdueshme të tyre për liri dhe barazi në Maqedoninë e Veriut. 

Përndryshe, që diskriminimi dhe gjuha e urrejtjes mbi baza etnike është mjaft e pranishme në vend e tregojnë edhe të dhënat nga regjistri i gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut. Nga shkurt 2012 deri në qershor 2026 në këtë regjistër janë regjistruar 1690 raste të gjuhës së urrejtes mbi baza etike. Vetëm gjysmën e parë të këtij viti janë regjistruar 76 raste.

Të tjera