Për të vërtetuar përmbajtjen mjaltës për ereksion ose ‘potencë në marrëdhënie seksuale’ të cilat janë të ndaluara me ligj nëse nuk kanë tiketa, ekipi i emisionit Inside21 bëri punën e inspektorateve. Morëm disa nga produktet dhe i dërguam në laborator.
“Ndërkohë në Qendrën e Shëndetit Publik në Kumanovë, si një nga pikat më voluminoze në të cilën mostrat i sjellin nga Dogana e Tabanocës për të provuar cilësinë e ushqimit, ne erdhëm që të bëjmë analizën e disa prej produkteve, të cilat janë të dyshimta që shiten në treg të zi, por edhe të atyre të ambalazhuara”, ka raportuar gazetari i TV21, Adnan Qaili.
Në njërën nga institucionet shëndetësore publike më të besueshme në vend, mostrat e produkteve, siç pretendohet në paketim se janë mjaltë, i vendosëm në analiza të detajuara laboratorike. Bioteknologu ushqimor Halil Ibrahimi, bëri ekzaminimin laboratorik të këtij lloji të mjaltit stimulues erektil.
“Atëherë atë mostrën që e sollët ju për analizë, mund ta shikojmë edhe grafikisht që gjendet këtu ne kompjuter. Në bazë të këtij ekzaminimi ne vijmë në përfundim që posedon një substancë që ka të bëjmë me ‘Sildenafil’. Ajo është një substancë kimike, e cila gjendet edhe te produktet e Viagras kështu që nëse kjo substancë e pranishme nuk merret pa kontrollin e mjekut ka rrezikshmëri të lartë për të pasur problem me sëmundjet kardiovaskulare”, tha Halil Ibrahimi – inxhinier i bioteknologjisë së ushqimit.
Doktori Bedri Veliu tha se përdorimi i substancave stimulative seksuale shkaktojnë një sërë problemesh në organizëm. Sipas tij, varësisht nga mosha e përdoruesve dhe vitaliteti i tyre janë të ndaluara rreptësishtë për personat me shëndet të komprometuar.
“Për pasojat që ndodhin prej këtyre preparateve të ndryshme, së pari janë të dëmshme për organizmin që shkaktojnë anemi, dëmtim të mëlçisë, por janë edhe kancerogjene. Ato materje stimulative direkt ndikojnë në zgjerimin e enëve të gjakut, shkaktojnë rritje të tensionit të gjakut, shaktojnë marramendje dhe disa simptome akute momentale që janë, mirëpo në afat të gjatë mund të shkaktojnë sëmundje të zemrës, veshkëve edhe sëmundje të kardiovaskular dhe ato persona që i konsumojnë janë të rrezikuar”, u shpreh Bedri Veliu – doktor specialist.
Për këtë problematikë Agjencia Zvicerrane e Barnave “Swiss-Medic” ka publikuar një platformë me një gamë produktesh të konfiskuara në treg të zi, të cilat ilegalisht kanë depërtuar edhe në shtetin helvetik. Janë po të njëjtat produkte me origjinë nga Kina, India, Nepali, Pakistani dhe Turqia, të cilat janë analizuar nga laboratorët më të sofistikuata zvicerrane, ku rezultojnë se këto produkte që po shihni në tabelë përmbajnë substanca të padeklaruara në paketim, rezultojnë me substancën identike të Viagras.