Masat urgjente dhe të përkohshme: Si mund të mbrohen viktimat e dhunës me bazë gjinore?

Nga numri i përgjithshëm i viktimave të dhunës në familje që kanë kërkuar masa mbrojtëse të përkohshme, rreth 80% prej tyre u është miratuar masa e tillë. Kjo masë ka për qëllim që të mbrojë viktimën e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore nga dhuna aktuale që po përjeton dhe parandalimi i dhunuesit që të vazhdojë të kryejë dhunë. Por, fatkeqësisht nuk ka të dhëna nëse këto masa respektohen nga kryerësit e dhunës në familje, thotë Ana Avramosvka – këshilltare juridike në Rrjetin Nacional të Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.

“Aktualisht nuk kemi të dhëna statistikore se sa masa janë shqiptuar dhe sa kallëzime janë bërë për procedim penal për shkeljen e tyre. Gratë që kanë masa aktive të përkohshme të mbrojtjes vijnë në qendrën tonë të këshillimit dhe disa prej tyre kanë shkelje të tyre. Pra, procedurat përkatëse janë duke u zhvilluar përmes prokurorisë publike kompetente. Kemi një rast kur kryesi ka shkelur masën e përkohshme dhe me aktgjykim të formës së prerë është dënuar me masë alternative të kushtit me mbikëqyrje mbrojtëse dhe tani përsëri për të njëjtën vepër për shkak se ka shkelur masën e përkohshme, procedura po zhvillohet para një gjykata penale kompetente.”

Sikurse edhe respektimi i masave të përkohshme, edhe çështja e efektivitetit të tyre mbetet çështje e cila varet nga rasti në rast, por Ana thotë se me shqiptimin e këtyre masave shohim të dy anët e medaljes. Sipas saj, në disa raste, duket se edhe vendosja e masave të përkohshme arrin qëllimin për mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e dhunës në të ardhmen. Në raste të tjera, ato kanë rezultuar të pamjaftueshme, ndaj ndërmerren veprime shtesë për mbrojtjen e viktimës, si fillimi i procedimit penal apo kërkesa për zgjatjen e masave të përkohshme.

Nga ana tjetër, avokatja Marta Gusar e cila merret me raste të dhunës në familje, thotë se masat janë efektive por mungon kontrolli se këto masa po zbatohen nga kryerësit e dhunës nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Masat janë efektive por pjesa kur Ministria e Punëve të Brendshme duhet të kryen kontroll nëse masat po respektohen apo jo, nuk realizohet siç duhet sepse Ministria nuk kryen kontrolle të rregullta. Nga Qendra për Punë Sociale janë të sigurtë që këto kontrolle kryhen por jo siç e parasheh ligji, në mënyrë të vazhdueshme. Kontrollet duhen bërë në mënyrë periodike dhe të vazhdueshme e jo një herë në tre apo katër muaj. Kjo periudhë është shumë e gjatë dhe viktima në disa raste mund as të mos jetë e vetëdijshme që po shkelen masat.”

Qëllimi kryesor i masave emergjente dhe të përkohshme është mbrojtja e viktimës së dhunës në familje dhe e dhunës me bazë gjinore nga dhuna aktuale që po përjeton dhe parandalimi i dhunuesit që të vazhdojë të kryejë të njëjtën gjë. Prandaj është e një rëndësie të veçantë që sa më shumë viktima të mbrohen përmes masave të përkohshme të cilat Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje në nenin 58. Tabela në vijim paraqet numrin e kërkesave të parashtruara dhe numrin e kërkesave të miratuara dhe të siguruara nga Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.

Në drejtimin për të mbrojtur viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, Ligji për mbrojtjen dhe parandalimin nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje parasheh dy lloje të masave, masat urgjente dhe masat e përkohshme. Ana Avramoska bën për “Mollëkuqja” dallimin mes këtyre dy masave.

“Masat urgjente janë ato masa që MPB-ja i propozon gjykatës për mbrojtjen e menjëhershme të viktimës, d.m.th në ato raste kur ekziston një kërcënim i menjëhershëm për jetën dhe integritetin fizik dhe psikologjik të viktimës dhe anëtarëve të familjen e saj. Për caktimin e këtyre masave nuk është i nevojshëm pëlqimi i viktimës. Kohëzgjatje e tyre mund të jetë nga 10 deri në 30 ditë. Gjykata duhet të vendos për miratimin e tyre jo më vonë se brenda 24 orëve. Kurse masat e përkohshme propozohen nga Qendra kompetente për Punë Sociale, me pëlqimin e viktimës por edhe vetë viktima mund të paraqes propozim deri në gjykatë civile. Masat e përkohshme mund të shiqptohen për periudhën tre mujore me mundësi vazhdimi deri në një vit. Pas marrjes së propozimit gjykata duhet të vendos jo më vonë se brenda 7 ditësh.”

Me qëllim ndalimin e dhunës, eliminimin e pasojave të dhunës së kryer dhe marrjen e masave efektive ndaj autorit të dhunës, si dhe për eliminimin e shkaqeve të përsëritjes së dhunës, këto masa përfshijnë disa ndalime dhe detyrime për autorët, si ndalime: të mos kërcënojë, malltretojë, ngacmojë, të telefonojë, të kontaktojë ose të mos komunikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me viktimën, të mos i afrohet 100 metra vendbanimit, shkollës, vendit të punës ose një vendi të caktuar që viziton rregullisht viktima, ndalimi i mbajtjes së armëve të zjarrit ose armëve të tjera ose konfiskimi i tyre, si dhe detyrimet për kthimin e sendeve të nevojshme për plotësimin e nevojave ditore të viktimës dhe familjes së saj.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera