Foto: Rubi Salgado në Canva
Foto: Rubi Salgado në Canva

Nga fjalët te realiteti: Ku ngec barazia gjinore?

Jetojmë në epokën ku fjala “barazi” ka filluar që në një mënyrë të hovshme të mbizotrojë, të pushtojë podiumet politike, të lexohet në deklarata institucionale dhe të shpërndahet masivisht si një slogan e simbol progresi.

Shoqëria moderne krijon përshtypjen se kjo betejë për barazi gjinore është fituar, por derisa shohim realitetin të cilin e jetojmë me një sy më kritikues dhe iluzionin të cilin ne e kemi krijuar në mendjet tona, përplasen fortë njëra me tjetrën.

Barazia gjinore është shndërruar në një dekor publik, në teori të thella e nisma organizative, por që në realitet përplaset me paragjykimet e mëdha që vazhdojnë ende të mbajnë gruan në prangat e barazisë. Shoqëria jonë “moderne” ka filluar të duartrokasë gratë të cilat kanë sjellur revolucion në shoqëri, por ende me një ashpërsi të madhe i gjykon ato. Promovon vajza dhe u premton të drejtën e realizimit të ëndrrave të lira, por në momentin që rrugëtimi i tyre fillon për të realizuar ëndrrat, përballen me kufizime dhe paragjykime nga me te ndryshmet.

Sa më shumë që ne flasim për barazi, aq më shumë hasim mungesën reale të saj. Në shumë institucione zyrtare paraqet vetëm një statistikë ideale për të përmbushur imazhin progresiv. Gruaja është ajo viktimë e pabarazisë gjinore, që përjeton pabarazi ekonomike dhe profesionale, ndërsa në jetën e përditshme gratë mbajnë mbi supe barra që rrallëherë vendosen mbi burrat.

Gati se gjithmonë gruaja është e diskriminuar me maskim e kamoflim te fjalëve si “kujdes” dhe “mbrojtje”. Por, realisht, shoqëria jonë me këtë veprim fillon të normalizojë pabarzinë e diskriminimin duke i konsideruar gratë si qënie që duhet gjithmonë të jenë nën kujdesin dhe mbrojtjen e burrave.

Konkretisht, barazia gjinore nuk paraqet një luftë për zotrim force apo autoriteti në mes të burrave dhe grave, por është përpjekje për të trajtuar qënien njerzore në mënyrë të barabartë pa dallim gjinie. Një shoqëri që pengon dhe ndalon emancipimin e grave, ajo shoqëri po ndalon zhvillimin e saj.

Prandaj, nuk është e rëndësishme më se sa prej nesh guxojnë të flasin për barazinë gjinore, por sa prej nesh arrijnë që ta vendosin në zbatim atë. Historia nuk ndërtohet me fjalime, por me veprime. E derisa barazia gjinore të vazhdojë të jetë një slogan dhe narrativ, shoqëria jonë do vazhdojë të jetë me pretekstin e të folurit për drejtësi, ndërsa në vete toleron pabarazinë.

Të tjera