Fitoi disa çmime në karate, flet Janina Dardhishta: Motiv e kam mamin, ishte kampione në vitet e 90-ta

Janina Dardhishta është karateiste e re në moshë por që ka fituar shumë çmime. Ky sport jo aq i zakonshëm për vajzat në Ballkan e kishte tërhequr atë që në fëmijëri, marrë parasysh faktin që nëna e saj ka qenë kampione shtetërore dhe evropiane e karatesë në vitet e 90-ta.

Nëna i ‘trashëgoi’ Janinës dhe vëllaut të saj binjak guximin dhe dëshirën për këtë sport.

“Unë dhe vëllai im binjak, Joni, si fëmijë, kemi provuar disa sporte të ndryshme si tenisi, futbolli, noti e basketbolli por në fund veten e gjetëm në karate, ndoshta nga natyra luftarake dhe energjia që e kishim”, thotë Janina.

Jo vetëm nëna, Janina përditë ndjehet e motivuar që të ushtrojë këtë sport pasi çdo herë që ajo ushtron, në sallë për ta mbështetur ndodhen tezja dhe daja.

Në vitin që lamë pas, Dardhishta u zgjodh e treta në top treshen e karateisteve më të mira të kategorisë Kumite (lufta) nga grup mosha vajzat juniorë +66 kilogram.

“Të them të drejtën, ky çmim ka qenë i pritshëm sepse çdo vit shpërblehem me çmime të ndryshme nëpër turne shtetërorë por edhe rajonal, çmime si “Sportistja më e mirë e vitit” ose “Sportistja më e mirë e turneut”. Pres edhe shumë të tjera, duke u bazuar në përkushtimin maksimal që e jap”, thotë Dardhishta.

Ajo thotë se investimi për sportistët në vend nuk është asnjëherë i mjaftueshëm në krahasim me atë se sa meritojnë ata.

“Sepse ne jemi ambasadorët më të mirë kombit dhe shtetit. Në shtetin tonë, karateja është mjaft e zhvilluar, ka dhjetëra klube në mbarë Maqedoninë nga gati se të gjitha nacionalitetet mirëpo vetëdija e përkrahjes nuk është në nivel të kënaqshëm. Vet klubi ynë, klubi “Forca”, nuk qëndron në këmbë të çelikta në këtë aspekt dhe ne nuk e ngarkojmë me financim”, thekson Janina.

Janina inkurajon të rinjtë që të merren sa më shumë me sport dhe me nxënien e dijes. “Le të jetë “tatami” tempulli i harxhimit të energjisë rinore që na vlon përbrenda”, përfundoi ajo.

Të tjera