Shkup, produkte menstruale falas për nxënëset e shkollave të mesme

Nxënëset e shkollave të mesme të cilat janë nën kompetencë të Qytetit të Shkupit do të përfitojnë produkte menstruale pa pagesë. Në buxhetin e vitit 2022 për këtë në seancën e fundit të këshillit të Qytetit të Shkupit u ndanë 2 milion denarë apo 32 mijë euro. Ky propozim ishte i këshilltares Teodora Krstevska nga DOM, shkruan Mollëkuqja.mk.

“Në seancën në të cilën u votua buxheti i Qytetit të Shkupit për vitin 2022, unë kisha 4 propozime, nga të cilat njëri u votua ndërkaq të tjerët nuk patën shumicë votash. 2 milionë denarë do të ndahen për sigurimin e produkteve menstruale higjienike për vajzat e shkollave të mesme, kjo do të realizohet përmes prokurimeve vjetore publike dhe me këtë do të zbutet problemi me varfërinë menstruale. Nga janari i vitit 2022, secila vajzë do të mund në mënyrë normale të funksionojë gjatë ciklit menstrual”, kishte shkruar Krstevska në “Fejsbuk”.

Maqedonia e Veriut gjendet në fund të listës në mesin e shteteve të cilat në mënyrë të suksesshme përballen me problemin e higjienës menstruale. 15% e vajzave në vend përdorin gazeta në vend të produkteve menstruale gjatë kohës së ciklit menstrual, kjo për shkak të çmimit të lartë të produkteve për higjienë personale, sipas hulumtimit të Shoqatës së Gazetarëve për të Drejtat e Njeriut dhe Institutit për Shëndet Publik.

Hulumtimi tregoi se në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë shkollë fillore apo të mesme në banjot e së cilave ka produkte higjienike menstruale. Në RMV 90% e nxënësve në zonat rurale nuk shkojnë në shkollë kur janë në ciklin menstrual, edhe atë prej 4 deri në 5 ditë. Përderisa 75% e nxënësve në zonat urbane mungojnë në shkollë nga 2 deri në 3 ditë për arsyet e njëjta. Hulumtimi gjithashtu tregoi se 19% e vajzave aspak nuk blejnë produkte menstruale.

Gratë në Maqedoninë e Veriut gjatë jetës së tyre harxhojnë para prej 8 pagave (për 8 muaj) vetëm për produktet menstruale dhe ilaçe për dhimbjet menstruale, kështu tregojnë rezultatet e hulumtimit për përfshirje deri në higjienën menstruale në Maqedoninë e Veriut, e titulluar “Të drejtat menstruale: Vlerësimi i situatës me varfërinë menstruale dhe rekomandimet për zhvillim të politikave”, studim ky, i cili u promovua muajin e kaluar.

Ndryshe, vitetet e kaluara disa organizata joqeveritare dhe shoqata në mënyrë të vazhdueshme kanë apeluar deri te institucionet se është e nevojshme për lirimin e tërësishëm të taksës së vlerës së shtuar nga 18 në 5 për qind të produkteve për higjienë menstruale. Ata, gjithashtu, apelojnë që në buxhetin e shtetit duhet të përfshihen edhe produktet menstruale në shkollat fillore dhe të mesme, ndërkaq të njëjtat të jenë të qasshme në banjot publike në vend.

Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” i bashkëngjitet apelit të organizatave joqeveritare të lartëpërmendura në lidhje me këtë. Ne konsiderojmë se vajzat duhet të kenë qasje në produkte menstruale falas, andaj, shkollat fillore dhe të mesme duhet seriozisht të mendojnë vendosjen e produkteve menstruale në banjot e tyre.

Të tjera