Raportimi joetik dhe joprofesional për tema gjinore shpesh herë vjen si pasojë e mungesës së aftësive për trajtimin e temave të ndjeshme gjinore, prirjes drejt sensacionalizmit dhe ushqyerjes së narrativave të rrënjosura të cilat riprodhojnë stereotipe gjinore, gjë që, shpesh herë e kthen raportimin në problem në vete. Për këtë, biseduam me redaktoren e ‘Alsat M’, dhe gazetaren Fatlume Dervishi. Ajo potencoi rëndësinë që ka edukimi mediatik sidomos kur bëhet fjalë për tema më serioze si dhuna në familje apo femicidi.
Shpesh keqraportimi për çështje gjinore vjen nga mungesa e informacionit, nga narrative të rrënjosura brenda vetë mediave, shpesh të prirura drejt senzacionalizmit. Sa është media pjesë e problemit që pretendon ta raportojë?
Media është njëkohësisht pasqyrë dhe prodhuese e narrativeve shoqërore, prandaj shpesh bëhet pjesë e problemit që pretendon të trajtojë apo për të cilin raporton. Kur redaksitë ndjekin logjikën e klikimeve dhe senzacionalizmit, çështjet gjinore reduktohen në histori shokuese dhe jo në analiza të thelluara për problemin.
Kjo ndodh sidomos kur mungon trajnimi i vazhdueshëm për raportim të ndjeshëm gjinor dhe kur stereotipat kulturore mbeten të pa sfiduara brenda mediave, pa përpjekje për detektimin e tyre dhe mënjanimin. Në vend që të zhbëjnë paragjykimet, disa media i riprodhojnë ato përmes gjuhës, titujve dhe këndvështrimit në produktet e tyre mediatike. Kështu, media jo vetëm që informon, por edhe formëson perceptime që mund të jenë të dëmshme. Prandaj, përgjegjësia e mediave është shumë më e madhe sesa thjesht raportimi i fakteve.
Kur dhuna ndaj grave apo komuniteteve të margjinalizuara trajtohet si “kronikë e zezë” për konsum ditor, a po e normalizojnë mediat dhunën në vend që ta problematizojnë atë?
Trajtimi i dhunës si “kronikë e zezë” për konsum të shpejtë e zhvendos fokusin nga shkaqet strukturore te sensacionalizmi i ngjarjes. Kur raportimet janë të përditshme dhe pa kontekst, ekziston rreziku që publiku të mësohet me dhunën dhe ta perceptojë atë si diçka të zakonshme.
Kjo formë raportimi shpesh mungon në analizë, në zërat e ekspertëve dhe në perspektivën e viktimës. Në vend që të nxisë debat dhe reflektim, ajo krijon një cikël konsumimi emocional të lajmeve. Kjo mund të çojë në desensibilizim të publikut dhe ulje të ndjeshmërisë ndaj viktimave. Media duhet të kalojë nga raportimi reaktiv në atë shpjegues dhe edukues.
Cilat janë gabimet dhe shembujt më të shpeshtë kur gazetarët dhe mediat keq raportojnë për çështje të ndjeshme gjinore, dhe si ndikojnë ato në mënyrën se si publiku i percepton çështjet gjinore dhe sa e deformojnë ato realitetin?
Gabimet më të shpeshta përfshijnë përdorimin e gjuhës që fajëson viktimën, zbardhjen e detajeve të panevojshme dhe mungesën e kontekstit gjinor. Shpesh shohim tituj që theksojnë marrëdhënien personale mes viktimës dhe autorit, duke e relativizuar dhunën. Ose, edhe më keq, tituj që e justifikojnë dhunuesin si xheloz, temperament ose të udhëhequr nga dashuria e tepruar, në rastet e dhunës gjinore në familje. Një tjetër problem është përdorimi i stereotipave, si paraqitja e grave si të dobëta apo të varura. Po ashtu, mungesa e burimeve të besueshme dhe ekspertëve e bën raportimin sipërfaqësor.
Mediat më shumë fokusohen në raportin privat ose historinë personale pas dhunës sesa në kërkimin e përgjegjësinë institucionale për dhunuesin. Këto gabime ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën si publiku i kupton çështjet gjinore, duke i deformuar ato. Në vend të një pasqyre reale, krijohet një narrativë e shtrembëruar që mund të justifikojë ose minimizojë problemet.
Cilat janë disa shenja që qytetarët mund të dallojnë për të kuptuar se një lajm për çështje gjinore nuk është raportuar siç duhet?
Një nga shenjat kryesore është gjuha e përdorur, nëse ajo është sensacionaliste, paragjykuese apo fajëson viktimën. Titujt që kërkojnë të shokojnë, të dramatizojnë, më shumë sesa të informojnë janë një tjetër indikator. Mungesa e kontekstit, statistikave apo analizës tregon për një raportim të dobët. Po ashtu, nëse nuk ka burime të shumëfishta apo zëra ekspertësh, lajmi mund të jetë i njëanshëm. Lajmet për dhunën gjinore duhet të shoqërohen me statistika që dëshmojnë se bëhet fjalë për fenomen dhe jo për rast të izoluar. Detajet e panevojshme ose shkelja e dinjitetit të viktimës janë gjithashtu sinjal alarmi.
Në fund të tekstit gjithmonë duhet të merren parasysh viktimat e tjerë që mund të jenë shikues potencial të përmbajtjes tënde mediatike andaj duhet të jepen informacione se ku dhe si mund ta raportojnë dhunën. Një qytetar i vëmendshëm mund të dallojë lehtë kur një lajm synon klikime dhe jo informim cilësor.
Çfarë duhet të ndryshohet në mënyrën se si mediat raportojnë për çështjet gjinore te ne por edhe në rajon?
Ajo që duhet të ndryshohet është qasja: nga raportimi i shpejtë dhe sensacionalist në raportim të thelluar dhe të përgjegjshëm. Redaksitë duhet të investojnë në trajnime për raportim të ndjeshëm gjinor dhe të zhvillojnë politika të brendshme etike. Është e rëndësishme të përfshihen më shumë ekspertë dhe perspektiva të ndryshme në raportim. Gjithashtu, duhet të shmanget gjuha stereotipike dhe të promovohet një diskurs më i balancuar.
Bashkëpunimi me OJQ-të të specializuara për dhunën gjinore është esencial. Ato kanë kontakt të vazhdueshëm me viktimat dhe shumë njohuri e analiza mbi gjuhën e pranueshme dhe gjuhën që mund të prekë ose të dëmtojë viktimat e tjera. Kjo sepse misioni i gazetarit duhet të jetë edhe inkurajimi i viktimave të tjera për të paraqitur dhunën. Bashkëpunimi rajonal mund të ndihmojë në standardizimin e praktikave më të mira. Në fund, media duhet ta shohë veten si aktor aktiv në promovimin e barazisë dhe jo thjesht si transmetuese e ngjarjeve.


