Deputeti Rijad Shaqiri nga koalicioni VLEN ka përdorur gjuhë seksiste dhe denigruese ndaj grave, duke ju drejtuar deputetes nga Fronti Evropian, Ilire Dauti, me shprehjen: “Po të ishe burrë, ndryshe kishim folur”. Kjo ka ndodhur në Komisionin parlamentar për arsim në Kuvend, gjatë debatit për amendamentet për ligjet e reja të propozuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Nga ana tjetër, burrat politikanë nuk janë të vetmit që përdorin gjuhë seksiste. Deputetja Saranda Imeri nga koalicioni VLEN ka përdorur të njëjtën gjuhë në një status në facebook, ku duke dashur të “lartësojë” zëvendës-kryeministrin Izet Mexhiti, u është referuar grave në kuvend si “mace që bëjnë zhurmë”.
Reagimi i Shaqirit përforcon stereotipin që gratë “s’janë për politikë”, dhe se politika është arenë ku burrat “luftojnë” me njëri tjetrin, e gratë, sipas tyre, nuk e kanë vendin në këtë arenë. Kjo shprehje shumë shpesh përdoret për t’ia vënë në pah një gruaje që ajo është më e dobët, më e paaftë dhe se nuk i posedon “armët” e nevojshme për të marrë pjesë në këtë luftë. Kjo ndikon në dekurajimin e grave dhe vendimin e tyre për t’u tërhequr nga politika, për shkak të presionit të madh dhe gjuhës seksiste me të cilën përballen vazhdimisht. Njëjtë ndikojnë edhe komentet seksiste të po vetë grave, si në rastin e deputetes Imeri. Për “Mollëkuqja” vetë gratë politikane e kanë konfirmuar këtë, duke ndarë eksperiencat e veta.
Gjuha seksiste është mjaft prezente mes politikanësh. Kujtojmë që, Kryetari i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi, përdori gjuhë seksiste në gusht të këtij viti në një postim ku foli për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, duke akuzuar pushtetin e mëparshëm që nuk ka zgjidhur çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Ai ju drejtua të njëjtëve duke ju thënë që “të mos qajnë si gra atë që kanë humbur si burra”. Të njëjtën frazë e përdori, në shkurt të vitit 2023, Daim Luçi, asokohe Zëvendësministër i Kulturës në Republikën Maqedonisë së Veriut. Ai për të shfaqur pakënaqësitë e tij kundrejt partisë “Alternativa”, publikisht përdori gjuhë seksiste duke e shpërndarë të njëjtën në faqen zyrtare të tij në Facebook. Luçi ju drejtua burrave të tjerë të partisë për t’i këshilluar “të mos qajnë si gra”, sepse sipas tij bashkëpartiakët e partisë nuk kanë qenë në gjendje ta mbrojnë të njëjtën “si burra”.
Gjuha seksiste është përdorur shpesh publikisht edhe nga politikanet gra. Kujtojmë deklaratën e ish kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifit, kur në shkurt të vitit 2022 përdori në një intervistë në TV21 gjuhë seksiste ndaj kryetarit aktual të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“Si nuset kur martohen, i vjen rëndë, Jo s’më le vjehrra, jo s’mund ta bëj këtë, jo atë. Kohët e telave kanë mbaruar. Koha e nusërimit të Bilall Kasamit ka përfunduar. Është mirë ta vesh skutaçen dhe të kapet për pune”, tha Teuta Arifi në TV21.
„Mollëkuqja” bën thirrje që personat e përfshirë në politikë pa dallim të jenë të kujdesshëm me gjuhën të cilën e përdorin, në mënyrë që rastet e tilla të mos përsëriten më. Politikanët kanë ndikim të madh te publiku dhe duhet të mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si ju drejtohen.