Në një shoqëri me norma patriarkale dhe zakonore siç është shoqëria jonë, e që për çdo respekt ndaj disa vlerave që tradicionalisht i kemi ruajtur dhe kultivuar, megjithatë disa nga konceptet konservative kanë pasur një regres të theksuar në avansimin e disa të drejtave të grave e që në këtë drejtim kanë thelluar edhe më shumë hendekun gjinor duke krijuar stereotipe gjinore mbi baza të ndryshme. Andaj, janë të njohura stereotipet gjinore si prodhim i kësaj shoqërie, si në familje, tregun e punës, sport, art, sjellje, veshje, profesion, aktivitete të lira, gati në të gjitha sferat e jetës. Korniza e pasur ligjore, politika dhe masat e krijuara, institucionet e themeluara enkas për të tejkaluar këtë segregacion gjinor, siç duket nuk kanë pasur shumë sukses, andaj shoqëria civile përmes organizimit dhe kauzave për tejkalimet e stereotioeve gjinore janë duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm në promovimin e barazisë, njëjtësisë si dhe ngritjen e zërit përmes avokimit në edukimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe institucioneve, duke ua bërë me dije obligimet që kanë marrë në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut në të gjitha sferat jetësore.
Kultura dhe mentaliteti ballkanik janë pothuajse prezent në shumicën e familjeve që jetojnë nën qiellin e Ballkanit. Këtu janë të ndërlidhura normat tradicionale, fetare, morale të cilat me ndryshimet që përjeton shoqëria dhe familja bashkëkohore vazhdojnë të jenë në konflikt të vazhdueshëm. Andaj, e drejta private ku këtu bën pjesë edhe e drejta familjare është shumë vështirë që të ndryshojë dhe ti adaptohet dinamikës e cila ka krijuar një shoqëri dhe familje bashkëkohore në rrafshin global. Lëvizja e qytetarëve nga vendet e Ballkanit nëpër vendet e ndryshme të botës për çështje të punës, standardit më të mirë jetësor, ose studimeve, në një masë të theksuar ka ndikuar që në vendin ku jetojnë dhe veprojnë ballkanasit të ju përshtaten kushteve jetësore por edhe kornizës juridike e cila ju imponohet. Kjo në një mënyrë ka ndikuar që disa familje ti nënshtrohen liberalizimit të normave tradicionale. Faktor tjetër i ndryshimeve pozitive në tejkalimin e hendekut gjinor, gjithsesi është edhe emancipimi dhe pavarësimi financiar dhe pronësor i gruas. Përderisa kemi një grua e cila ka filluar të kërkojë të drejtat që i takojnë, kjo po që është një hap shumë i rëndësishëm drejtë përmirësimit të standardeve gjinore. Rritja e shkallës së punësueshmërisë së gruas gjithashtu ka lehtësuar edhe në mbajtjen materiale të familjes dhe amvisërisë, gjë që për shumë burra paraqet ndarje të barrës së mbajtjes e cila deri para disa viteve iu apostrofohej si obligim kryesor. Pra, vendosja e rolit të partneritetit në marrëdhëniet bashkëshortore gjithsesi ka pasur një ndikim pozitiv në tejkalimin e ndarjes së punëve familjare në bazë të gjinisë. Mirëpo, shoqëria jonë ende nuk e ka tejkaluar stereoripin e përfshirjes së gruas në të gjitha fushat e karrierës, andaj kemi shumë pak gra udhëheqëse të kompanive, institucioneve, roleve politike dhe si pasojë e kësaj gratë gjenerojnë më pak të hyra se burrat, kështu që burrat vazhdojnë të mbizotërojnë në profesionet me paga më të larta se gratë. Ndërlidhur me aspektin e pranueshmërisë së gruas në jetën publike dhe politike, duhet domosdoshmërisht theksuar faktin që gratë përballen me akuza të rënda për braktisjen e obligimeve familjare dhe prioritizimin e karrierës vetanake; gjuha e urrejtjes dhe gjuha seksiste është më se e pranishme jo vetëm në mesin e burrave por edhe të grave; mveshja e paaftësisë menaxhuese sepse është e brishtë dhe ka “aftësi të kufizuara” në vendimmarrje. Kontributi dhe qëndrimet e gruas në ndryshimet shoqërore, edhe pse shumë të mëdha, vazhdojnë të minimizohet duke ia atribuar vetëm rolin e rritjes së natalitetit në shoqëri përmes aftësisë për reproduktim. Për të dalë nga ky mjedis degradues i rolit dhe veprimtarisë së gruas i pranishëm në shoqërinë ballkanike, duhet bashkërisht punuar në edukimin familjar dhe atë publik me qëllim të përshtatjes së mentalitetit ndryshimeve të kohës dhe strukturës familjare dhe asaj shoqërore. Kjo për arsye se, ratifikimi dhe përpilimi i intrumenteve të ndryshme ligjore, ka treguar se nuk ka korrur suksese, sepse të njëjtat kanë mbetur vetëm premtime dhe obligime të shkruara. Andaj gruan nuk duket shikuar si armike dhe të paaftë, por duhet shikuar si bashkpunëtore në tejkalimin e të gjitha barrierave me të cilat përballet kjo shoqëri.
Nga ana tjetër, shumë e rëndësishme për temën është, harmonizimi i të drejtës familjare në vendet evropiane në drejtim të promovimit të të njëjtës si degë shumë e rëndësishme në sistemet juridike e cila ka fituar rëndësinë e një projekti serioz, veçanërisht në kontekstin e ndërtimit të një Evrope të bashkuar dhe të barabartë në aspektin e të drejtave familjare dhe atyre sociale. Me avancimin e procesit të integrimit në sfera të ndryshme të jetës shoqërore, ekonomike, kulturore dhe juridike, ideja e një të drejte familjare “evropiane” bëhet gjithnjë e më e pranishme. Në aspektin e të drejtës familjare ky harmonizim ka filluar me krijimin e Komisionit për të drejtën familjare evropiane, qëllimi i të cilit është identifikimi i ”bërthamës së përbashkët” të rregullave dhe zgjidhjeve që ekzistojnë në vendet evropiane për çdo çështje nga sfera e së drejtës familjare. Ky Komision ka vendosur një qëllim ambicioz- përzgjedhja e një ”të drejte më të mirë” nga sistemet evropiane juridiko-familjare. Megjithatë, përpjekjet për harmonizimin e normave që rregullojnë marrëdhëniet familjare hasin në sfida të shumta, duke përfshirë këtu edhe trajtimin e stereotipeve gjinore në kuadër të antarëve të familjes. Traditat kulturore dhe pritshmëritë shoqërore që lidhen me rolet gjinore në familje ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin, duke krijuar dilema rreth mundësisë dhe efektivitetit të harmonizimit të plotë të së drejtës familjare në nivel evropian. Rregullimi i marrëdhënieve familjare nuk është vetëm një çështje juridike, por edhe një reflektim i normave dhe vlerave shoqërore, të cilat janë të ndikuara nga stereotipet gjinore dhe konceptet tradicionale, kulturore, morale, fetare mbi rolin e grave dhe burrave në familje dhe shoqëri. Andaj, aktivitetet e institucioneve evropiane në veçanti Këshillit të Evropës në drejtim të krijimit të një të drejte familjare të përbashkët e cila do të garantonte barazi gjinore midis të gjithë antarëve të familjes si në marrdhëniet personale por edhe ato pasurore, përballen me sfida të mëdha, pikërisht për shkak të diversitetit kulturor, tradicional dhe moral midis shoqërive të ndryshme të vendeve të ndryshme evropiane.
Nga ana tjetër, shikuar këto çështje nga perspektiva e vendit tonë, ratifikimi i shumë dokumenteve ndërkombëtare dhe përpilimi i strategjive për barazi gjinore (konkretisht Strategjia për barazi gjinore 2022-2027) e ngarkojnë Qeverinë dhe institucionet në Republikën e Maqedonisë së Veriut që të angazohen në drejtim të avansimit të të drejtave njerëzore të grave dhe burrave në të gjitha sferat e jetës shoqërore si dhe ndërmarrjen e të gjitha aktiviteteve në drejtim të arritjes së barazisë gjinore.