Për një kohë të gjatë, politika është konceptuar si diçka që ndodh vetëm në sferën publike: në parlament, institucione, zgjedhje dhe procese vendimmarrëse të dominuara historikisht nga burrat, kryesisht nga shtresat e pasura dhe të arsimuara. Familja, ndërkohë, është trajtuar si një hapësirë private dhe “e shenjtë”, e ndërtuar mbi vlera morale dhe fetare, larg debatit politik. Mirëpo, teoricienet feministe si Carol Hanisch, Kate Millett dhe Shulamith Firestone sfiduan këtë ndarje mes publikes dhe privates përmes idesë se “personalja është politike” – politika nuk ka qenë kurrë jashtë derës së shtëpisë; ajo ka qenë gjithmonë brenda saj.
Në këtë këndvështrim, politika gjinore nuk fillon vetëm kur votohet një ligj; ajo fillon në shtëpi, aty ku nis socializimi i individit dhe ku pushteti shpërndahet në mënyrë të pabarabartë mes gjinive, siç argumenton Kate Millett. Komentet mbi inteligjencën, trupin apo sjelljen e grave, zgjedhja e profesionit për vajzat, fokusi në martesë, kufizimi i ambicieve të tyre apo ngulitja e roleve gjinore që në foshnjëri nuk janë vetëm çështje private – ato janë procese politike, sepse ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si shpërndahen mundësitë, autonomia dhe pushteti brenda shtëpisë, në shkallë më të lartë – shoqërisë.
Shulamith Firestone argumentonte se amësia dhe biologjia njerëzore kanë krijuar historikisht një ndarje natyrore të punës, e cila është shfrytëzuar nga patriarkati për t’i mbajtur gratë në role të varësisë ekonomike dhe sociale. Me shumë mekanizma, vajzat socializohen që herët për t’u përgatitur për rolin e ardhshëm të nënës: nga ndërtimi i një personaliteti “femëror” e deri te zgjedhja e karrierave që perceptohen si “të përshtatshme” për gratë. Vetëqëndrueshmëria financiare dhe autonomia personale shpesh trajtohen si dytësore ose kushtëzohen nga ideja e krijimit të familjes e martesë. Edhe kur gratë inkurajohen profesionalisht, shpesh ekziston pritshmëria që amësia të mbetet qëllimi kryesor dhe përfundimtar.
Atësia, ndërkohë, nuk trajtohet në të njëjtën mënyrë, sepse nuk i atribuohet e njëjta komponente bioesencialiste dhe as nuk etiketohet si një projekt i paraprogramuar në “ADN-në” e burrit. Siç argumenton Carol Hanisch, shumë nga ato që shpesh konsiderohen “probleme të grave”; kujdesi për fëmijët, puna e papaguar shtëpiake apo dhuna gjinore, trajtohen si probleme personale, në vend që të kuptohen si probleme politike që influencojnë një klasë të shoqërise e jo tjetrën.
“A house is never apolitical. It is conceived, constructed, occupied, and policed by people with power, needs, and fears. Windex is political. So is the incense you burn to hide the smell of sex, or a fight.”- Carmen Maria Machado, In the Dream House
Kur flasim për ligje që luftojnë pabarazinë gjinore, shpesh mendojmë vetëm për mekanizmat juridikë që mbrojnë gratë nga diskriminimi apo dhuna. Por barazia gjinore nuk arrihet vetëm përmes mbrojtjes ligjore; ajo kërkon ndryshim në mënyrën se si kuptojmë pushtetin, familjen,
kujdesin dhe rolet gjinore që riprodhohen çdo ditë brenda jetës private. Për shembull; Dhuna në familje nuk është thjesht një problem privat, ajo është një çështje politike dhe shoqërore.
Gratë shpesh socializohen të durojnë, të heshtin ose të normalizojnë forma të ndryshme të dhunës, ndërsa burrat mund të rriten brenda normave që lejojnë e inkurajojnë dominimin dhe kontrollin. Po ashtu, dhuna seksuale transferon përgjegjësinë mbi vajzat dhe gratë, duke u kërkuar atyre të kufizojnë sjelljen, veshjen apo lirinë e tyre, në vend që të sfidohen strukturat që prodhojnë dhunën. Për këtë arsye, aktivistet feministe kanë kërkuar që termi “femicid” të njihet me ligj, jo thjesht si vrasje, por si një formë e veçantë e dhunës ndaj grave që buron nga urrejtja, kontrolli dhe politikat gjinore.
Ligjet që luftojnë pabarazinë gjinore nuk ekzistojnë në vakum. Ato janë rezultat i sistemeve shoqërore ekzistuese, të trashëguara ose të kundërshtuara përmes aktivizmit politik. Kur një shoqëri ndërtohet mbi struktura patriarkale, ndryshimi juridik kërkon transformim më të thellë kulturor e më pas institucional, sepse ligjet shpesh pasqyrojnë vlera të vjetruara mbi të cilat është ndërtuar vetë shoqëria. Për të luftuar realisht për barazi gjinore në kontekst juridik, mbrojtja e grave duhet të kuptohet si mbrojtje e një klase që historikisht është pozicionuar në mënyrë të pabarabartë brenda strukturës shoqërore, jo vetëm në familje, por edhe në korniza ekonomike e arsimore.
Lëvizje si 4B në Korenë e Jugut, ku disa gra zgjedhin të refuzojnë martesën, lindjen e fëmijëve apo marrëdhëniet romantike si formë proteste ndaj diskriminimit gjinor, tregojnë se rezistenca ndaj patriarkatit mund të marrë forma të ndryshme sociale dhe politike kur “problemet e grave” trajtohen si probleme politike.Gruaja shndërrohet në klasë e stratifikuar shoqërore, me politika e probleme të veçanta klasore. Nga kjo, familja bëhet një nga institucionet e para ku forcohet ky dallim klasor, ku mësohet feminiteti dhe maskuliniteti, si dhe kufijtë e rolit që secila gjini pritet të luajë në shoqëri.
Një reflektim i ngjashëm mund të vërehet edhe në debatet e fundit politike mbi trupin e grave në Shtetet e Bashkuara, ku të drejtat e abortit dhe ndikimi i religjionit në legjislacion janë kthyer në çështje qendrore të debatit publik. Këto zhvillime rihapin diskutimin mbi mënyrën se si trupi imgruas shihet e kontrollohet politikisht, duke forcuar idenë se pozita e grave në shoqëri vazhdon të lidhet ngushtë me biologjinë e tyre.
Në këtë kontekst, pabarazia gjinore nuk mund të kuptohet vetëm si produkt i biologjisë, traditës apo zgjedhjeve personale. Ajo ndërtohet përmes strukturave që e lidhin gruan me kujdesin, riprodhimin dhe punën e papaguar, duke e bërë biologjinë një kategori sociale dhe punën e grave një burim historikisht të nënvlerësuar e shfrytëzuar për ekzistencën e shoqërisë. Kjo forcon argumentin se pabarazia gjinore nuk kufizohet vetëm te përditshmëria e të qenit grua; ajo hyn thellë në mënyrën se si gruaja shihet politikisht, si dhe në pritshmëritë që ndërtohen për të – nga tryeza e shtëpisë deri te ideologjia e shtetit.


