Personat LGBTI+ mbeten mes grupeve më të cenueshme kur bëhet fjalë për shëndetin mendor.
Çdo ditë, shumë prej tyre mbajnë një peshë që pak e shohin: ankth, depresion, gjurmë traume, turp i brendësuar, dhe stresi i pafund i të fshehurit kush janë vërtet.
Gjetjet nga seancat psikologjike të Qendrës për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBT (CEL), e bazuar në Kosovë, gjatë vitit 2025, tregojnë pikërisht këtë. Refuzimi nga familja, diskriminimi në shkollë dhe në punë, izolimi, ngacmimet online, dhuna dhe pasiguria për një çati sigurie janë realitete që përsëriten vazhdimisht.
Për të kuptuar se çfarë lënë pas këto përvoja, biseduam me stafin e kësaj qendre, që ofron seanca psikologjike falas për pjesëtarët e komunitetit.
Refuzimi, stigma dhe frika nga zbulimi i identitetit lënë gjurmë të thella te shëndeti mendor. Por, sipas tyre, vetëm ndihma profesionale nuk mjafton, duhen edhe ndryshime në vetë shoqërinë.
Trajtimi shoqëror dhe pasojat në shëndetin mendor
Mënyra se si shoqëria i trajton personat LGBTQI+ ndikon drejtpërdrejt në ndjenjën e sigurisë dhe përkatësisë së tyre. CEL Kosova shpjegon se edhe në rastet kur një person nuk përballet çdo ditë me incident të hapur diskriminimi, vetë pritshmëria për refuzim mund të krijojë gjendje të vazhdueshme shqetësimi.
Në familje, shkollë, vendin e punës apo institucione, frika se si do të reagojnë të tjerët mund të ndikojë në mënyrën se si personi sillet, komunikon dhe krijon marrëdhënie.
Të dhënat e CEL Kosova për 132 persona që kanë përdorur shërbimet psikologjike tregojnë se ankthi ishte vështirësia e brendshme më e raportuar, me 24.7 përqind. Pas tij renditen stresi me 12.9 përqind dhe depresioni me 12.1 përqind.
“Orientimi seksual apo identiteti gjinor nuk janë shkaku i këtyre vështirësive; rëndësi ka mjedisi në të cilin personi përpiqet të jetë i sigurt dhe i pranuar”, thonë nga CEL Kosova.
Ata theksojnë se këto të dhëna lidhen me personat që kanë përdorur shërbimet e organizatës dhe nuk mund të interpretohen si të dhëna për të gjithë personat LGBTQI+ në Kosovë.
Refuzimi familjar mund të prekë edhe strehimin dhe sigurinë
Një nga faktorët që CEL Kosova e veçon është refuzimi familjar. Kur familja është njëkohësisht burimi kryesor i mbështetjes emocionale, financiare dhe i strehimit, refuzimi mund të ketë pasoja shumë më të gjera se vetë konflikti familjar.
Sipas raportit të parë të organizatës, problemet familjare përbënin 23.1 përqind të vështirësive të jashtme të dokumentuara. Në raportin për periudhën dhjetor 2024–dhjetor 2025, kjo përqindje ishte 23.9.
“Stigmatizimi i vazhdueshëm mund ta bëjë një person të dyshojë te vetja, të presë gjykim edhe në marrëdhënie të reja dhe të tërhiqet nga të tjerët për t’u mbrojtur”, shpjegon CEL Kosova.
Në rastet kur diskriminimi përjetohet edhe në institucione, sipas tyre, personi mund të humbasë besimin se ndihma do të jetë e sigurt dhe konfidenciale. Kjo mund ta shtyjë atë që të mos kërkojë fare ndihmë.
Në disa raste të dokumentuara nga shërbimet psikologjike të organizatës janë shfaqur edhe vetëlëndimi dhe mendimet vetëvrasëse, situata që, sipas CEL Kosova, kërkojnë vlerësim dhe mbështetje të menjëhershme.
Pse vazhdon stigma?
Për CEL Kosova, nuk ka një shpjegim të vetëm për mënyrën se si shoqëritë shqipfolëse dhe ato të Ballkanit e shohin diversitetin seksual dhe gjinor. Në kontekstin e Kosovës, normat e ngurta për rolet gjinore, pritshmëritë për martesë dhe familje, frika nga gjykimi dhe informacioni i pamjaftueshëm mund të ndikojnë në këto qëndrime.
Këto qëndrime, sipas organizatës, mund të mësohen dhe përforcohen në familje, shkollë, media dhe debatin publik.
Megjithatë, CEL Kosova thekson se këto nuk janë qëndrime që përfaqësojnë domosdoshmërisht të gjithë shoqërinë dhe se ato mund të ndryshojnë.
“Raportet tona tregojnë pasojat që kanë refuzimi dhe stigma për personat që kërkojnë mbështetje, por nuk matin drejtpërdrejt arsyet pse popullsia e përgjithshme mban qëndrime të caktuara”, sqarojnë nga CEL Kosova.
Për këtë arsye, ata e shohin edukimin, dialogun dhe përgjegjësinë institucionale si pjesë të rëndësishme të ndryshimit.
Fshehja e identitetit si strategji për siguri
Për disa persona LGBTI+, moszbulimi i orientimit seksual apo identitetit gjinor nuk është thjesht çështje private. Mund të jetë mënyrë për të shmangur refuzimin, dhunën apo humbjen e strehimit.
Por kjo fshehje mund të ketë kosto psikologjike. Personi duhet të mendojë vazhdimisht se çfarë mund të thotë, si duhet të sillet dhe kujt mund t’i besojë.
“Të vlerësosh vazhdimisht çfarë mund të thuash, si të sillesh dhe kujt mund t’i besosh kërkon shumë energji emocionale”, thonë nga CEL Kosova.
Sipas tyre, kjo mund të kufizojë marrëdhëniet e afërta dhe të shtojë ankthin, vetminë, turpin e përvetësuar dhe ndjenjën se personi nuk mund ta planifikojë lirshëm të ardhmen.
Në raportin e parë të CEL Kosova, çështjet që lidhen me daljen hapur përbënin 20.4 për qind të vështirësive të jashtme të dokumentuara.
“Nga këndvështrimi psikologjik, pasojat mund të grumbullohen me kalimin e kohës kur personi jeton për një periudhë të gjatë me frikën e refuzimit“.
Terapia nuk mund ta zgjidhë e vetme problemin
Mbështetja psikologjike profesionale mund të ndihmojë në përpunimin e përvojave të refuzimit ose dhunës, menaxhimin e ankthit dhe rindërtimin e besimit te vetja. Por CEL Kosova thekson se terapia nuk mund ta zgjidhë e vetme dëmin që shkakton mjedisi përjashtues.
Për këtë arsye, sipas organizatës, nevojiten profesionistë shëndetësorë dhe punonjës publikë të trajnuar, mbrojtje efektive nga diskriminimi, shkolla më të sigurta, mbështetje për familjet dhe hapësira ku personat LGBTQI+ mund të kërkojnë ndihmë pa frikën se identiteti i tyre do të bëhet publik.
“Qasja duhet të jetë konfidenciale, pranuese dhe e ndjeshme ndaj traumës”, theksojnë nga CEL Kosova.
Sipas tyre, hapja e shoqërisë nuk mund të mbetet vetëm në deklarata. Ajo duhet të përfshijë ndryshime që personat LGBTI+ mund t’i ndjejnë në jetën e tyre të përditshme: në familje, shkollë, punë, institucione dhe në qasjen në shërbime.
This publication was produced within the framework of the project Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog, which is implemented as part of the broader regional project Together for LGBTQI+ Equality, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollekuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, CCE, or the project partners.



