Foto: Social Cultural Space Tetova
Foto: Social Cultural Space Tetova

Djemtë dhe vajzat e “Space Tetova” dëshmojnë se barazia gjinore dhe etnike mund të mësohet vetëm përmes kohës së kaluar bashkë

Në Tetovë, ku hapësirat për të rinjtë janë të pakta dhe ku diversiteti, qoftë etnik, gjinor apo social, shpesh mbetet vetëm një fjalë në letër, prej vitesh ekziston një komunitet që përpiqet ta kthejë atë në praktikë të përditshme.

Social Cultural Space Tetova, i njohur thjesht si Space, filloi si një ide e thjeshtë: një vend ku të rinjtë të mund të mblidheshin pa qenë të detyruar të blinin diçka. Me kalimin e kohës u bë shumë më tepër se kaq. Sot është një komunitet ku vajza e djem, nga prejardhje dhe përkatësi të ndryshme, takohen si të barabartë, punojnë bashkë, diskutojnë, krijojnë projekte dhe lidhin miqësi që jashtë kësaj hapësire ndoshta nuk do të kishin ndodhur kurrë.

Gjithçka nisi me një pyetje: ku të mblidhemi?

Ideja për Space lindi në vitin 2016 nga një nevojë e thjeshtë e të rinjve të Tetovës. Donin një vend të lirë dhe të qasshëm ku të mund të mblidheshin, të organizoheshin, të krijonin ose thjesht të kalonin kohë bashkë, pavarësisht nga prejardhja e secilit.

Në qytet kishte kafene e bare, por shumë pak alternativa të tjera. Mungonin hapësirat kulturore të pavarura, kinemaja, parqet apo vendet ku të rinjtë vetë të mund të nisnin aktivitete, e aq më pak vende ku vajzat dhe djemtë ndiheshin njësoj të lirë të merrnin pjesë e të vendosnin.

Një vizitë në Termokiss në Prishtinë dhe takimi me kolektivin belg Toestand, po në atë vit, u dha themeluesve një ide tjetër. Panë se një objekt i braktisur nuk është domosdoshmërisht një hapësirë e vdekur, por mund të kthehet në një vend ku ndërtohet komunitet.

Diskutimet për gjetjen e një hapësire në Tetovë nisën në 2017. Synimi ishte krijimi i një komuniteti që do të funksiononte në mënyrë horizontale, gjithëpërfshirëse dhe të pavarur. Një vit më vonë u revitalizua ish-objekti i Radio Tetovës, ndërsa paralelisht u krijua edhe Skatova, skateparku i parë në qytet. Në gusht 2018 u formua zyrtarisht komuniteti i Space-it.

Foto: Social Cultural Space Tetova
Foto: Social Cultural Space Tetova

Nga një grup i vogël, Space gradualisht u shndërrua në një komunitet më të gjerë. Mes viteve 2019 dhe 2022, përmes punës vullnetare, aty u organizuan aktivitete kulturore, edukative dhe komunitare, ku pjesëmarrja e vajzave dhe grave ishte po aq e pranishme sa e djemve.

Por historia e Space-it është njëkohësisht histori humbjeje dhe rindërtimi.

Në vitin 2022, pas katër vitesh në ish-Radio Tetova, komuniteti u detyrua të largohej nga hapësira. Komuna e Tetovës, përmes ministrit aktual të kulturës, ia ndërroi bravën objektit gjatë natës. Kryetari i komunës shkoi edhe më tej, duke akuzuar se aty kryheshin “aktivitete pornografike”, akuza që nuk u vërtetuan asnjëherë, as në gjykatë. Vullnetarët u gjetën jashtë dere dhe ashtu përfundoi funksionimi katërvjeçar në atë objekt.

Një vit më vonë lindi Space 2.0. Në hapësirën e re u realizuan më shumë se 200 aktivitete.

Në vitin 2025, komuniteti u përball sërish me humbjen e hapësirës. U njoftua se objekti do të shembej për t’i lënë vend një ndërtese të re.

Foto: Social Cultural Space Tetova
Foto: Social Cultural Space Tetova

Por edhe kësaj here Space nuk përfundoi. Me mbështetjen e rrjetit me të cilin kishte bashkëpunuar ndër vite, komuniteti gjeti një tjetër objekt të braktisur dhe krijoi Space 3.0, ku vazhdon të funksionojë edhe sot.

Foto: Social Cultural Space Tetova
Foto: Social Cultural Space Tetova

Jo vetëm hapsirë, por mënyrë e të jetuarit bashkë

Që në fillim, synimi nuk ishte vetëm të gjendej një objekt, por të krijohej një vend ku të rinjtë mund të mendonin lirshëm, të dëgjonin njëri-tjetrin, të organizonin vetë aktivitete, të eksperimentonin dhe të mësonin nga njëri-tjetri.

Me kalimin e viteve, Space krijoi edhe një kulturë të vetën. Një kulturë ku pranon dikë që nuk është si ti, dëgjon mendime të ndryshme, ndihmon dhe mëson të funksionosh bashkë me të tjerët.

Sot, për komunitetin, kjo është edhe kuptimi që i japin idesë së hapësirës publike. Jo vetëm një objekt që i përket publikut, por një hapësirë ku vetë njerëzit kanë autonomi për të vendosur çfarë ndodh aty.

“Për ne, hapësira publike nënkupton edhe autonominë e njerëzve që e përdorin atë”, thonë nga Space Tetova.

Një film, një koncert, një kopsht, ose thjesht një bisedë

Në Space nuk ekziston një ditë tipike. Shpesh nis me gjërat më të zakonshme, hapjen e hapësirës, kontrollin e dritave e ujit, ujitjen e bimëve dhe kopshtit komunitar, pastrimin, mbledhjen e mbeturinave apo lënien e ushqimit dhe ujit për kafshët përreth.

Pastaj, brenda së njëjtës hapësirë, mund të ketë një punëtori, shfaqje filmi, radio-show, koncert apo diskutim. Ose asgjë nga këto. Ndonjëherë janë thjesht njerëz që kanë ardhur të rrinë bashkë.

Foto: Social Cultural Space Tetova
Foto: Social Cultural Space Tetova

Ajo që i bashkon të rinjtë, sipas komunitetit, është kurioziteti, dëshira për të takuar njerëz të rinj dhe për të bërë diçka ndryshe nga ajo që ofron zakonisht qyteti.

Shpesh dikush vjen për një aktivitet dhe përfundon duke u përfshirë në diçka krejt tjetër. Pikërisht në këto momente të zakonshme krijohen lidhjet.

Këtu etnia nuk zhduket, por nuk është më pika e parë e nisjes. Tetova mbetet qytet i ndarjeve, disa të dukshme, disa jo. Përkatësia etnike është pjesë e realitetit të përditshëm dhe, siç thonë nga Space, nuk zhduket sapo dikush kalon derën e hapësirës.

Por aty ndodh diçka tjetër. Njerëzit kanë mundësi të njihen fillimisht si individë, përmes asaj që bëjnë bashkë.

Një shembull është një grup vajzash pesëmbëdhjetëvjeçare që në Space thërrasin njëra-tjetrën me emra shqiptarë e maqedonas, ndërsa flasin anglisht mes vete.

“Për to, të qenit bashkë nuk është ndonjë ‘dialog ndëretnik’ që duhet organizuar. Është thjesht shoqëri.”

Ndoshta kjo është një nga pamjet më të forta të bashkëjetesës, ajo që nuk ka nevojë të emërtohet fare si e tillë.

Foto: Social Cultural Space Tetova
Foto: Social Cultural Space Tetova

Megjithatë, Space nuk pretendon se ka zgjidhur gjithçka. Komuniteti rom, për shembull, ka qenë më pak i përfshirë në jetën e përditshme të hapësirës, edhe pse janë realizuar aktivitete dhe bashkëpunime me organizata që punojnë me romët.

“Një hapësirë e hapur nuk bëhet automatikisht gjithëpërfshirëse vetëm sepse dyert i ka të hapura”, thanë nga Space.

Pikërisht kjo vetëkritikë është pjesë e konceptit të hapjes. Nuk pretendohet se paragjykimet janë zhdukur, por krijohen mundësi që njerëzit të njihen përtej tyre.

Hapja e Space-it nuk lidhet vetëm me etninë. Ideja është që vajzat dhe djemtë të kenë hapësirë të barabartë për të marrë pjesë, për të propozuar, për të organizuar dhe për të krijuar.

Miqësia nuk organizohet, ajo ndodh

“Ka pasur raste kur njerëz nga komunitete dhe rrethe të ndryshme janë njohur përmes aktiviteteve, kanë filluar të punojnë bashkë si vullnetarë dhe më pas janë bërë miq edhe jashtë Space-it”, thonë nga Space.

Foto: Social Cultural Space Tetova
Foto: Social Cultural Space Tetova

Ndonjëherë gjithçka nis duke organizuar një event. Herë tjetër duke pikturuar një mur, duke rregulluar diçka në objekt ose thjesht duke kaluar disa orë bashkë.

“Në shumë raste, miqësia nuk ka ardhur si rezultat i ndonjë aktiviteti të dizajnuar për ‘të afruar komunitetet’, por thjesht si rezultat i të bërit diçka bashkë.”

Nga Space theksojnë se njerëzit nuk kanë gjithmonë nevojë për një projekt që t’u tregojë se duhet të afrohen. Ndonjëherë u duhet vetëm një vend ku të mund ta bëjnë këtë.

Çfarë u mungon të rinjve?

Përgjigjja e Space-it është e drejtpërdrejtë, hapësirat. Jo vetëm hapësira fizike, por hapësira të lira, të sigurta, të pavarura dhe të qasshme.

“Vende që nuk janë shtëpi, shkollë apo punë, por ku mund të rrish pa qenë i detyruar të konsumosh diçka. Vende ku mund të takosh njerëz jashtë rrethit tënd dhe të krijosh diçka vetë.”

Në Tetovë, thonë ata, këto hapësira janë shumë të kufizuara.

Prandaj nuk mjafton të organizohen “aktivitete për të rinjtë”. Të rinjve duhet t’u jepen hapësira ku vetë ata vendosin se çfarë duan të bëjnë.

Pikërisht në këto hapësira joformale mund të krijohen marrëdhënie përtej ndarjeve etnike, sepse njerëzit fillojnë të njihen përmes interesave dhe përvojave të përbashkëta, jo vetëm përmes identiteteve që u atribuohen.

Foto: Social Cultural Space Tetova
Foto: Social Cultural Space Tetova

Tre hapësira, një komunitet

Space Tetova ka ndërruar tri herë adresë, por jo qëllim. Nga ish-Radio Tetova te Space 2.0 e më pas te Space 3.0, objektet kanë ndryshuar, por komuniteti nuk ka ndaluar.

Kjo është edhe arsyeja pse ata thonë se kanë vend për optimizëm. Jo sepse problemet janë zhdukur, por sepse kanë parë nga afër se çfarë ndodh kur njerëzit kanë mundësi të takohen.

“Space na ka mësuar se ndarjet që duken shumë të mëdha në nivel politik ose shoqëror mund të bëhen shumë më të kapshme kur njerëzit kanë mundësi të takohen dhe të bëjnë diçka bashkë.”

Aktivistët e Space thonë se kjo hapësirë i ka mësuar edhe se bashkëjetesa nuk mund të lihet vetëm në dorë të vullnetit të njerëzve. Duhen hapësira, mundësi dhe kushte që këto marrëdhënie të mund të krijohen, thonë ata.

Në një qytet ku të rinjtë ende kanë pak vende ku mund të jenë thjesht të rinj, Space vazhdon të dëshmojë se bashkëjetesa nuk ndërtohet vetëm me deklarata, debate apo projekte të planifikuara.

Të tjera