Në Maqedoninë e Veriut, politika nuk ndikon vetëm në mënyrën se si qeveriset vendi, por edhe në mënyrën se si komunitetet e ndryshme e perceptojnë dhe i ndërtojnë marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Përkatësia etnike vazhdon të jetë e pranishme në diskursin politik, në garën mes partive dhe në mënyrën se si interpretohen vendimet institucionale, ndërsa retorika identitare shpesh mund të thellojë ndarjet në vend që t’i kapërcejë ato.
Kjo bëhet veçanërisht e dukshme te të rinjtë, të cilët krahas ndikimit të familjes, shkollës dhe mjedisit ku jetojnë, përballen edhe me gjuhën e urrejtjes dhe polarizimin në hapësirën digjitale.
Por, a janë partitë politike vetëm pjesë e problemit, apo mund të shndërrohen edhe në faktor të afrimit të komuniteteve? Sa hapësirë krijojnë institucionet për kontakt dhe bashkëpunim mes të rinjve dhe çfarë duhet të ndryshojë që bashkëjetesa të mos mbetet vetëm një koncept politik?
Për këto çështje dhe për ndikimin e politikës në marrëdhëniet ndëretnike, folëm me politologun Naim Iljazi, i cili vlerëson se rruga drejt një shoqërie më kohezive kërkon institucione funksionale, edukim mediatik dhe një transformim të gjuhës politike. Pse mos ta ndjekë edhe Maqedonia e Veriut shembullin e Belgjikës?
Sa ndikon politika në mënyrën se si komunitetet në Maqedoninë e Veriut e shohin njëri-tjetrin?
Për të kuptuar se sa dhe si zhvillimet institucionale formësojnë perceptimet e ndërsjella ndëretnike, duhet analizuar fillimisht se si faktorët partiakë instrumentizojnë narrativet identitare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për të pasur një peizazh më të qartë duhet bërë domosdoshmërisht një retrospektive në vitin 2001, ku nga qarqet akademike të Maqedonisë u hodh në qarkullim një propozim për rikonfigurimin territorial të vendit, i cili parashikonte ndarjen e Maqedonisë dhe bashkimin e trevave të caktuara me Shqipërinë dhe Kosovën.
Në praktikën e negociatave diplomatike, çdo propozim fillestar shërben si pikënisje për shqyrtim, ku pala tjetër parashtron kundërpropozimet e veta, me qëllim që përmes lëshimeve të ndërsjella të arrihet te një kompromis i balancuar. Mirëpo, rrethanat e pasluftës në rajon e bënin këtë skenar jashtëzakonisht të rrezikshëm. Dokumentet e kohës dhe të dhënat e publikuara nga platforma të ndryshme dëshmuan se disa vende fqinje kishin pretendime territoriale mbi Maqedoninë.
Zbatimi i një ideje të tillë për ndarje territoriale do të kishte shkaktuar një efekt reaksionar zinxhir, duke rrezikuar vetë ekzistencën e shtetit të Maqedonisë. Faktori politik shqiptar refuzoi të përfshihej në këtë dinamikë që çonte drejt shpërbërjes. Përmes një qasjeje pragmatike dhe përgjegjësie institucionale, u shmang logjika e konflikteve të reja dhe u orientua drejt një zgjidhjeje të brendshme politike. Ky proces rezultoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila u shndërrua në bazamentin juridik dhe politik të ruajtjes së unitetit territorial të Maqedonisë moderne.
Nga kjo retrospektivë kuptojmë se sot ndikimi i politikes ne marrëdhëniet mes komuniteteve është thelbësor, sepse Maqedonia e Veriut mbetet një shoqëri e strukturuar sipas një modeli konsociativ (nënkupton kur etnia është bazë kushtetuese në ndërtimin e shtetit), ku etnia është kategoria kryesore organizuese e jetës politike, që nga Marrëveshja e Ohrit.
Kjo do të thotë që çdo zgjedhje, çdo koalicion qeverisës dhe çdo krizë politike interpretohet automatikisht në marrëdhëniet mes komuniteteve. Padyshim, kjo krijon atë që quhet identitet i politizuar, ku përkatësia etnike nuk mbetet thjesht një tipar kulturor privat, por bëhet kategori përmes së cilës njerëzit lexojnë realitetin e përditshëm, si buxhetin, punësimin në sektorin publik, madje edhe infrastrukturën lokale, si instrument kundër diskriminimit dhe dominimit të komuniteteve.
A i thellojnë partitë politike ndarjet etnike, apo mund të jenë edhe faktor bashkimi?
Të dyja anët e medaljes shfrytëzohen si mekanizma nga subjektet politike, dhe dallimi qëndron te logjika e konkurrencës dhe komplekseve brenda vetë përbërjeve etnike. Kur partitë e të njëjtit komunitet konkurrojnë mes tyre për të qenë më patriot në mbrojtjen e interesave etnike, hyjmë në atë që ne në politologji quajmë “ethnic outbidding”, që paraqitet si një spirale ku secili aktor tenton ta tejkalojë tjetrin në retorikë identitare, sepse kjo bënë më e lehtë të dominosh elektoralisht sesa konkurrenca mbi programe socio-ekonomike, që do bënin përparimin e vendit.
Dhe kjo shoqëri politike me patologji konservatore, kur konsumon retorikat e brendshme në marrëdhëniet ndëretnike, atëherë, për vazhdimësinë e debateve shterpë, krijon përbindëshat e saj, si me rajonin, ashtu edhe më gjerë. Por gjithsesi, ndonëse qytetarët mund të jenë më të mobilizueshëm në rrafshin emocional, strukturat e organizuara politike mbeten shumë më kohezive dhe homogjene në brendësi të tyre sesa masa qytetare. Megjithatë, te vetë qytetarët ende mungon ky reflektim nga organizimi politik, i cili do të shërbente si instrument për rritjen e besueshmërisë në mes komuniteteve.
A është brezi i ri më pak i ngarkuar me ndarjet etnike politike, apo ende ndikohet nga diskursi i partive dhe rrethi ku jeton?
Gjenerata e re po tregon një tendencë apo dhe një spostim të dhunës nga ajo fizike tek ajo verbale dhe digjitale. Mbase në mangësi të higjienës digjitale, dhuna verbale dhe digjitale mbetet një nga sfidat më të mëdha si për qeverinë, ashtu dhe për vet qytetarët. Rëndom, gjuha e urrejtjes keqpërdoret shpesh në mënyrë instrumentale për përçarje etnike dhe politike, dhe padyshim nga ky diskurs përfitojnë subjektet politike.
Kjo qasje dinamike nxjerr në pah një boshllëk të theksuar institucional dhe arsimor, ku mungesa e edukimit mediatik dhe e ndërgjegjësimit publik lë hapësirë për manipulimin e opinionit, sidomos të brezit të ri. Brezi i ri nuk lind me armiqësi, por rritet në kanale institucionale që e mbajnë kontaktin ndëretnik minimal deri në moshën madhore.
Sa ndikojnë institucionet dhe politikat shtetërore në krijimin e hapësirave ku të rinjtë nga komunitete të ndryshme mund të afrohen?
Dështimi i implementimit të Ligjit për Pjesëmarrjen Rinore dhe Politikat Rinore, veçanërisht në nivelin e vetëqeverisjes lokale, dhe tejkalimi i çdo afati ligjor reflektohen drejtpërdrejt në mungesën e hapësirave ku të rinjtë nga komunitete të ndryshme mund të afrohen dhe të ndërtojnë ura komunikimi.
Në një shoqëri të segreguar territorialisht dhe politikisht, kontakti ndëretnik nuk ndodh kurrë vetvetiu pa një ndërhyrje aktive institucionale. Hipoteza e kontaktit ndërgrupor e Gordon Allport-it shpjegon qartazi se ndërveprimi mes komuniteteve zvogëlon paragjykimet vetëm nën kushte specifike, si kur të rinjtë ndajnë një status të barabartë, kur ekzistojnë qëllime të përbashkëta, kur bashkëpunimi zë vendin e konkurrencës dhe kur i gjithë procesi gëzon mbështetje institucionale.
Kjo kornizë teorike vë në pah domosdoshmërinë absolute të jetësimit të ligjit, duke e shndërruar atë në një instrument funksional për integrimin shoqëror rreth “boshtit të vet” më parë, dhe më pas mund të pretendohet për integrim Evropian.
Çfarë duhet të ndryshojë në politikë që bashkëjetesa të mos mbetet vetëm slogan, por të bëhet pjesë e përditshmërisë?
Këtu nevojiten të paktën katër zhvendosje themelore. Së pari, politika duhet të kthejë Marrëveshjen e Ohrit nga një arkitekturë institucionale formale në praktikë funksionale të përditshme, duke e çliruar atë nga logjika e humbësit dhe fituesit.
Së dyti duhet zbatuar plotësisht Ligji për Pjesëmarrjen Rinore dhe Politikat Rinore, pasi prek drejtpërdrejtë edukimin e brezit të ri, sidomos në nivel lokal, në mënyrë që kontakti ndëretnik mes të rinjve të mos varet nga spontaniteti por nga nevoja.
Së treti, paralelisht, duhet investuar në higjienën digjitale dhe edukimin mediatik të qytetarit, që gjuha e urrejtjes online të mos jetë më instrument në duart e politikës, por të vetëdijes qytetare.
Së katërti, ndoshta edhe më e vështira, duhet një transformim rrënjësor i vetë gjuhës politike, dhe largimi nga retorika e viktimizimit, e dominimit apo e kërcënimit të tjetrit, dhe kalimi drejt një gjuhe që nuk shihet si një lëshim apo koncesion, por si një nevojë jetike.
Kjo nënkupton trajtimin e bashkëjetesës jo thjesht si një detyrim paqësor, por si një interes i mirëfilltë e i përbashkët shtetndërtues, ekonomik dhe evropian. Shembulli i Belgjikës është domethënës dhe mësimdhënës për ne, se pavarësisht tensioneve mes komunitetit flamand dhe atij valon, shteti mbetet funksional sepse bashkëjetesa është e ndërtuar mbi rregulla institucionale dhe mekanizma të mbrojtës reciproke të komuniteteve.
Kjo dëshmon se stabiliteti nuk kërkon domosdoshmërisht “harmoni emocionale”, por kërkon institucione aq të forta sa të ruajnë bashkëjetesën edhe atëherë kur politika dështon.



