pink-minimalist-gynecologist-logo-(43).png

Ne, burrat e shekullit XXI

PASOJA

November 4th, 2023

Nëntori është Muaji i Shëndetit Mendor të Burrave. Muaji kur në mënyrë pak më të vetëdijshme ngremë pyetje dhe çështje që lidhen me vendin tonë si burra në botën e sotme dhe me ballafaqimin tonë me ndryshime të mëdha shoqërore, kulturore, politike dhe ekonomike.

Duke u mbështetur në faktin që feminizmi nuk është veç ideologji për femra, por për të gjithë, vendosa që në këtë artikull të përqendrohem pak në gjendjen e përgjithshme të botës mashkullore, e të trajtojmë disa çështje e pikëpyetje që shpesh na prekin të gjithëve.

Interesat dhe pasionet

Fatkeqësisht, stereotipet drejtojnë shumë anë të shoqërisë sonë e shumë mendësi të individëve. Edhe meshkujt sigurisht, nuk janë të paprekur prej këtyre stereotipeve. Një nga ato që i dëgjojmë më së shpeshti janë stereotipet mbi interesat dhe pasionet e meshkujve. Që nga reklamat, gjer në diskursin e përgjithshëm, krijohet përshtypja sikur meshkujt duhet t’i kenë interesat dhe pasionet e kufizuara në sporte, vetura e teknologji, a çdo gjë që është jashtë kësaj shpesh na e jep ndjenjën e “të panatyrshmes” ose “jomashkullores.” Më kujtohet një ngjarje që lidhet me këtë pikë. Një baba e qorton djalin e tij sepse nuk lexon aspak, as libra shkollorë, po as libra të tjerë, e si përgjigje djali i kthehet babait duke i thënë “Po nuk lexoj unë, nuk dua të bëhem si vajzë.” Kjo përgjigje është një pasqyrim i mirë i një mendësie mjaft të pranishme te djemtë e burrat, fatkeqësisht brenda vetë këtyre grupeve, që nuk bën gjë tjetër veçse i lë meshkujt në një vorbull të thellë injorance, vagullie shpirtërore, po edhe kriminaliteti dhe dështimi. Të jesh mashkull nuk do të thotë se duhet të kesh një grup të caktuar interesash dhe pasionesh. Sigurisht që shumë nga ne shijojmë sporte, vetura e zhvillime interesante teknologjike, mirëpo nuk duhet t’i shohim këto si fushat e vetme mashkullore, përkundrazi, bota mashkullore është shumë më e gjerë se kaq. Ajo mund të përfshijë edhe interesa që janë “stereotipikisht femërore” si arti, letërsia, piktura, muzika, gatimi, kopshtaria e të tjera. Të jesh mashkull e të kesh pasione dhe interesa të tilla nuk të bën më pak mashkull, përkundrazi është më se normale që interesat të jenë të gjera, a  duhet të mësohemi t’i ushqejmë dhe kultivojmë për të mirën tonë e të djemve të së ardhmes – që të përparojmë shëndetshëm, të ndërtojmë breza intelektualësh, shkencëtarësh, mendimtarësh e veprimtarësh që do ta lënë shenjën e tyre në shoqëri.

Thellësia emocionale dhe shëndeti mendor

Një tjetër stereotip që është mjaft i përhapur jo veç në shoqëritë shqiptare, po krejt botën, është që bota emocionale e meshkujve është shumë më e vakët dhe më e ftohtë sesa e femrave. Edhe në shekujt e mëhershëm, meshkujt janë paraqitur shpesh si “gjinia e arsyes” a femrat si “gjinia e bukur,” a këto terme shpesh dëgjohen edhe në ditët e sotme. Ta kufizosh botën emocionale të meshkujve në një shpjegim kaq të ngushtë është mëkat shoqëror, a njëkohësisht edhe një gënjeshtër e madhe. Shoqëria është mësuar që të jetë shumë më kërkuese dhe më e dhunshme kundrejt meshkujve, a një mjedis i tillë sigurisht që i “dënon” ata që shfaqin ose përjetojnë emocione dhe ndjenja të forta. Nuk them që përnjëherë meshkujt u dashka të bëhen veç qenie emocionale, por ajo që përkrah është të nxitet edukimi dhe thellimi i meshkujve te emocionet dhe ndjenjat e tyre – t’i kuptojmë më mirë, t’i shprehim më mirë, t’i përdorim më mirë. A nuk është fatkeqësi që emocioni më i shfaqur dhe më i fortë te meshkujt shpeshherë është agresiviteti? Agresivitet që shfaqet shpesh edhe me dhunë e kriminalitet. Të jesh në kontakt dhe ta njohësh e përjetosh botën emocionale nuk është një e drejtë e rezervuar për gratë, por është një e drejtë e gjithë njerëzimit. Kjo mungesë e kontaktit me emocionet dhe botën e brendshme të burrave, shpesh i nxitur edhe nga presioni shoqëror, familjar dhe ndërgjinor, ka sjellë deri në gjendjen e tashme ku burrat vetëvriten shumë herë më shumë sesa gratë, vuajnë nga shumë vështirësi psikologjike, a njëkohësisht më rrallë angazhohen në mirëmbajtjen e shëndetit të tyre mendor.

Shpesh si burra e kemi përshtypjen që të jemi të fortë nënkupton t’i shtypim emocionet që lindin nga vështirësitë, por edhe nga gëzimet; mendojmë që nënkupton të jemi të ftohtë e “të pandikueshëm” nga gjendja jonë emocionale, por njëkohësisht, faktet e lartpërmendura na vërtetojnë se sado që përpiqemi të dukemi të paprekshëm e të palëkundshëm nga jashtë, bota emocionale rrallëherë drejtohet nga arsyeja dhe logjika jonë. Shpesh emocionet janë të pakontrollueshme dhe të papritura, prandaj unë do të thosha se, si burra, më të fortë nuk bëhemi atëherë kur i shtypim problemet dhe vështirësitë tona, kur i shtypim ndjenjat dhe emocionet tona, por përkundrazi, bëhemi më të fortë atëherë kur veprojmë për t’u zhvilluar si njerëz, kur veprojmë për t’u zhvilluar në sferën emocionale, jo vetëm për hirin tonë, por edhe të njerëzve që na rrethojnë në jetën tonë të përditshme. Kjo kërkon më shumë guxim e trimëri, sesa thjesht t’i fshehim ato emocione që të gjithë, pa përjashtim, i përjetojmë si qenie njerëzore. Kjo do të thotë të kemi një qëndrim aktiv ndaj jetës dhe vetes, qëndrim që na shëron neve, por edhe ata që i kemi përreth.  

Përqendrimi profesional dhe prindërimi

Feminizmi përveçse na ka vetëdijesuar për nevojën e përfshirjes së femrave në profesione që historikisht kanë qenë të ruajtura për meshkujt, na ka vetëdijesuar edhe për nevojën e përfshirjes së meshkujve në punë dhe profesione që historikisht janë quajtur “profesione grash.” Profesionet e tilla si infermieria, punët sociale dhe mësimdhënia, historikisht janë parë si profesione që “i përshtaten” më shumë grave. Në këtë pikë do të doja që posaçërisht të ndalem pak te prania e meshkujve në fushën e arsimit dhe mësimdhënies.

Në botën e sotme, që drejtohet fort nga profesionet që lidhen me teknologjinë dhe shkencat teknike, meshkujt shpesh e gjejnë veten duke kërkuar punë në këto fusha, kryesisht prej presionit historik që të jenë të vetmit në familje që sigurojnë të ardhura familjare. Nga ana tjetër, nënvlerësimi afatgjatë i profesionit të mësimdhënies e njëkohësisht edhe rrogat e ulëta kanë bërë që shpesh kjo fushë të anashkalohet nga meshkujt, për të ndjekur profesione më teknike dhe fitimprurëse. Sado që ndjekja e profesioneve teknike në vetvete nuk paraqet një problematikë, mungesa e figurave mashkullore në profesionin e mësimdhënies krijon një zbrazëtirë të madhe në edukimin e brezave të rinj. Në vetë vendin tim të punës, shumica dërmuese e mësimdhënësve janë femra, ndërsa meshkujt mund të numërohen në gishta. Në ditët e sotme, kur brezat e rinj ndikohen fort prej rrjeteve sociale, është më se e nevojshme që të ekzistojnë modele mashkullore që do t’i frymëzojnë dhe edukojnë ata, a sigurisht, njëri nga mjediset ku më së shumti edukohen dhe nxiten brezat e rinj është shkolla. Besoj fort se mungesa e shembujve dhe modeleve të mira mashkullore që në moshë të re ndikon në zhvillimin negativ, a më së pakti të mangët, të djemve të rinj, të cilët padyshim do ta gjejnë shembullin diku tjetër, a shumë herë këto mjediset tjera janë shumë të pakontrolluara. Nevojitet që të bëhet një thirrje e fortë për mbledhjen e fuqisë punëtore mashkullore në fushën e arsimit, përndryshe edukimi i djemve të rinj, përballja e tyre me vështirësitë e moshës, sfidat e përditshmërisë, shpesh do të vështirësohen, a padyshim që mungesa e modeleve të shëndosha mashkullore do të ndikojë edhe negativisht në zhvillimin e tyre. Mirëpo, kjo është një thirrje edhe për mësimdhënësit. Shpesh shohim e dëgjojmë për mësimdhënës që s’e marrin punën e tyre seriozisht, shkaktojnë probleme, apo kanë sjellje shumë të pahijshme. Edhe këtu duhet të intervenohet shpejt dhe bindshëm, për të parandaluar shembujt e këqij dhe të dëmshëm që në rini.

Përveç mësimdhënies, thirrja ime i drejtohet edhe meshkujve që janë prindër, posaçërisht të djemve. Shembulli skandinav i pushimit të lindjes që ofrohet si për gratë, ashtu edhe për burrat, është një shembull për t’u marrë në gjithë vendet e botës, ku në mënyrë të tërthortë burrat privohen nga kënaqësia e lindjes së fëmijëve dhe nga përgjegjësitë familjare në raport me fëmijët e tyre. Fatkeqësisht rrjedhat historike kanë detyruar që prania e meshkujve në familje të jetë shumë më e vogël sesa e femrave, por kombi ynë është mallkuar edhe me një mallkim tjetër që është mërgimi. Shpesh nëpër familje shqiptare janë burrat ata që mërgojnë për të siguruar të ardhura më të mira për familjet e tyre në atdhe, e kjo padyshim lë pasoja të mëdha te rritja e fëmijëve. Të jesh prind nuk është përgjegjësi veç e grave të familjes, por edhe e etërve. Sigurisht që rrethanat janë të ndryshme për këdo, por do të bëja thirrje, veçanërisht për ata etër që nuk janë në mërgim: qëndroni afër fëmijëve tuaj; qëndroni afër djemve tuaj. Etërit janë figurat e para mashkullore që jeta na i ofron e do të ishte mëkat mos të jemi të pranishëm në jetët e djemve tanë, mos të jemi aty për t’i edukuar shëndetshëm në rrugëtimin drejt burrërisë, për t’i përkrahur në momentet e tyre të vështira, e për t’i mësuar si të udhëtojnë në aventurën e mrekullueshme që e quajmë jetë.

Çdo ditë, por posaçërisht ky muaj, le të jetë një muaj për reflektim. Si burra të kësaj shoqëria, për të shkuar drejt një shoqërie më të shëndetshme, na duhet mbi të gjitha përgjegjshmëri. Përgjegjshmëri për t’u përballur me vështirësitë tona, përgjegjshmëri për të qenë shembuj në vendet tona të punës, përgjegjshmëri për të edukuar brezat e rinj dhe përgjegjshmëri për të frymëzuar ndryshim, zhvillim dhe burrëri të vërtetë – jo atë burrëri që lind agresivitet, vuajtje të fshehur, dhunë dhe përçarje, por një burrëri që lind qëndrueshmëri, përparim, shpresa dhe ëndrra.

Ilir Saliu

Ilir Saliu

Ilir Saliu është demonstrator në katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë pranë Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" e njëkohësisht është edhe profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në nivelin e mesëm arsimor. Në të njëjtin universitet ndjek edhe studimet post-diplomike në drejtimin: Letërsi shqiptare dhe studime kulturologjike. Ka punuar si moderator dhe gazetar në emisionin e mëngjesit "Ditë e Re" në Televizionin "Alsat" dhe merr pjesë aktivisht në organizime të karakterit kulturor dhe shoqëror.


donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia