Shumë gra në Maqedoninë e Veriut krijojnë familje monoprindërore përmes spermës së donuar

Teknologjitë e reja të reproduktimit kanë mundësuar grave që të lindin fëmijë pa pasur një partner apo marrëdhënie seksuale paraprakisht. Në Maqedoninë e Veriut interesi i grave për këtë metodë të krijimit të familjes është i lartë, edhe atë 316 gra vetëm në tre vitet e fundit kanë dhënë jetë një fëmije përmes spermës së donuar paraprakisht në autoritetet shëndetësore nga ndonjë burrë, i cili si për nënën, ashtu edhe për fëmijën nuk lejohet të jetë i njohur, këto janë statistikat e kërkesave të grave në vend për lindje të fëmijës përmes kësaj metode.

Krijimi i familjes përmes spermës së donuar në Maqedoninë e Veriut ndër vite

  • Viti 2020 – 89 gra
  • Viti 2021 – 132 gra
  • Viti 2022 – 95 gra

Nga Ministria e Shëndetësisë thanë se të gjitha këto kërkesa janë pranuar ndërsa në mesin e tyre, për shkak të rregullimit ligjor më liberal dhe çmimeve, në Maqedoninë e Veriut vijnë nga Serbia, Kosova, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina për të kryer këtë metodë të lindjes së fëmijës.

  • Ndiqeni intervistën e realizuar për këtë duke klikuar KËTU.

Profesoresha Arta Selmani Bakiu tash disa vite studion aspektin ligjor të krijimit të familjes përmes metodave alternative. Sipas saj, këto metoda tashme veçse kanë ndryshuar konceptin e krijimit të familjes përmes metodës tradicionale.

“Përveç bashkëshortëve martesor, bashkëshortëve jashtëmartesor, është edhe gruaja e vetme, e cila ka moshë madhore, e cila ka shëndet të mirë dhe garanton për një përgjegjësi prindërore kur aplikon, me spermë të dhuruar të mund të ngjizë fëmijën dhe të lind fëmijën e saj me qelizën e saj gjenetike, pra ky fëmijë për dallim prej adoptimit, sepse aspekti human i shoqërisë, të krijimit të familjes, sigurimit të strehës familjare fëmijëve të adoptuar mund të jenë kundër këtij aspekti mirëpo kjo nënë, kjo grua e cila zotohet që të krijojë një familje pa partnerë, pa mos e ndarë përgjegjësinë prindërore, këtë e bën përmes materialit të saj gjenetik apo qelizës vezë të saj dhe ky fëmijë ka vulë gjenetike të sajën. Këto kryesisht janë gra pak më mëndjehapura, gra të pavarura, gra të cilat e kanë kuptuar filozofinë jetësore pak më ndryshe që mos të ndajnë përgjegjësi prindërore dhe pse jo janë gra të cilat në një të afërme të afërt mund edhe të gjejnë partner edhe për fëmijën të cilin e kanë lindur dhe kujdesen, të sigurojnë një prind social ose prind juridik” tha Bakiu.

Bakiu megjithatë shtoi se ligji për fekondim të asistuar bio-mjekësor që e rregullon këtë çështje ka nevojë për rinovim, pasi sipas saj, ligjvënësi shumë pak vëmendje ju ka kushtuar fëmijëve dhe të drejtave të tyre.

“Aty në mënyrë kategorike ndalohet që fëmijët e adoptuar dhe fëmijët të lindur në rrugë artificiale, të iniciojnë procedurë për njohjen e atësisë ose amësisë kështu që kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejt me konventën për të drejtat e fëmijës, e cila në nenin e saj 7 garanton që fëmijëve duhet të u jepen të gjitha informatat për backgroundin e tyre biologjik kështu që Maqedonia në qoftë se e ka një ligj të tillë shumë të avancuar dhe shumë liberal sa i përket personave madhor të cilët dëshirojnë që të themelojnë familje në rrugë artificiale, shifeni këtu rruga është vetëm artificiale, nuk është fëmija artificial ashtu siç diskutohet nëpër koluaret amatere të shoqërisë tonë, vetëm procesi sepse kanë probleme të natyrës mjekësore dhe nuk mund një gjë të tillë ta bëjnë në mënyrë natyrore, mirëpo fëmijët që lindin të tillë i diskriminojnë në një far mënyre në këtë aspekt kështu që këta fëmijë ka disa alternativa se si mund të njohin prejardhjen e tyre gjenetike biologjike të babait të tyre gjenetik sepse donatori në një far mënyre është babai i tyre gjenetik dhe mund të vendosen arsye, qofshin ato mjekësore, qofshin të dyshimit për incest apo trashëgimore më pastaj pas njohjes së identitetit gjenetik të prindit në moshën madhore, fëmija dhe prindi gjenetik të vendosin a dëshirojnë të realizojnë të drejta dhe obligime prindërore dhe familjare  ”

Aktualisht, të gjitha gratë mbi 18 vjeç pa një kufij moshe mund të aplikojnë për krijimin e familjes përmes kësaj metode. Sipas Bakiut, edhe në këtë pjesë nevojiten ndryshime, siç tha ajo, të vendoset një kufij i ngjashëm me atë të adoptimit të fëmijës, që është 45 vjeçe.

Ndryshe, këto metoda kanë ndryshuar konceptin tradicional të prindërisë duke ju dhënë mundësinë e krijimit të familjes edhe grave të cilat për arsye të ndryshme nuk mund apo nuk duan ta bëjnë këtë përmes metodës së zakonshme.

Të tjera