Maqedonia e Veriut është në vendin e 44 në mesin e shteteve më të mira për të qenë grua. Indeksi i Grave, Paqes dhe Sigurisë u prezantua pak ditë më herët në Norvegji. Sipas këtij studimi, vendet më të mira në botë për të qenë grua janë kryesisht disa shtete të Evropës.
Sipas kësaj, Maqedonia e Veriut radhitet e 44-ta sa i përket ofrimit të sigurisë, paqes, barazisë ekonomike, sociale e politike grave.
Më mirë në rajon, përkatësisht para RMV-së qëndron Serbia (në vendin e 32-të) dhe Mali i Zi (në vendin e 41) ndërsa më keq radhitet Shqipëria (në vendin e 45-të), Bosnja dhe Hercegovina (në vendin e 55-të) dhe Kosova (në vendin e 100).
Ndër bashkëautorët e këtij indeksi është edhe Instituti i Kërkmeve të Paqes në Oslo. Në listën e 177 vendeve më të mira për të qenë grua, listën e kryeson Danimarka, e cila ndiqet afër nga Zvicra dhe Suedia.
Ky hulumtim vë në dukje shoqëritë ku gratë kanë ecuri më të mira në drejtim të barazisë gjinore, që janë më paqësore, demokratike, të bëgata dhe më të përgatitura për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike.
Sipas të dhënave, rezultati i keq i Kosovës i atribuohet rezultateve të dobëta të arsimimit dhe punësimit për gratë, krahas niveleve “shumë të larta” të vdekshmërisë amtare. Duhet theksuar që edhe Ukraina, e cila aktualisht është në gjendje lufte, rënditet para Kosovës.