Rebelet e shekullit XX frymëzojnë ato të shekullit XXI

“Më mirë të jem një rebele, sesa të jem një skllave!”

Emmeline Pankhurst

* spoiler!

 

Një grua, në fillim është fëmijë dhe motër, e më pas bëhet gruaja e nëna e dikujt. E cilësuar si e brishtë dhe e pa aftë të marrë vendime, e trajtuar shpesh edhe si “pronë”, është krijesë e pa rrezikshme derisa hesht, duron dhe sakrifikon. E edukuar për të kryer detyrën e “shërbyesit”, çdo lëvizje e saj për të drejta është quajtur si e pa vend, e pa nevojshme dhe e tepërt. Njësoj, në një botë ku pa ndryshueshmëria sjellë siguri, çdo përpjekje për më shumë të drejta është pritur me plot dyshime dhe përçmim. Përçmim ky që të sjellë frikë, e frika synon të risjellë heshtjen. Kështu, në Britaninë e Madhe, kur gratë me anë të protestave të organizuara tentonin të fitonin të drejtën e votës, të njëjtat u quajtën sufragjete. Mirëpo ky term nuk do t’i ndalte gratë e Britanisë, të cilat e përvetësuan këtë titull nga përdorimi tallës dhe fyes i tij duke i thënë kuptim tjetër. Më vonë, çdo grua që luftonte do të quhej një sufragjete.

Filmi “Suffragette” i vitit 2015 me skenar të Abi Morgan dhe regji të Sarah Gavron, si në përmbajtje ashtu edhe në numrin e grave në ekip frymon sufragjist. Duke mos mbaruar me një triumf, filmi ashtu siç edhe bënë me dije në hyrje është vetëm një histori e një grup grash punëtore që iu bashkuan luftës për të drejtën e votës. Filmi, ndryshe nga si mendohet, nuk përshkruan rrugëtimin e aktivistes Emmeline Pankhurst (Meryl Streep), përkundrazi kjo e fundit shihet vetëm në një skenë në film. Filmi hedh një vështrim mbi  gratë “e pa rëndësishme, e pa rrezikshme, e pa guximshme dhe/ose të rëndomta”. Që në skenën hyrëse, me prologun se gratë drejtoheshin mjaftueshëm mirë nga burrat dhe me pamjet nga lavanderia ku punonin gratë, regjisorja Gavron përshkruan gjendjen e grave në Londrën e vitit 1912 dhe jo vetëm. Në vazhdim ne njihemi me tre gra: Maud Watts (Carey Mulligan), grua dhe nënë e cila privohet nga të dy statuset kur nis të luftojë për të drejtat e veta; Emily Davison (Natalie Press), aktiviste që pa iu trembur syri hidhet para kalit të mbretit dhe privohet nga e drejta e të jetuarit, vetëm për ta dëgjuar bota zërin e saj; dhe Edith Ellyn (Helena Bonham Carter-emri i vërtetë i aktivistes Edith Garrund), farmaciste që ka besimin dhe mbështetjen e të shoqit në nismë, por që privohet nga shëndeti përshkak të torturimeve të vazhdueshme që i bëhen gjatë protestave dhe burgimeve.

Filmi nis me fjalimin inkurajues të Alice Haughton (Romola Garai), gruas së deputetit, për gratë e lavanderisë që të dëshmojnë në një komision parlamentar për të fituar të drejtën e votës. Violet Miller (Anne Marie Duff), është aktivistja dhe punëtorja që do pranojë të shkojë në këtë mbledhje por për shkak të abuzimit nga i shoqi, në moment të fundit detyrohet të lus Maud-in të dëshmoj në emër të saj para dhjetra burrash parlamentar. Me shpresë se gjithçka do të ndyshonte, gratë sërish zhgënjehen. Alice zhgënjehet nga i shoqi. Ky i fundit, “turpërohet” nga veprimet e gruas së tij dhe nuk e le më të shoqen të shoqërohet dhe të kërkojë të drejtën për votë me gratë e tjera. Maud në anën tjetër, ende pa mos kuptuar mirë se ç’po bën, por me dëshirën që të ndryshojë diçka, pa e ditur edhe vetë mirë se çka, nis rrugëtimin për t’u bërë aktiviste. Për këtë, dialogu mes saj dhe të shoqit Sonny është sa mallëngjyes aq edhe qartësues:

Maud: Po të kishim një vajzë si do ia vendosje emrin?

Sonny: Margaret. Është emri i nënës time.

Maud: Çfarë jete do të kishte?

Sonny: Njësoj si e jotja. 

Ky dialog në dhomën e gjumit, në vendin më intim të tyre, arsyeton kërkesat e Maud-it, ashtu si edhe të të gjithë grave. Maud duke kërkuar të drejtën e votës, kërkon të drejta të barabarta për të gjithë vajzat që do lindnin. Maudi kërkon shpresë për një jetë më të mirë.

Filmi realizohet në nuanca përpjekjesh, grindjesh e luftërash të pafunda. Maudi i arsyeton sufragjetet dhe kohën duke thënë ‘Ne po thyejmë xhama, ne po ndezim zjarre! Sepse e vetmja gjuhë që meshkujt kuptojnë është: Lufta!’. Në luftën për të fituar të drejtën e votës, në shumë skena që tregojnë përjashtimin e grave luftëtare nga shoqëria, ajo që lë më shumë përshtypje është skena kur i shoqi nga shtëpia, dhe punëdhënësi nga lavanderia, e dëbojnë Maudin. Gratë në lagje dhe ato në punë ndjejnë vetëm keqardhje dhe nuk i arsyetojnë veprimet e Maudit. Maudi sipas tyre merr atë që e ka merituar.

Ndër të tjerat, në film shprehet në mënyrë të theksuar problem i abuzimit në mënyrë verbale dhe fizike në punë dhe ai i punëtorëve fëmijë. Maudi, është një nga gratë e shumta që ka lindur, ka punuar si e mitur, është ngacmuar nga punëdhënësi dhe për shkak se është grua është paguar më pak. Mirëpo edhe pse filmi s’mbaron me triumf ai jep shpresë. Është Maudi ajo që shpëton vajzën e Violetës nga të gjitha gjendjet e lartëpërmenduara.

I biri i Maudit ashtu siç e kishte mësuar i ati, e quan të ëmën jo të shëndoshë psiqikisht por kjo nuk e ndalon Maudin. Maudi gjatë filmit arrin të kuptoj se ajo dhe të gjithë gratë janë gjysma e popullësisë. Ajo dhe gjitha gratë tjera ndodhen në çdo shtëpi. Maudi dhe të gjitha gratë nuk ndalen… nuk i ka ndalur historia, nuk do ketë fuqi t’i ndal askush, asnjëherë. Ky film që i atribohet grave të shekullit XX është rikujtim për gratë e shekullit XXI që të jenë rebele.

Shkrimi është shkruar ekskluzivisht për Mollekuqja.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Mollekuqja.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Друго