Gratë politikane në Maqedoninë e Veriut janë në shënjestër të dhunës verbale. Këtë e thotë zëvendësministrja e Bujqësisë, Vjollcë Berisha nga Aleanca për Shqiptarët. Ajo ka shumë vite që është e përfshirë në politikë, për Mollëkuqja rrëfen disa nga momentet kur fakti që është grua në sferën publike – kushtimisht, i ka shkaktuar “probleme”.
Politikën, si dhe të gjitha profesionet tjera që kanë të bëjnë me sferën publike, patriarkati në mënyrë të padrejtë e ndërlidh vetëm me burrat. Kjo ka bë që edhe ato pak gra që kanë guxim të sfidojnë mentalitetin dhe stereotipet se politika është vetëm për burra dhe të përfshihen, shpesh herë të jenë pre e dhunës, seksizmit dhe komenteve të pahijshme.
Në rrugëtimin tim si politikane, përtej ndonjë ofendimi në rrjete sociale nga njerëz të panjohur, më ka ndodhur që të dëgjoj një “burrë” në moshë, që e mban veten për intelektual, në moment mllefi dhe pakënaqësie personale për një çështje kadrovike, ta ngrejë zërin, të pëshpërisë ofendime dhe ta këpusë një sharje si nëpër dhëmbë
Vjollcë Berisha
Berisha thotë se s’ka përgatitje që të bën “imun” ndaj këtyre sharjeve, duke shtuar “më bie ndërmend dridhja që kam përjetuar, rrahja e fortë e zemrës dhe skuqja e faqeve”.
Interneti dhe rrjetet-sociale janë kryesisht hapësira më e sigurt ku këta dhunues verbal veprojnë, pa marrë parasysh nivelit kulturor të pjesës më të madhe prej tyre që lë për të dëshiruar, ata synimet i kanë të qarta – që grate të mos merren me politikë.
“Rrjetet sociale, hapësirat për të komentuar në portale janë mundësi që gjithkush të thotë një fjalë si t’i vijë për mbarë një personi publik a një politikani. Shpesh këto fjalë janë tepër vulgare, të shkruara me një mezigjuhë, plot gabime gramatikore, ose tërësisht gabim, që shprehin nivelin kulturor të shkruesit, por që megjithatë përjetohen keq nga personi që është viktimë e sulmeve verbale.Një grua që merret me politikë, përfshirë edhe veten time, e ka shumë më të shpeshtë këtë situatë. Ndaj grave zbrazet një breshëri fjalësh të turpshme, akuza amoraliteti dhe pa fund ofendime”
Por përkundër gjithë këtyre situatave, Vjollcë Berisha për Mollëkuqja thotë se grate nuk duhet të dorëzohet dhe çojnë “luftën” deri në fund, shtoi s’duhet lejuar përmbushja e synimeve të një pjesë të shoqërisë që tenton të përfitojë nga pafuqia fizike e grave.
Ky lloj i dhunës është një nga sulmet më të mëdha gjinore, sepse në thelb synojnë shuarjen e vullnetit të gruas dhe fuqisë së saj. Ka të ngjarë që sharjet, ngritja e zërit, përdorimet e fjalëve shpotitëse të bëhen edhe në sy të një gruaje dhe drejt saj. Kjo gjithashtu është një lloj i veçantë i dhunës që tenton të përfitojë mbase nga pafuqia fizike e një gruaje kundër një burri. Megjithë ndjenjën e keqe që të japin sulmet e këtilla, gjuha e urrejtjes, dhuna verbale, mendoj se një grua e fortë që e ka vendosur ta bëjë “luftën e vet”, do ta bëjë dhe do t’ia dalë
Vjollcë Berisha
Gratë thuajse të padukshme në vendimmarrje, burrat s’i lëshojnë vendet
Në qeverinë aktuale të Maqedonisë së Veriut, nga gjithsej 37 poste ministrore, vetëm 7 janë gra.
Për dallim nga Qeveria, Kuvendi ka përfaqësim më të mirë të grave, kjo pasi Kodi Zgjedhor e në një far forme i obligon partitë t’i përfshijnë gratë në lista për deputetë. Nga gjithsej 120 deputetë, 51 janë gra.
Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut e deri më sot, nuk ka pasur asnjë grua si presidente, kryeministre apo kryetare kuvendi. Vetëm dy gra kanë qenë ushtruese detyre si kryeministre dhe kryetare kuvendi për më pak se një muaj.
Dëshpërues është numri i grave të cilat udhëheqin me komunat në vend, nga gjithsej 81 komuna, vetëm 2 udhëhiqen nga kryetare gra.
Ndryshe, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021, struktura gjinore në Maqedoninë e Veriut është thuaj se e njëjtë. Konkretisht gra ka 925,626 (50.4% ) dhe burra 911,087 (49.6%).