Qendra Kulturore Rinore në Shkup bëhet institucioni i parë kulturor që ofron produkte menstruale falas

Qendra Kulturore Rinore në Shkup do të bëhet institucioni i parë kulturor në Maqedoninë e Veriut që do të ofrojë produkte menstruale falas. Më 27 maj në këtë qendër do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Higjienës Menstruale, përmes kësaj ngjarje synohet të ngritet vetëdija e përgjithshme në lidhje me varfërinë menstruale.

Fokusi i aktivitetit të sivjetshëm do të jetë ngritja e dispanserëve për qasje falas në tamponat e higjienës menstruale.

“Iniciativën të cilën e filluam para disa vitesh po e realizojmë këtë vit, bashkë me ambasadën e Francës në Shkup. Me këtë aksion MKC-ja do të bëhet institucioni i parë kulturor i cili do të ofrojë produkte menstruale falas.”, thuhet në kumtesë.

Pas hapjes zyrtare, në orën 19:00 do të organizohet nga HERA Kuiz për edukim seksual gjithëpërfshirës. Më pas në ora 20:00 do të bëhet promovimi i librit #PrvaMenstruacija, pas së cilës do të ketë shfaqje të filmave të shkurtër.

Organizatat joqeveritare që lobojnë për produkte menstruale falas konsiderojnë se ka përirësim në drejtim të politikave në këtë drejtim, por duhet më shumë punë. “Mollëkuqja” bën pjesë në organizatat që lobojnë për qasje në produkte menstruale falas në të gjitha institucionet publike.

“Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se nga viti 2021 e deri më sot, puna jonë afatgjatë ka çuar në ndryshimin e disa politikave ekzistuese, por jemi të vetëdijshëm se sfidat janë ende të pranishme për të kapërcyer në mënyrë thelbësore problemet”, thanë shoqatat.

Nga aty shtojnë se shpresojnë që të drejtën për produkte menstruale falas ta kenë të gjithë ata që kanë menstruacione në vend dhe se ky veprim do të jetë nxitje dhe motivim që të fillohet me praktikimin e tij edhe në objektet dhe institucionet tjera relevante në mbarë Shkupin dhe në të gjithë vendin.

Ngjarja është bashkëpunim midis organizatave Tiiiit! Inc, PERIOD Shkup dhe HERA, me mbështetjen e Ambasadës Franceze në Shkup.

Të tjera