Partitë islamike shiite kanë propozuar në parlamentin Irakian një amendament i cili do të lejonte vajzat nëntë vjeçare të martohen.
Amendamenti i propozuar, i cili u lexua për herë të parë të dielën, është kundërshtuar nga aktivistët për të drejta të grave dhe të fëmijëve. Ligji i Xhafaarit, i quajtur sipas Imamit të gjashtë shiit, Ja’afar Al Sadiq, rregullon martesën, divorcin, trashëgiminë dhe birësimin.
Projektligji u prezantua nga deputeti i pavarur Raed al-Maliki, shkruan Rudaw.net.
Raed propozoi më parë ndryshime në ligjin kundër prostitucionit që kriminalizonte homoseksualitetin dhe operacionet e ndryshimit të seksit.
Versionet e mëparshme të projektligjit kanë propozuar ndalimin e martesave mes burrave muslimanë me gra jo-muslimane, legalizimin e përdhunimit martesor dhe ndalimin e grave që të largohen nga shtëpia pa lejen e burrave të tyre.
Ndryshimet e propozuara kanë ngritur shqetësim tek aktivistët.
“Këto ndryshime të propozuara në ligjin e Statusit Personal do të kishin një ndikim thellësisht negativ në të drejtat dhe mirëqenien e grave dhe fëmijëve në Irak,” tha për Middle East Eye Tamara Amir, CEO e Platformës për të Drejtat e Grave në Irak.