Një mijë paciente me kancer të gjirit janë diagnostikuar vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa aktualisht shtatë mijë pacientë me sëmundje onkologjike janë në trajtim aktiv në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup. Por pas shifrave dhe fushatave të tetorit rozë qëndrojnë probleme të pazgjidhura me vite, pritje me orë për terapi, mungesë e stafit, shërbime të përqendruara në Shkup dhe skriningu që mbulon vetëm një pjesë të vogël të grave. Mollëkuqja sjell një përmbledhje të sfidave kryesore me të cilat përballen pacientët me kancer dhe mangësitë e sistemit.
Tetori është muaji kur në mbarë botën flitet më shumë për kancerin e gjirit. Ngjyra rozë shfaqet në fushata, institucione dhe rrjete sociale, ndërsa gratë porositen të kujdesen për shëndetin dhe të bëjnë kontrolle.
Përkundër fushatave të ndërgjegjësimit, sistemi shëndetësor përballet çdo ditë me probleme të cilat nuk zgjidhen vetëm me sensibilizim.
Një mijë paciente janë diagnostikuar me kancer të gjirit vetëm gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup aktualisht trajtohen rreth 7.000 pacientë me sëmundje onkologjike.
Për shumë prej tyre, lufta me sëmundjen shoqërohet edhe me një tjetër betejë, atë për të arritur në kohë deri te ekzaminimi, diagnoza dhe terapia.
Me orë pritje për terapi
Korridoret e Klinikës së Onkologjisë mbushen që në orët e para të mëngjesit. Pacientët presin për kontrolle, terapi dhe procedura të tjera, ndërsa për disa prej tyre dita në klinikë zgjat deri në pasdite.
Një paciente tregoi për Mollëkuqja se edhe pse terapitë i ka përfunduar dhe tashmë shkon vetëm për kontrolle, dita e terminit shpesh i ngjall ankth nga kaosi dhe pritjet e gjata.
“Trajtimin e kam përfunduar, tani bëj vetëm disa kontrolle në muaj, por shkoj që herët në mëngjes në ora 7, e dorëzoj librezën që të futem në rend, e pastaj kur më thërrasin në ambulancë nga ora 10 apo 11. Ndonjëherë edhe më vonë. Herën e fundit dy grave iu ra të fikët, duhet të gjendet ndonjë zgjidhje më e qëndrueshme”, tha ajo.
Problemi nuk është vetëm numri i pacientëve. Shërbimet onkologjike janë ende të përqendruara në Shkup, ndërsa decentralizimi, për të cilin flitet prej vitesh, po ecën ngadalë.
Revizioni kërkoi shpërndarjen e shërbimeve
Nevoja për shpërndarjen e shërbimeve onkologjike nuk është vetëm kërkesë e pacientëve apo e organizatave joqeveritare.
Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar nevojën që Ministria e Shëndetësisë të angazhojë më shumë kapacitete në institucionet publike shëndetësore që kanë kushte për trajtimin e pacientëve onkologjikë.
Decentralizimi do të mund të ulte ngarkesën në Klinikën e Onkologjisë në Shkup dhe pritjet për pacientët, veçanërisht për ata që vijnë nga qytete të tjera.
Pikërisht këtë e kërkojnë edhe pacientët.
Ana Marjanoviq nga Shoqata “Hema-onko” thotë se kanë insistuar që decentralizimi të bëhet në mënyrë që, para së gjithash, pacientët të kenë terapi të sigurt dhe kushte për ta marrë atë rregullisht, në kohë dhe në një atmosferë që e meritojnë.
“Qëllimi nuk është vetëm të merret terapia, por të sigurojmë që çdo pacient që nuk do të jetë në Klinikën e Onkologjisë ta marrë këtë terapi në mënyrë të sigurt. Si pacientë, ne e dimë më së miri se sa i madh është presioni në Klinikën e Onkologjisë”, tha Marjanoviq.
Decentralizimi ka nisur, por ende në proces
Drejtori i Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup, Igor Stojkovski, thotë se decentralizimi është planifikuar në disa faza.
Faza e parë tashmë ka nisur në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” në Shkup, përmes shërbimeve specialistike-konsultative. Planet janë që më tej të përfshihen edhe spitalet në Manastir dhe Shtip.
“Ka filluar faza e parë, që është veprimtaria specialistike-konsultative. Shpresojmë që vitin e ardhshëm të fillojë të funksionojë edhe spitali ditor. Pra, bëhet fjalë për disa faza. Kjo varet nga infrastruktura e spitaleve. Primare është që siguria e pacientëve të jetë e përshtatshme. Kjo nënkupton që, përveç stafit dhe infrastrukturës së përshtatshme, terapia të mund të merret në mënyrë të sigurt. Se është problem – po, ekziston, këtë mund ta shihni edhe vetë”, tha Stojkovski.
Por problemi fillon shumë përpara se pacienti të mbërrijë në Klinikën e Onkologjisë.
Skriningu nuk e kap sëmundjen në kohë
Një nga hallkat më të dobëta mbetet zbulimi i hershëm. Kontrollet që synojnë zbulimin e kancerit të gjirit para se sëmundja të përparojë nuk po arrijnë mbulimin e nevojshëm. Revizioni shtetëror ka konstatuar se mbulimi i skriningut për kancerin e gjirit varion nga vetëm 0.8 deri në 5.4 për qind.
Këto shifra janë shumë larg mbulimit që nevojitet që skriningu të ketë efekt në nivel të popullatës.
Ndërsa pasojat shihen më vonë, te trajtimi. Sipas të dhënave të paraqitura, rreth 80 për qind e pacientëve e fillojnë trajtimin në faza të avancuara të sëmundjes.
Radiologu Argjend Imeri ka deklaruar se problemi është se skriningu ekziston më shumë në dokumente sesa në jetën e grave.
“Pikërisht këtu qëndron kuptimi i skriningut: jo të diagnostikojë sëmundjen pasi ajo të bëhet e dukshme, por ta zbulojë përpara se të ketë kohë të bëhet më e rrezikshme.”
Sipas tij, shteti duhet të sigurojë financim të qëndrueshëm dhe ta trajtojë skriningun si proces të vazhdueshëm, jo si fushatë sezonale.
“Skriningu nuk mund të jetë projekt sezonal që bëhet më i dukshëm në tetor dhe harrohet në muajt e tjerë. Kanceri nuk ka muaj sensibilizimi. Ai shfaqet çdo ditë të vitit”, ka deklaruar radiologu.
Ai thotë se mesazhi për gratë duhet të jetë i qartë, se mamografia nuk bëhet vetëm kur ekzistojnë simptoma.
“Bëhet pikërisht kur nuk ke simptoma. Por mungesa e këtyre shenjave nuk është arsye për të anashkaluar kontrollin periodik”, tha Imeri.
Ministria thotë se po punon për model të ri
Pavarësisht kritikave të mjekëve, pacientëve dhe Revizionit, Ministria e Shëndetësisë thotë se po punon për ndryshimin e mënyrës së organizimit të skriningut.
Nga ministria kanë paralajmëruar se gjatë periudhës së fundit është punuar për një model më të organizuar, të bazuar në popullatë, me përfshirje më të madhe dhe ndjekje më të mirë të pacienteve gjatë gjithë procesit.
“Po punohet në formularë të rinj dhe të përmirësuar për raportimin e sëmundjeve malinje, të cilët duhet të mundësojnë regjistrim më cilësor dhe më të strukturuar të rasteve dhe lidhjen e tyre me sistemin kombëtar të informacionit shëndetësor”, thanë nga Ministria.
Sipas tyre, të dhënat pritet gradualisht të integrohen me platformat digjitale “Termini im”, “Shëndeti im” dhe “skrining.mk”, në mënyrë që pacientja të mund të ndiqet nga momenti i ftesës për skrining, deri te mamografia, rezultati, diagnostikimi dhe trajtimi.
Derisa institucionet flasin për model që duhet të funksionojë më mirë në të ardhmen, gratë që sot kanë nevojë për diagnozë dhe trajtim përballen me sistemin i cili ende nuk arrin t’i mbulojë plotësisht nevojat e tyre.
Pavarësisht ngecjeve, aktivistët vijojnë lustën për ndërgjegjësim
Në këtë situatë, një pjesë të barrës vazhdojnë ta mbajnë organizatat e pacientëve dhe shoqëria civile, të cilat prej vitesh përpiqen t’i bindin gratë që kontrollet parandaluese të bëhen pjesë e rutinës.
Drejtuesja e Shoqatës “Ezra”, Liridona Beqiri, thotë se kujdesi duhet të nisë nga ndërgjegjësimi personal, por nuk duhet të përfundojë aty.
“Gjithmonë fushatat tona konsistojnë në rritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit te popullata, sepse patjetër që kujdesi për shëndetin fillon nga ndërgjegjësimi personal, duke vijuar më tej me vetëkontrollin dhe kontrollet parandaluese, të cilat duhet të jenë pjesë e rutinës së kujdesit apo kulturës sonë shëndetësore. Fatkeqësisht, ne ende nuk po arrijmë në atë nivel që insistojmë të arrijmë me fushatat tona”, ka thënë Beqiri.
Ajo thotë se kanceri i gjirit nuk kufizohet në një grup të caktuar dhe se sëmundja po prek edhe gra më të reja.
Megjithatë, ndërgjegjësimi i grave nuk mund ta zëvendësojë sistemin funksional. Një grua mund të jetë e informuar, të kërkojë kontroll dhe të jetë e gatshme të trajtohet, por përballë saj mbeten pyetjet se sa shpejt do të marrë termin, sa do të presë për ekzaminim, kur do të marrë diagnozën dhe sa larg duhet të udhëtojë për terapi.
This publication was produced within the framework of the project Queer and Present: Media, Rights and Safety for LGBTIQ+ persons in Pollog, which is implemented as part of the broader regional project Together for LGBTQI+ Equality, implemented by the Centre for Civic Education (CCE) in partnership with ERA – LGBTI Equal Rights Association for the Western Balkans and Turkey, Queer Montenegro, Queer Center Skopje, Tuzla Open Center, Open Mind Spectrum Albania (OMSA), and the Center for Social Group Development from Kosovo. The programme is funded by the European Union.

The contents of this publication are the sole responsibility of the Center for Equal Opportunities “Mollekuqja” and do not necessarily reflect the views of the European Union, CCE, or the project partners.



