Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut janë sot më të hapur se kurrë ndaj shoqërimit dhe bashkëpunimit me bashkëmoshatarë nga komunitete të tjera etnike, por potenciali i vërtetë i kësaj gjenerate për të ndërtuar një shoqëri më të integruar dhe më të barabartë mbetet ende larg nga shfrytëzimi i plotë.
Sidomos kur flasim për vajzat dhe gratë e reja, të cilat shpesh përballen me një ndarje të dyfishtë, etnik dhe gjinore, kur bëhet fjalë për hapësirat ku mund të shoqërohen lirshëm.
Sociologia Zana Reçi, në një bisedë të hapur dhe të thelluar për Mollëkuqja, thekson se familja, shkolla dhe rrethi shoqëror vazhdojnë të luajnë një rol vendimtar dhe shumë fuqishëm ndikues në mënyrën se si të rinjtë e sotëm e perceptojnë “tjetrin”, ndërsa ndarja etnike brenda sistemit arsimor, bashkë me mungesën e hapësirave të përbashkëta ku të gjithë mund të ndiheshin njëlloj të mirëpritur, e vështirësojnë ndjeshëm krijimin e marrëdhënieve të natyrshme dhe të qëndrueshme mes komuniteteve të ndryshme.
Megjithatë, pavarësisht këtyre pengesave strukturore, ajo sheh një potencial të vërtetë dhe të pashfrytëzuar te miqësitë e përditshme, te aktivitetet e përbashkëta dhe te angazhimi aktiv i të rinjve, elemente që, sipas saj, mund të sfidojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë stereotipet e trashëguara dhe të ndërtojnë ura të qëndrueshme mes komuniteteve.
Sipas saj, investimi konkret në qendra kulturore e sociale, në organizata rinore dhe në atë që sociologjia e quan “hapësira të treta”, pra vende ku të rinjtë e të rejat mund të takohen jashtë shkollës, familjes apo punës, do të përbënte një hap të rëndësishëm drejt një bashkëjetese më të afërt dhe më të barabartë për të gjithë.
A janë të rinjtë sot më të hapur ndaj bashkëjetesës dhe shoqërimit me të rinj nga etnitete të tjera?
Po, të rinjtë sot janë më të shoqërueshëm me njëri-tjetrin sesa gjeneratat e mëparshme, por pritshmëritë që ekzistonin për Gjeneratën Z nuk janë realizuar plotësisht. Sigurisht, nuk ekziston më ai tension i drejtpërdrejtë që lidhej me konfliktet politike dhe ushtarake, megjithatë afrimi dhe lidhja mes komuniteteve etnike nuk është përmirësuar në nivelin që do të pritej. Ndërsa politikat shtetërore synojnë të promovojnë multikulturalizmin dhe bashkëjetesën, në praktikë shohim më shumë indiferencë ndaj “tjetrit”, përveç rasteve kur kontakti është i pashmangshëm.
Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut, sidomos në zonat ku ka një përzierje të theksuar etnike, ende priren të qëndrojnë brenda rrethit të tyre dhe mes “njerëzve të vet”. Edhe pse bëhet fjalë për një gjeneratë moderne, në shumë aspekte ajo vazhdon të jetë më tradicionale dhe konservatore nga sa mund të pritej.
Sa ndikon rrethi, familja, shkolla, lagjja apo rrjetet sociale në mënyrën si i shohim etnitë e tjera?
Familja dhe rrethi shoqëror përbëjnë hapësirën e parë të socializimit, ku individi mëson për “tjetrin”, për atë që konsiderohet i huaj, dhe fillon të formojë identitetin kolektiv përveç atij personal. Në këtë mjedis, mëson të dallojë grupin e vet nga grupet e tjera dhe krijon perceptime për dallimet etnike e kulturore. Në shkollë, ky proces vazhdon. Barrierat gjuhësore, ndarja etnike, mungesa e kurrikulave gjithëpërfshirëse vazhdojnë ta vështirësojnë integrimin mes etnive. Fakti që grupe të ndryshme etnike janë pjesë e të njëjtit sistem arsimor nuk do të thotë domosdoshmërisht se mes tyre krijohet integrim i vërtetë multikulturor.
Rrjetet sociale kanë një ndikim të shumëfishtë në këtë proces. Përveç se ndihmojnë në problemin e izolimit duke e bërë më të lehtë të rinjtë të kenë kontakt me etni të ndryshme, ka edhe efektin e kundërt. Për shembull, r/mkd është një komunitet në platformën Reddit ku shumë të rinj maqedonas diskutojnë tema politike, shoqërore dhe të përditshme. Në diskutime të tilla shfaqen herë pas here komente ose qëndrime ksenofobike ndaj shqiptarëve e romëve, në formë të normalizuar apo të paraqitur si humor. Ky është një shembull se si hapësirat online mund t’ju shfaqen të rinjve vazhdimisht me një këndvështrimi të caktuar për grupet e tjera dhe, me kalimin e kohës, të kontribuojnë në përvetësimin dhe riprodhimin e këtyre ideve.
A është problemi se nuk duam ta njohim njëri-tjetrin, apo thjesht nuk kemi mjaftueshëm mundësi për t’u njohur?
Më shumë bëhet fjalë për të dytën. Një analizë e realizuar nga Universiteti i Tetovës sugjeron se tensionet etnike te të rinjtë ushqehen nga shumë faktorë, ndër të cilët edhe segregimi në shkolla. Siç u përmend, shkolla dhe familja janë baza ku formohet identiteti ynë kolektiv.
Kur gjatë kësaj periudhe të rinjtë i shohin pjesëtarët e etnive të tjera të ndarë fizikisht, qoftë në shkolla të ndryshme apo në pjesë të veçanta të së njëjtës shkollë, kjo e përforcon idenë e “tjetrit” dhe e bën më të vështirë krijimin e lidhjeve të natyrshme mes komuniteteve.
Cilat janë hapësirat ku të rinjtë mund të takohen natyrshëm dhe të ndërtojnë marrëdhënie përtej ndarjeve etnike, çfarë duhet të bëhet në këtë drejtim?
Ekziston mungesa e të ashtuquajturave “hapësira të treta” pra vende jashtë familjes, shkollës apo punës, si: klubet sociale, hapësirat për të kaluar kohën, qendrat kulturore, hapësirat për lojëra dhe aktivitete të tjera, ku të rinjtë mund të ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Sa më e madhe të jetë distanca mes komuniteteve, aq më shumë hapësirë krijohet për paragjykime. Për shumë të rinj, qendrat tregtare, rruga apo kafenetë janë pothuajse të vetmet “hapësira të treta” nëse nuk janë në klub sportiv.
Por, duke qenë hapësira të pastrukturuara, ato nuk krijojnë domosdoshmërisht mundësi reale për njohje dhe socializim mes të rinjve nga etni të ndryshme. Investimi në sektorin e OJQ-ve, në qendra artistike, kulturore dhe sociale, do të ishte një hap konkret drejt asaj që institucionet tona vazhdimisht deklarojnë se synojnë: multikulturalizmit.
Sa mund të ndikojnë miqësitë dhe bashkëpunimet mes të rinjve në thyerjen e paragjykimeve etnike?
Miqësia dhe bashkëpunimi mes të rinjve kanë një rol të fuqishëm në thyerjen e paragjykimeve etnike. Një nga mekanizmat kryesorë përmes të cilëve ruhen qëndrimet konservatore ndaj grupeve të tjera është izolimi social. Sa më pak kontakt të ketë mes komuniteteve, aq më lehtë krijohen perceptime negative për “tjetrin”, i cili fillon të shihet jo si individ, por si karikaturë.
Në aspektin sociologjik, kontakti i drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimi mes grupeve mund t’i sfidojë këto përfytyrime. Miqësitë, aktivitetet e përbashkëta në shkolla, udhëtimet, klubet sociale dhe shkëmbimet kulturore me të rinj edhe prej shteteve të tjera, u japin të rinjve mundësinë të ndërveprojnë me njëri-thetrin. Përmes këtyre përvojave, ata mund të vënë në pyetje dhe të “çmësojnë” stereotipet që kanë përvetësuar gjatë socializimit, duke e parë personin tjetër si individ dhe jo vetëm si përfaqësues të një grupi etnik.



