*Spoiler alert
Kinemaja ka qenë gjithmonë pasqyrë e shoqërisë, por edhe një mënyrë për ta formësuar atë. Ajo që shohim në ekran shpesh nuk mbetet vetëm film bëhet mënyrë si e kuptojmë botën. Prandaj, kur flasim për dhunën ndaj grave në film, nuk flasim vetëm për artin, por edhe për etikën. A është kjo dhunë vetëm pasqyrim i realitetit patriarkal, apo po e bën atë më të pranueshëm?
Filmi ‘God Exists, Her Name Is Petrunya’ i regjisores Teona Strugar Mitevska e hap pikërisht këtë plagë. Në qendër është Petrunja një grua e zakonshme, e arsimuar, por e papunë, e cila jeton në një shoqëri ku gruaja shpesh nuk shihet si subjekt, por si problem.
Ajo që në fillim përballet me një formë të heshtur dhune: përjashtim, nënçmim, dhe objektizim. Në një intervistë pune, ajo nuk vlerësohet për dijen, por për pamjen. Dhe aty dhuna nuk është e zhurmshme, është e qetë, e përditshme, dhe pikërisht për këtë bëhet më e rrezikshme. Pastaj vjen momenti që e thyen rutinën: Petrunja hidhet në lum dhe e kap kryqin gjatë një rituali që tradicionalisht ‘u përket’ burrave. Një veprim i thjeshtë, por që në atë shoqëri bëhet ‘skandal’. Jo sepse ajo ka bërë diçka të gabuar, por sepse ka prekur një kufi të padukshëm të pushtetit burrëror.
Dhe aty fillon reagimi: zemërim, ofendim, presion. Jo vetëm nga individët, por edhe nga sistemi. Policia, media, kisha të gjitha e kthejnë ngjarjen në debat, por jo për të mbrojtur Petrunjën, por për ta ‘zgjidhur problemin’ që ajo përfaqëson.
Por, filmi nuk e ndalon dhunën vetëm te ngjarja. Ai e shtrin edhe më thellë: në mënyrën si shoqëria e shikon gruan që del jashtë rolit të saj. Dhe këtu lind pyetja e vërtetë a po e shohim këtë si kritikë ndaj patriarkatit, apo thjesht po mësohemi me të? Sepse kur dhuna përsëritet në ekran, kur poshtërimi bëhet pjesë e narrativës, ekziston rreziku që ajo të mos na tronditë më. Të mos na duket më e padrejtë, por e zakonshme. Dhe ky është momenti ku arti kalon kufirin e rrezikshëm mes reflektimit dhe normalizimit.
God Exists, Her Name Is Petrunya nuk jep përgjigje të lehta. Filmi nuk e zbukuron realitetin, por as nuk e zgjidh atë. Vetëm e vendos përpara nesh, të zhveshur, si një pyetje që nuk mund ta shmangim. Dhe ndoshta pyetja më e rëndësishme që mbetet është kjo: kur shikojmë dhunën ndaj grave në film, a po e kuptojmë si kritikë apo tashmë si diçka që ‘ndodh gjithmonë’?


