Parada e krenarisë u mbajt më 20 qershor në Shkup. Që nga viti 2019, pjesëtarë të komunitetit LGBTI+ dhe përkrahës marshojnë në rrugët e Shkupit për të rritur vetëdijen e përgjithshme në lidhje me urrejtjen institucionale me të cilën përballen anëtarët e këtij komuniteti. Ata me tjerash i rikujtuan masës se janë këtu, kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë. Aktivistët e vendit si dhe raportet ndërkombëtare alarmojnë për regres në drejtim të respektimit të të drejtave të personave LGBTI+ në Maqedoninë e Veriut.
“Të gjithë le ta dinë” ishte motoja e kësaj parade. Pse kjo moto?
“Ky slogan komunikon shumë gjëra. Së pari, ai përcjell nevojën për të dalë jashtë katër mureve, ose për të ndalur fshehjen e orientimit seksual dhe identitetit gjinor të personave LGBT. Kjo, sepse përjetimi i një përvoje të tillë vetmuese sjell edhe pasoja të tjera për komunitetin tonë, të cilat janë të dukshme si te shëndeti mendor, ashtu edhe te ai fizik. Slogani gjithashtu komunikon të gjitha sfidat shoqëruese që vijnë bashkë me dukshmërinë. Pra, dukshmëria, apo procesi i të zbuluarit (autimi), nuk është aspak një proces i thjeshtë, është një proces i vazhdueshëm që përsëritet. Një person LGBT duhet vazhdimisht, gjatë gjithë jetës së tij, të zbulohet sërish e sërish, dhe nuk ekziston diçka e tillë si një zbulim i plotë e përfundimtar”, kishte deklaruar aktivisti Angel Dimitrievski.
Sara Milenkovska, aktiviste dhe pjesë e bordit organizativ të paradës për 360 Gradë ka theksuar nevojën e inkurajimit të njëri-tjetrit brenda komunitetit LGBTI+.
“Një nga mënyrat me të cilat shtypet vetë komuniteti është pikërisht ta bëjnë atë të padukshëm. Por kur inkurajojmë njëri-tjetrin, kur e tregojmë ekzistencën tonë në rrugë, në hapësirën publike, për ne është e rëndësishme që ta dinë, sidomos të rinjtë që ndoshta nuk jetojnë në Shkup dhe nuk e kanë komunitetin dhe mbështetjen, që megjithatë ka njerëz që janë këtu për ta, që t’i inkurajojnë e t’i mbështesin në atë që janë, pavarësisht se shoqëria u thotë diçka tjetër”, tha Milenkovska.
Komuniteti LGBTI+ në Maqedoninë e V. përballet me një ndër krizat më të mëdha
“Thellësisht të alarmuar” shkruan në raportin e Bashkimit Evropian për Maqedoninë, në pjesën kur flet për urrejtjen kundrejt personave LGBTI+ dhe organizatave të shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut.
“Bëjmë thirrje që mbrojtja ligjore e të drejtave të personave LGBTI+ të pëmirësohet si dhe gjuha e urrejtjes kundrejt koumunitetit të adresohet, përfshirë atë online; jeni thellësisht të alarmuar me eskalimin e urrejtjes kundrejt personave LGBTI+ dhe organizatave joqeveritare në Maqedoninë e Veriut.” shkruan në raportin e Parlamentit Evropian.
Milenkovska thotë se komuniteti LGBTI+ në vend po përjeton një prej periudhave më të vështira.
“Kur bëhet fjalë për komunitetin tonë, ajo që shohim, edhe përmes mënyrave me të cilat i dokumentojmë rastet e dhunës, të dhunës institucionale, por edhe sipas përvojave, është se ndoshta tani për tani jemi në një nga krizat më të mëdha që ka pasur ndonjëherë. Sidomos sepse shohim se kemi institucione që adoptojnë retorika antigjinore, që adoptojnë jo vetëm narrativa që duket qartë se janë të importuara drejtpërdrejt, por edhe politika në të cilat fshihet identiteti gjinor, barazia gjinore, fshihen të gjithë mekanizmat e mbrojtjes që prej vitesh disa para nesh, edhe ne vetë, përpiqemi t’i bëjmë sa më funksionalë, që të mund të tregohet sa më drejtpërdrejt edhe diskriminimi, edhe gjuha e urrejtjes, edhe dhuna institucionale”, kishte thënë Sara Milenkovska për 360 Gradë.
Angel Dimitrievski gjithashtu potencoi se në këtë drejtim shteti ka përjetuar regres, sidomos nëse krahasohet me paradën e parë të krenarisë që u mbajt në vitin 2019.
“Në fillimet e saj, parada gëzonte mbështetje edhe nga politikanë që vinin vetë në paradë. Vitin e kaluar nuk kishte absolutisht askënd nga strukturat politike në Paradën e Krenarisë, gjë që tregon se politikanët tanë, të cilët i kemi votuar, nuk janë të gatshëm të vijnë e t’i japin mbështetje një komuniteti që është i margjinalizuar. Në të kaluarën kemi pasur dy presidentë të shtetit që kanë ardhur në parada, kjo tashmë nuk ndodh më fare. Pra, kjo tanimë është një llogaritje se si kjo çështje do të ndikojë te strukturat dhe pozicionimi politik i një partie. Përkundër kësaj, ne nuk besojmë se na duhet ndonjë lloj miratimi nga strukturat politike, por kjo është një shenjë e fortë e qëndrimit të tyre, se ku ndodhen lidhur me këtë çështje”, tha Dimitrievski për 360 Gradë.
Lëvizje në zona të kufizuara nga frika, vetëm 21% flasin hapur për identitetin
Sipas hulumtimit të Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA), në Maqedoninë e Veriut vetëm 21% e të anketuarve nga komuniteti LGBTIQ+ mund të flasin hapur për identitetin e tyre – shumë më pak se mesatarja evropiane prej 51% – ndërsa 74% shmangin në mënyrë aktive shfaqjet publike të afeksionit për shkak të frikës nga ngacmimi.
Shkalla e shqetësimit për sigurinë e tyre dëshmohet edhe nga fakti se 43% shmangin zona të caktuara për të ulur rrezikun e sulmit. Diskriminimi shtrihet edhe në vendin e punës, ku 27% e personave LGBTI+ janë përballur me diskriminim në vendin e punës ose me probleme gjatë punësimit në vitin që i parapriu hulumtimit të agjencisë, përqindje kjo më e lartë se mesatarja e BE-27 prej 19%.
“Miratimi i një strategjie apo plani kombëtar për barazinë e personave LGBTIQ është ende në pritje. Nuk janë ndërmarrë hapa për zbatimin e aktgjykimit të janarit 2019 të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) lidhur me njohjen ligjore të gjinisë. Gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit vazhdon në rrjetet sociale”, theksohet në raport.
Lidhur me këto çështje, Lila Miliq – bashkëthemeluese e Transforma, për Mollëkuqja tha se gjendja e të drejtave të personave transgjinorë dhe e komunitetit më të gjerë LGBTIQ+ në Maqedoninë e Veriut mund të vlerësohet si pjesërisht e rregulluar në nivel ligjor, por pamjaftueshëm e mbrojtur në praktikë.
“Mungesa e njohjes ligjore të gjinisë ka pasoja të drejtpërdrejta dhe serioze në jetën e përditshme të personave transgjinorë, pasi identiteti i tyre ligjor nuk përputhet me jetën dhe pamjen e tyre reale. Kjo do të thotë se pothuajse çdo procedurë administrative ose institucionale, si aplikimi për punë, përdorimi i shërbimeve shëndetësore, udhëtimi, hapja e një llogarie bankare apo identifikimi i thjeshtë, mund të çojë në poshtërim, dyshim, refuzim të shërbimit apo ekspozim ndaj diskriminimit dhe dhunës. Për këtë arsye, shumë persona trans shmangin punësimin formal, shërbimet shëndetësore apo procedurat administrative, duke thelluar më tej margjinalizimin e tyre ekonomik dhe social”, tha Miliq.
Ishte e frikshme të jesh transgjinore në Maqedoni, artistja rrëfen sfidat e tranzicionit
Fifi Janevska, e njohur për publikun rajonal si këngëtare dhe figurë publike që prej paraqitjes së saj në X Factor Adria, për Mollëkuqja solli një rrëfim thellësisht personal mbi një jetë që, siç thotë vetë ajo, “filloi si një film i mbushur me dhimbje, tradhti dhe luftë për mbijetesë”.
Nga momenti kur ishte e vetëdijshme për identitetin e saj që në moshën pesëvjeçare, te tranzicioni, paragjykimet, debatet publike dhe përballjet me diskriminimin institucional. Historia e Fifit është rrëfimi i një ‘lufte’ të vazhdueshme për autenticitet.
“Kanë kaluar shumë vite që nga koha kur jetoja në Ballkan. Në kohën kur isha atje, ishte fikshëm e vështirë, ndërsa tani mendoj se gjërat janë më të lehta dhe shpresoj që të rinjtë nuk kalojnë ato që unë kam kaluar. Të jesh trans në Ballkan do të thotë të balancosh vazhdimisht midis dukshmërisë personale dhe sigurisë. Mungesa e pranimit ndjehet kryesisht në institucione, sistemin shëndetësor dhe ndërveprimet sociale të përditshme, ku mosdija shpesh çon në stigma”,tha Janevska.
Megjithatë,ajo thotë se sheh shenja ndryshimi, më shumë të rinj, aktivistë dhe media të pavarura hapin hapësirë për dialog, dhe temat e identitetit gjinor janë më të dukshme se më parë.
“Ndryshimet janë të ngadalta, por ekzistojnë. Një gjë shumë e rëndësishme për mua është të mësohet të bëhet dallimi mes një personi realisht trans dhe fetishistëve që përvetësojnë statusin trans për interesa personale, shpesh për prostitucion, fatkeqësisht”, tha Fifi Janevska.
230 raste të gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ+ brenda një viti në RMV
Problem tjetër në vend mbetet edhe gjuha e urrejtjes kundër komunitetit LGBTIQ+.
Sipas një raporti të Komitetit të Helsinikit, pjesa më e madhe e rasteve të gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës shqetësuese janë regjistruar në rrjetet sociale..
“Vetëm përmes platformave të dokumentimit u regjistruan 230 raste të raportuara të gjuhës së urrejtjes mbi bazën e orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Pjesa më e madhe e rasteve ndodhën në rrjetet sociale, ku u vu re përhapje e theksuar e gjuhës homofobike dhe transfobike në kontekstin e ngjarjeve si Shkupi Pride, si dhe gjatë zgjedhjeve presidenciale. Edhe pse u inicuan të paktën tetë procedura ligjore – përfshirë kallëzime penale për përhapje të materialeve raciste dhe ksenofobike përmes sistemeve kompjuterike – reagimi institucional ishte i dobët. Një pjesë e kallëzimeve u hodhën poshtë nga prokuroritë pa arsyetim që do ta pasqyronte rëndësinë e veprës, ndërsa në raste të tjera përgjigjja ende pritet”, thuhet në raport.
Përveç gjuhës së urrejtjes, janë dokumentuar edhe raste të diskriminimit të drejtpërdrejtë dhe dhunës.
Një sociologe nga vendi, vetë pjesë e komunitetit LGBTQI+, e cila për arsye personale kërkoi të mos i publikohet emri thotë se njerëzit shpesh bien pre e fushatave dezinformuese për komunitetin LGBTIQ+.
“Në Ballkan, ajo që dimë për personat queer shpesh vjen nga dezinformimi politik ose nga qasje shkollore bio-esencialiste, të cilat refuzojnë ta shohin njeriun si qenie sociale dhe politike. Në këtë kontekst, stigmatizimi ecën krah për krah me seksizmin dhe mizogjininë. Shoqërisë i prezantohet një model i ngurtë i asaj se çfarë është një “burrë i vërtetë” dhe një “grua e vërtetë”, i shoqëruar me një listë karakteristikash dhe standardesh të pritshme. Kur këto standarde nuk arrihen, individi përballet me vështirësi integrimi – pavarësisht orientimit seksual”, tha sociologja.
Nga ana tjetër, raporti analitik për të drejtat e LGBTI në RMV 2023-2025 i publikuar nga Instituti për të Politika Evropiane (IPE), thotë se korniza ligjor që trajton diskriminimin dhe krimet e urrejtjes mbi bazën e orientimit seksual dhe identitetit gjinor është në masë të madhe e konsoliduar dhe e harmonizuar me acquis-në e BE-së dhe standardet evropiane. Megjithatë, zbatimi i saj mbetet i pamjaftueshëm dhe kërkon përmirësime të konsiderueshme.
“Përpjekjet për promovimin e barazisë dhe dënimin e gjuhës së urrejtjes, krimeve të urrejtjes, diskriminimit dhe intolerancës duhet të forcohen. Për më tepër, politikanët duhet të përmbahen nga përdorimi i gjuhës diskriminuese. Kodi Penal nuk ka një përkufizim të qartë dhe gjithëpërfshirës të gjuhës së urrejtjes, duke u lënë organeve të zbatimit të ligjit hapësirë të gjerë diskrecioni për të vendosur se cilat raste do të hetohen dhe ndiqen penalisht. Krimet e urrejtjes ndaj personave LGBTI+ mbeten të nënraportuara, kryesisht për shkak të frikës nga hakmarrja dhe mungesës së besimit në organet e rendit, ndërsa mbrojtjet ligjore ekzistuese zbatohen dobët. Për më tepër, krimet e motivuara nga paragjykimi nuk regjistrohen siç duhet dhe nuk hetohen në mënyrë të plotë nga policia dhe prokuroritë”, thuhet në analizën e IPE-së.
Maqedonia e Veriut edhe në raportin më të fundit të ILGA Europe është ranguar kah fundi i listës së vendeve për sa i përket të drejtave të komunitetit LGBTI. Sipas këtij raporti, në vitin 2025, vendi është vlerësuar me 29,26% dhe është renditur në vendin 31 nga 49 vendet sa i përket pozitës ligjore dhe politike të personave LGBTI, në fushat siç është barazia, gjuha e urrejtjes, njohja juridike e gjinisë dhe hapësirës për shoqërinë civile.
Maqedonia ka shënuar një rënie të lehtë në krahasim me vitin e kaluar dhe ka rangimin më të dobët në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Më mirë e renditur në rajon është Kosova, e cila zë vendin e 28 me 34,82%, e ndjekur nga Serbia në vendin e 27 me 35,26% dhe Shqipëria në vendin e 26 me 35,45%. Ndërkaq më mirë nga vendet e rajonit qëndron Mali i Zi, i cili renditet në vendin e 19 me 49,28%, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina me 39,63% zë vendin e 24-të.





