Rastësisht filloi të merret me balet, rrugës u përball me shumë sfida – ndërsa sot, është ndër djemtë më të suksesshëm në kërcim. Andi Ismaili, një i ri 14 vjeçar që vjen nga Gostivari për pak minuta vallëzim, arriti të bind jurinë e një gare në Kroaci që ta çojnë drejtpërdrejtë në finale, përderisa ai bëhet gati për netët finale – Mollëkuqja e shfrytëzoi rastin për një bisedë të shkurtër.
“Jam përballë me lloj-lloj përbuzjesh” i tha Andi gazetarit të Mollëkuqja. Kjo pasi për shoqërinë në Maqedoninë e Veriut nuk është e zakonshme që një djal; të merret me balet, një terren që rolet-gjinore e kanë “rezervuar” për vajzat.
I ri në moshë, por Andi thotë se ofendimet e bashkëmoshatarëve i ka gëlltitur – ajo që ka qenë shumë e vështirë për të, ka të bëje me komentet e një mësimdhënëse, e cila ka tentuar që ta largojë atë nga baleti përmes ofendimeve të ndryshme.
“Kur është nga bashkëmoshatarët e kuptoj, por ajo që më ka goditur më së shumti është nga një mësimdhënëse, e cila e mban veten për artiste, disa herë e kam përmendur sa që nuk ja vlen më” tha Andi Ismaili, i cili tashmë po shkëlqen në fushën e vallëzimit, edhe atë jo vetëm në Maqedoninë e Veriut.
“As nuk e kam menduar ndonjëherë të heq dorë nga baleti”
Andi arriti që t’i thyej “rregullat” e roleve-gjinore se baleti është vetëm për vajza, por për këtë – ai kishte mbështetjen e familjes, gjë që jo të gjithë djemtë që e duan vallëzimin, e kanë, për ata, Andi ka një porosi.
Është shumë e rëndësishme që të ndjekin ëndrrat e tyre për shkak se asnjëherë nuk i dihet se ku mund të arrijnë, pa e provuar normal që nuk mund ta dinë, unë ju them të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos i dëgjojnë komentet negative, thjeshtë le të mendojnë për suksesin, ne jemi një vend i vogël dhe më shumë u japim rëndësi thashethemeve se sa artit apo kulturës.
Andi Ismaili
Hapat e para të Andit në vallëzim s’kanë qenë të lehta, ai në këto ujëra hyri krejtësisht në mënyrë rastësore. Thotë se “gruaja e dajës i dërgonte vajzat e dajës, dhe unë shkova atë ditë fillova të performoj, trajnerët Sarita Selmani dhe Vullnet Neziri menjëherë zbuluan se kam talent për të vazhduar”
- Videon e plotë të Andit duke performuar në një kompeticion në Kroaci, mund ta ndiqni duke klikuar KËTU.
Sot, ai është ndër emrat më të njohur për balet në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm. Andi është dy herë kampion bote në kërcim modern.