April 30th, 2022
Komuniteti transgjinor ka shpresa për rikthimin e shpejtë në procedurë parlamentare dhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Evidencën Amë, me të cilat thonë se do të ishte përmirësuar në disa aspekte përditshmëria e tyre. Nga nisma “TransFormA” u shprehën që ky ligj do të siguronte përvoja pa diskriminim në sportelet administrative.
"Me miratimin e Ligjit për Njohjen Ligjore të Gjinisë do të reduktohet diskriminimi institucional që vuajnë çdo ditë personat transgjinorë nga institucionet por edhe nga publiku i gjerë. Komuniteti transgjinor ka një barrierë dhe pengesë për integrimin në shoqëri dhe në tregun e punës, do të munden shumë më lehtë të punësohen, të gjejnë vendbanim, të përdorin shërbime shëndetësore. Komuniteti transgjinor ka thjeshtë të drejtën për një jetë dinjitoze dhe barazi”
TransFormA
Ndryshimet në Ligjin për Evidenvën Amë parashikojnë që personit i cili dorëzon kërkesën për njohjen ligjore të gjinisë të mos i kërkohet dorëzimi i provave të një procedure kirurgjikale të rirregullimit të tërësishëm ose të pjesërishëm të organeve gjenitale, prova të terapisë hormonale ose të ndonjë trajtimi psikiatrik, psikologjik ose mjekësor të çfarëdo lloji.
Nga biseda me përfaqësues të nismës “TransFormA” mësuam për vështirësitë me të cilat përballen personat që kanë ndryshuar gjininë duke qenë se dokumentet e tyre personale identifikojnë gjininë me të cilën janë evidentuar gjatë momentit të lindjes. Kjo shpesh i vendos në pozitë të palakmueshme, sidomos para instancave të sigurisë.
“Personat që nuk kanë dokumente të ndryshuara dhe harmonizuara nuk kanë asnjë pengesë për të arritur të drejtat themelore të tyre. Komuniteti transgjinor nuk e gëzon këtë, sepse ne jemi përballur me situatat ku jemi akuzuar se kemi përdorur dokumente të rrejshme dhe të falsifikuara, jemi përballur me situata ku burrave transgjinorë nuk u është lejuar t'i merrnin rezultatet e PAP testit, jemi përballur me situata ku ishim të detyruar t’i tregojmë organet gjenitale vetëm për të kaluar kufirin, jemi përballur me situatë ku aktivistët tanë pasi kanë dalë në televizion nacional u dëbuan nga banesa që kishin marrë me qira për të jetuar, etj.”
TransFormA
Propozim-ndryshimi i ligjit për Evidencën Amë hyri në procedurë parlamentare nga mesi i muajit maj por u tërhoq për shkak të kritikave dhe refuzimit të pjesës më të madhe të partive politike. Arsyetimi në Kuvend ishte se propozimi ishte tërhequr për t’u plotësuar dhe se do të lëshohej përsëri në procedurë. Nga Ministria e Drejtësisë, si bartës, nuk japin detaje se cilat do të jenë ndryshimet plotësuese që do të bëhen në propozim-ligj. Vetëm thonë se dispozitat aktuale në fuqi janë të vjetërsuara dhe nevojitet përshtatje me trendët moderne.
“U tërhoq për harmonizim me Ligjin për Evidencën Amë për shkak të nevojës së reformimit të sistemit të regjistrimit të fëmijëve të porsalindur duke qenë se dispozitat ligjore janë të vjetruara dhe nuk korrespondojnë me gjendjen reale me të cilën përballet sistemi ynë juridik. Zgjidhja ligjore që rregullon sistemin e regjistrimeve në librat amë të të lindurve, të kurorëzuarve dhe të vdekurve duhet të përshtatet me ndryshimet e shpejta të trendeve moderne. Për këtë arsye, është e nevojshme të merret parasysh procesi i dixhitalizimit dhe ndërveprueshmërisë”
Ministria e Drejtësisë
Në anën e personave trangjinorë që kërkojnë avancim të të drejtave të tyre janë organizatat për të drejtat e njeriut.
Komiteti i Helsinkit, si njohës të mirë të këtyre këtyre të drejtave, sqarojnë propozim-ndryshimet që ishin në procedurë e që nuk arritën të miratohen. Ata thonë se procedura do të fillonte me paraqitjen e kërkesës për njohje ligjore të gjinisë tek Zyra e Regjistrimit nga personi që kërkon njohjen ligjore të gjinisë. Kësaj kërkese personi i bashkëngjit një kopje të kartës së identitetit, një vërtetim për gjendjen e lirë martesore dhe deklaratë të bërë nga noteri në formën e një akti noterial që identiteti i tij gjinor nuk është në përputhje me gjininë e shënuar në librat amë në momenti i lindjes dhe se ndryshimin e shenjës së gjinisë nuk e bën për të iu shmangur një detyrimi ligjor ose ndonjë marrëveshje, ose për t’iu shmangur ekzekutimit të një dënimi të shqiptuar nga gjykata kompetente nën përgjegjësinë e plotë materiale dhe penale. Më pas Drejtoria merr një vendim i cili pasi të jetë i formës së prerë, detyron Zyrën të ndryshojë të dhënat për këtë person në pjesën e emërtimit gjinor. I njëjti vendim më pas dorëzohet nga Drejtoria tek Ministria e Punëve të Brendshme me kërkesë për anulimin e numrit amë të personit. Komiteti i Helsinkit ka vërejtur që lajmet për ligjin në fjalë u përcollën me dezinformata.
“Si parakusht për fillimin e procedurës për njohjen ligjore të gjinisë është që personi të jetë në gjendje të lirë martesore, që do të thotë se me ndryshimin e të dhënave në pjesën e shenjës së gjinisë, nuk do të shfaqen martesa mes personave të të njëjtës gjini, siç ishte plasuar dezinformata në publik, por përkundrazi, ky ligj parandalon martesat e të njëjtës gjini. Për ata që nuk kanë njohuri, martesa në vendin tonë rregullohet me Ligjin e Familjes, jo me këtë ligj”
Komiteti i Helsinkit
Ata shtojnë se kjo bie në kategorinë e të drejtave themelore të njeriut. Personat transgjinor, sipas tyre, për dekada janë të ekspozuar ndaj diskriminimit, ngacmimit dhe dhunës.
“Është e rëndësishme të përmendim se Kushtetuta jonë garanton integritetin trupor të të gjithë qytetarëve në të drejtimi nuk mund të kërkohet dorëzimi e ndonjë prove në kundërshtim me këtë dispozitë kushtetuese. Ndryshimi i Ligjit për Evidencën Amë, gjegjësisht mundësia për njohjen gjinore është një hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm drejt realizimit të të drejtave të njeriut të personave transgjinorë në vend që për dekada kanë jetuar të margjinalizuar dhe janë të ekspozuar ndaj rrezikut të vazhdueshëm nga diskriminimi, ngacmimi dhe dhuna për shkak të mospërputhjes së dokumenteve me identitetin e tyre gjinor"
Komiteti i Helsinkit
Dimitar Nikollovski, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Strategji Evropiane “Eurothink” shprehet se propozim-ligj do të ua lehtësojë jetën bashkëqytetarëve të këtij komuniteti dhe se do të ndikojë në heqjen e barrierave administrative që hasin personat transgjinor.
"Si një vend në të cilin (të paktën deklarativisht) ushqehet diverziteti dhe duke pasur parasysh strategjinë "Një shoqëri për të gjithë", është thelbësore të merren zgjidhje ligjore që do të jenë të ndjeshme ndaj identiteteve të ndryshme në vend, dhe të cilat përfundimisht do të ua lehtësojmë jetën bashkëqytetarëve tanë. Mendoj se ideja e përgjithshme e projektligjit (pas harmonizimit të ndryshimeve përfundimtare) është e mirë dhe e përshtatshme për heqjen e barrierave administrative që hasin personat transgjinorë. Edhe pse ky është një hap i vogël në tablonë globale të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, me miratimin e këtij ligji shteti do të përparojë dhe do të tregojë se kujdeset për të gjithë qytetarët në përputhje me nevojat e tyre”
Dimitar Nikollovski
Nga ana tjetër, sipas Nikollovskit, mos miratimi i këtij ligji nënkuptonte regres në fushën e të drejtave të njeriut.
“Mosmiratimi i këtij ligji do të tregojë se ne jemi skllevër të rrymave konservatore që duan të ruajnë status quo-n, dhe në këtë mënyrë të krijojnë një atmosferë ku grupe të caktuara qytetarësh nuk janë të mirëpritur dhe nuk kanë mbrojtje nga shteti. Një aspekt i rëndësishëm i konceptit të të drejtave të njeriut është se ato duhet të promovohen dhe mbrohen vazhdimisht dhe mos miratimi i këtij ligji për vendin tonë do të nënkuptonte regres në këtë kuptim”
Dimitar Nikollovski
Partitë politike u gjendën përballë propozim zgjidhjes ligjore për të cilën kishin qëndrime të ndryshme. Të kontaktuar së fundmi ata nuk treguan se çfarë pozite do të mbajnë kur propozim-ndryshimet e plotësuara të ligjit të rikthehen në procedurë parlamentare. Megjithatë, në kohën kur ligji ishte akoma në procedurë, ata ishin prononcuar para mediave. LSDM-ja dhe BDI-ja, si parti në pushtet, ishin deklaruar se shteti është i detyruar të ndryshojnë ligjin për evidencën amë për shkak të kërkesave nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njerit.
“Për shkak se falë kësaj çështje shteti paguan dëmshpërblim si pasojë e vendimeve në Gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg, detyrim i jonë mbetet t’i mbrojmë qytetarët dhe buxhetin”, kishin deklaruar nga LSDM-ja.
Aleanca për Shqiptarët, Alternativa dhe VMRO-DPMNE-ja kishin thënë se nuk do ta mbështesin një ligj të tillë.
“Angazhohemi për ruajtjen e vlerave familjare dhe institucionin e familjes, si dhe luftimin e dukurive që sulmojnë këtë ind themelorë të shoqërisë”, kishin thënë nga Aleanca për Shqiptarët.
“Për ne është e papranueshme të rrënohet familja tradicionale dhe të lejohet një tip tjetër i organizimit social që dëshiron të abuzojë me nocionin familje”, ishte qëndrimi i Alternativës.
“VMRO-DPMNE-ja është kundër kësaj zgjidhje ligjore e cila krijon bazë që në të ardhmen të ndryshohet Ligji për familjen në të cilin rregullohet martesa dhe familja si bashkësi mes një femre dhe një mashkulli”, kishin thënë nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.
Iniciativa “TransFormA” u bën thirrje partive politike që në një mundësi të dytë, të rishikojnë pozitën e tyre dhe të ngrenë në një nivel tjetër të drejtat e njeriut në vend.
“Prandaj, apelojmë te deputetët dhe të gjitha institucionet relevante të përmbushin në mënyrë të paanshme dhe profesionale detyrimet e tyre të ndërmarra para institucioneve evropiane dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, të cilat do të bënin që personat transgjinorë të mund të marrin dokumente të harmonizuara në mënyrë të shpejtë, transparente dhe lehtësisht të qasshme dhe me atë dhe trajtimin institucional si të gjithë qytetarët e tjerë”
TransFormA
Nisma për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Evidencëm Amë dhe përshtatjen e tij me legjislaturën evropiane erdhi pasi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në epilogun e gjykimit ndaj një personi transgjinor nga vendi, kishte udhëzuar Maqedoninë e Veriut që të mundësojë një procedurë të shpejtë, transparente dhe të qasshme të njohjes gjinore e cila do të bazohet në vetëvendosje nga ana e vetë individit.
Era Gjakova është PhD kandidate në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si prezantuese e edicionit informativ si dhe moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në TV Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën etë drejtave të njeriut, barazisë gjinore, dhunës në familje, krimeve seksuale dhe medias.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia