October 23rd, 2023
Koncepti i asaj që quhet “punë” sot ka ndryshuar tërësisht, nëse dikur kërkoheshin aftësi specifike, që të zgjohesh në mëngjesh, vishesh dhe ikish për në punë – sot, ka punë që të vetmen kërkesë e kanë të kesh një numër të konsiderueshëm të ndjekësve në rrjetet sociale, “influencers” është një prej këtyre profesioneve, këto djem dhe vajza ndiqen shumë nga grupe të caktuara të njerëzve, varësisht nga tematika që ata e promovojnë apo kauza që e mbrojnë.
Me lindjen e profesioneve të reja, sidomos të atyre që dominohen nga gratë, lindin edhe “ide” të reja për masën me mendësi patriarkale për t’i gjykuar, nënçmuar dhe ofenduar të gjitha ato gra që ishin të guximshme mjaftueshëm sa për të qenë të parat në këtë profesion, në vendin tonë.
“Ku i more paratë për këto tesha?”, “kush të shëtiten ti nëpër botë?”, “e përdalë”, janë vetëm disa nga komentet me të cilat përballen në baza ditore influenceret në Maqedoninë e Veriut përderisa në botë, këto vajza paguajnë taksa dhe kjo punë quhet shumë normale.
Ndër gratë që përdorë ndjekësit për të mbrojtur kauza të ndryshme është Anita Latifi. Ajo në një bisedë me gazetarin e “Mollëkuqja” tha se në këtë anë burrat të cilët merren me aktivitete kriminale cilësohen si të suksesshëm, ndërsa gratë çfarëdo punë të bëjnë, do ju vendoset thjerrëza “e moralit”.
“Seksizmi ka rrënjë të thella në shoqërinë tonë. Për/në një shoqëri të tillë, influenceret janë gjah i lehtë. Jo që profesionet e lëmitë tjera me të cilat merren gratë janë të amnistuara nga aludimet e tilla, por influenceret u japin “më shumë liri e të drejtë” për t’u marrë me jetën e tyre.” tha Anita Latifi.
Almedina Ismajli, influencere dhe gazetare nga ana tjetër theksoi se ndër qëllimet kryesore të këtyre komentuesve, të cilët janë shumë, është të vendoset në pikëpyetje burimi i të ardhurave të influencereve. Ajo thotë se çdo ditë përballet me komente nënçmuese për punën e saj.
"U kënaqe, aspak nuk bën punë, me një foto merr para, ose nxirre një story të këtij lokali edhe se paguan kafen se ti ashtu punon. Te ne shpesh mundohen të të nënshtrojnë, e shohin me xhelozi në aspektin që u duket se unë fitoj shumë e “nuk bëj asgjë”, nuk e shohin si profesion." tha Almedina Ismajli.
Ajo shtoi se në vendin tonë tregu nuk është ende i strukturuar dhe jo çdo influencer punon në përputhje me ligjet pozitive në vend.
“Unë jam gjithmonë pro rregullave dhe ligjeve dhe vlerësoj se influencerët nuk duhet përjashtuar, edhe ata duhet paguar taksa shtetit. Kjo sepse çmimet kanë nisur të jenë po aq serioze sa përmasat që ky profesion po merr. Gjithsesi të gjitha marrëveshjet që bëj unë me çdo kompani, realizohen nëpërmjet kontratës dhe mjetet kalojnë nëpërmjet bankës”, theksoi Ismaili.
Pyetëm në Ministrinë e Financave nëse dhe cilat masa aplikohen për influencerët të cilët fitojnë të ardhura nga rrjetet sociale. Kjo ministri për Mollëkuqja thekson se me Ligjin ekzistues të tatimit mbi të adhuruat personale rregullohet tatimi i të ardhurave të personave fizikë, të cilët punojnë dhe fitojnë të ardhura përmes aktiviteteve në rrjetet sociale.
Sipas ligjit, ata kanë obligim që të hyrat t'i raportojnë në Drejtorinë e të Ardhurave Publike duke bërë llogaritje përmes sistemit e-pdd. Kjo vlen në rastin kur personi fizik, për shembull, ka të ardhura nga jashtë, të ardhura të tjera. Ligji parashikon që tatimi mbi të ardhurat personale paguhet çdo vit mbi shumën e të ardhurave të personave fizikë nga të gjitha burimet
Ministria e Financave.
Viteve të fundit rastet e gjuhës së urrejtjes në internet në Maqedoninë e Veriut, posaçërisht ndaj grave, vajzave, fytyrave publike dhe influencere janë shtuar dukshëm. Institucionet nuk po bëjnë mjaftueshëm për sanksionimin e saj, kjo theksohet nga raportet ndërkombëtare po ashtu edhe ata vendore si dhe nga sektori civil.
Gjuha e urrejtjes në internet në Maqedoninë e Veriut rregullohet në Kodin Penal, në nenin 394 g –përhapja e materialit racist dhe ksenofobik nëpërmjet sistemit kompjuterik. Siç mëson Mollëkuqja, nga viti 2017 deri në vitin 2023, në Departamentin e Krimeve Kompjuterike në Ministrinë e Brendshme janë pranuar mbi 50 kallëzime sipas nenit 394 g.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Vazhdon saga e deklaratave seksiste nga politikanët: Kryetari i Alternativës ...
Rita Behadini
31/08/2024
Italia ka ndaluar surrogacinë: Çfarë do të thotë kjo për lirinë reproduktive?
Era Gjakova
21/11/2024
Transgjinorët, në pritje të ndryshimeve ligjore për avancimin e të drejtave t...
Era Gjakova
30/04/2022
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia