Untitled-design-1643638523.png

Kur faji shkon në adresë të gabuar

PASOJA

January 31st, 2022

Babai së bashku me të birin e tij në një fshat diku afër Tetovës kishin rrahur të bijën, vajzën e vetme të familjes së tyre, ndërkaq arsyeja e rrahjes kishte qenë për shkak se sipas tyre, vajza kishte prekur nderin e familjes. Deri këtu jemi në rregull, në fakt nuk jemi në rregull, por dëshiroj që shkrimin ta fokusoj tek një problem që e zhyt edhe më thellë gjithë këtë ngjarje, por jo vetëm.

Kush merret me gazetari e di se në kumtesat ditore të policisë, informacioni në lidhje me ngjarjet është shumë i pakët, thjesht jepen inicialet e të akuzuarve dhe viktimës, si dhe theksohet vepra e kryer. Në disa raste nuk theksohet as vepra, thjesht shënohet neni i cili është thyer. Megjithatë, në rastet të cilat prekin “nderin” e një familjeje, si ajo e lartpërmendur, kam rënë në konkluzion se fare nuk është e nevojshme që të jepen më shumë detaje, sepse shqiptarët edhe në qoftë se nuk ja kanë haberin se për çfarë (nuk) bëhet fjalë, ata megjithatë e dijnë çfarë ka ndodhur, kur ka ndodhur, si ka ndodhur dhe me sa plumba e si duhet vrarë vajza, e dëshirueshme do ishte që të goditet në lule të ballit dhe gjaku i saj do shërbejë si “detergjent” për të pastruar nderin e stërgjyshit, gjyshit, babait si dhe familjes të cilën në të ardhmen do e krijojë burri i familjes, i biri.

Ky lajm ishte publikuar diku në një portal në „Fejsbuk”. Vini re, komentuesit vazhdojnë që për këtë ngjarje të mos kenë asnjë informacion përpos faktit se dy burra kanë dhunuar familjaren e tyre. Muzbajdin, quhej njëri që kishte komentuar dhe që në fakt edhe pse nuk i dinte saktë as inicialet e vajzës së dhunuar, ai e dinte sa të shkurtër e vesh fustanin vajza kur e pin kafen e mëngjesit dhe me çfarë drita ndriçohen lokalet të cilat i frekuenton ajo, ndërkaq kishte shtuar se vajzës sigurisht më së shumti i shijojnë pijet të cilat kanë shumë alkool, interesante edhe kjo, Muzbajdini fantazinë e tij në fakt e kishte përfunduar me frazën botërisht të njohur, „si e ka lypë, e paska gjetë”.

Albani nga ana tjetër, i cili atë natë jam i sigurt se ka bërë gjumin më të mirë në jetën e tij sepse komenti i tij kishte marrë numrin më të madh të pëlqimeve, ai edhe pse jetonte diku larg Maqedonisë së Veriut, arriti të më mahnitë me “informacionet e shumta” që i kishte për një vajzë të dhunuar, të cilës vetëm inicialet i'a dinte ndërkaq se ishte dhunuar – kishte lexuar diku në „Fejsbuk”. Ai në fakt ishte i njoftuar për marrëdhënien që viktima e kishte me Zotin, kështu duke thënë se ajo dhe shumica e vajzave të cilat sipas tij e marrin atë „që e meritojnë” nuk kanë as din e as iman, se për të rënë në sexhde, as që bëhet fjalë. Albani ishte gëzuar shumë për dhunën e ushtruar ndaj vajzës, sepse kjo vajzë dhe shumë tjera si ajo çdo ditë e hidhërojnë atë të cilin Albani shumë e beson dhe adhuron, Zotin... kush e di se sa zili do i kishin prijësit fetarë Albanit.

Venhari, shumë i irrituar, nervoz, me shkronja të mëdha kishte lënë një koment me rreth 3 paragrafe, atij nuk i’a konceptonte truri se si kjo vajzë, e cilas sipas tij, po citoj „është një kurvë e prishur” kishte kaluar me aq pak. Ai kishte shpjeguar format e torturës që do i kishte ushtruar në rast se do ishte në vend të dhunuesve të lartpërmendur. Mirë që e kanë rrahur, por, si nuk e rrahën edhe pak? Përfundoi komentin ai.

...dhe kjo është një ndër shumë historitë ku shqiptarët vendosin të vrasin për së dyti herë viktimat gra, kështu duke kërkuar çdo mundësi që faji në fund të ditës të jetë tek gratë, sepse si popull jemi të paaftë të pranojmë që jetojmë në një botë që në fakt nuk është e drejtë, dhe kështu gënjejmë veten se bota është fushë me lule dhe kur diçka jo e këndshme i ndodh një personi tjetër, ne besojmë (apo duam të besojmë) se ai person duhet të kishte bërë diçka për të merituar një fat të tillë.

Për të gjithë optimistët, të cilët fajin e kërkojnë me mikroskop vetëm që ta atribuojnë aty ku nuk duhet, kam një lajm të keq! Jo, fatkeqësisht, bota nuk është e drejtë – dhe ti, motra jote si dhe më të dashurit tuaj nesër mund të jenë viktimat e radhës të tragjedive. Jo, as pantallonat e gjata, as shamia dhe asnjë veshje tjetër nuk ju mbron nga mundësia potenciale që gjërat e këqija të ju ndodhin edhe juve. Andaj, ideja se njerëzit marrin atë që meritojnë, mund të mbrojë iluzionin tuaj se gjërat e tmerrshme nuk kanë për t’ju ndodhur, deri sa diçka e tillë të ju ndodhë.

Koncepti i „fajësimit të viktimës” është shumë herë më i theksuar kur kemi të bëjmë me krime kundër grave, për shembull, kur dikush grabitet, askush nuk pyet se pse ky person kishte veshur tesha dhe bizhuteri të shtrenjta, apo kur dikush goditet nga vetura, askush nuk fajëson viktimën se pse ai/ajo i doli veturës përpara, si dhe kur dikujt i vjedhin veturën, nuk e fajësojmë se pse ai person vozit aq veturë të shtrenjë në radhë të parë. Megjithatë, kur një vajzë përdhunohet, këtu “lind” dëshira jonë për të qenë më investigues dhe për të parashtruar shumë e shumë pyetje.

Andaj, si shoqëri duhet të ndalojmë së ushqyeri këtë “kulturë të përdhunimit” ku viktima i ka fajet „çfarë kishte veshur?”, ku veprimet e burrave arsyetohen vetëm për faktin se janë burra „burrat ngelin burra”, kulturë që bën shaka seksiste dhe toleron sjellje abuzive. Është koha që viktimave t'ju japim kurajo dhe zë, sepse e vetmja gjë që bëjmë duke fajësuar viktimat është që u lejojmë abuzuesve që edhe në të ardhmen të kryejnë veprime të tilla të cilat rrezikojnë vajzat dhe gratë.

Kjo kolumnë është shkruar nga redaktori i „Mollëkuqja.mk", Ardit Ramadani për projektin "Youth Combating Hate Speech", i cili zbatohet nga Instituti Liberal Alternativ dhe financohet nga Ministria e Jashtme Federale Gjermane.

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani

Ardit Ramadani është magjistër i Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë. Ai është autor dhe redaktor i disa hulumtimeve. Më herët, ka punuar si verifikues i fakteve në Vërtetmatës.mk dhe Crithink.mk, si gazetar në ‘Portalb.mk’ dhe në Televizionin Kombëtar ‘Alsat M’. Aktualisht, Arditi është kryeredaktor përgjegjës në portalin ‘Mollekuqja.mk’ dhe udhëheqës i hulumtimit në Forumin për Ndryshime në Arsim. Arditi është bashkë-themelues në të dy këto organizata.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia