January 18th, 2024
Në vitin 2023 nga 1,166 raste të paraqitura për dhunë në familje, 708 kanë të bëjnë me dhunën psikologjike. Kjo është hera e parë që denoncimet për dhunë psikologjike tejkalojnë ato për dhunë fizike, që do të thotë se është ngritur vetëdija e përgjithshme në vend se edhe dhuna psikologjike, është dhunë dhe duhet të denoncohet, përkundër që shumë vështirë dëshmohet dhe nuk është e inkriminuar me ligjet aktuale në Maqedoninë e Veriut.
Ky numër pritet të jetë më i lartë pasi të plotësohen shifrat për muajt tjerë.
"Nga janari deri në shtator të vitit 2023 kemi pasur gjithsej 1166 raste të dhunës familjare. Tani i mbledhim për gjithë vitin, nga shtatori deri në dhjetor. Së shpejti do t'i publikojmë të gjitha të dhënat për gjithë vitin 2023. Po, pjesa më e madhe, 708 raste, janë denoncime për dhunë fizike për dallim nga më parë, ku lloji më i shpeshtë i dhunës ka qenë dhuna fizike", tha ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Jovanka Trençevska.
Ministrja më tej shtoi se përqindja më e lartë e viktimave të dhunës në familje janë gratë. Ajo megjithatë shtoi se ‘viktima të dhunës janë edhe fëmijët dhe qytetarët më të moshuar’.
Organizatat joqeveritare, përfshirë edhe “Mollëkuqja” vitet e fundit kanë realizuar disa kampanja ndërgjegjësuese në lidhje me njohjen e dhunës psikologjike. Kjo mund të jetë ndër shkaqet që ka vetëdijësuar masën në vend se dhuna psikologjike, përkundër që nuk lë shenja të dukshme, është dhunë dhe duhet denoncuar. Andaj, ky është viti i parë kur ky lloj i dhunës denoncohet më shumë se sa ai fizik.
Institucionet kompetente në vend viktimave të dhunës psikologjike ju kërkojnë një konstatim apo mendim nga një psikiatër i cili do të konstatonte se dhuna e kryer ndaj saj apo tij, ka lënë pasoja negative ndaj shëndetit të viktimës. Vizitën te psikiatri e mbulon Fondi Shëndetësor.
Aktivistët për të drejtat e njeriut në Maqedoninë e Veriut kanë kërkuar që kjo të mos jetë forma e vetme e dëshmisë së dhunës psikologjike, pasi një pjesë e viktimave kanë krijuar mekanizma të forta mbrojtëse dhe nuk ju lë pasoja kjo lloj e dhunës, por kjo nuk do të thotë se ato s’i kanë mbijetuar dhe nuk janë viktima.
Dhuna psikologjike aktualisht rregullohet me nenin Rrezikim i Sigurisë nga Kodi Penal. Meqë Maqedonia e Veriut është në procedurë e sipër të sjelljes së Kodit të ri Penal – Rrjeti Kundër Dhunës Ndaj Grave ka kërkuar që dhuna psikologjike të bëhet vepër penale.
Ata konsiderojnë se në këtë formë do të mundësohet mbledhje të të dhënave, gjë që do të dëshmojë këtë lloj të dhunës më lehtë. Ky ësht neni i propozuar nga ky rrjet i organizatave joqeveritare.
“Ai i cili me dhunë psiqike dhe sjellje kërcënuese të qëllimshme të përsëritur drejtuar një personi tjetër, shkakton dëmtim të integritetit psiqik të personit, do të dënohet prej 6 muaj deri në 1 vit burg.”
Dimushevska nga rrjeti i organizatave kundër dhunës ndaj grave elaboron pse është e rëndësishme që dhuna psikologjike të shtohet si vepër e veçantë penale.
“Me futjen e veprës penale dhunë psikologjike, fillimisht do të mundësohet që më lehtë të dëshmohet, sepse pasi të vendoset, më pas do të zhvillohet një sistem se si do të dëshmohet ajo. Tani gjithçka bazohet në një raport nga psikiatri, në atë rast mund të hapen mundësi edhe për mënyra të tjera për të dëshmuar veprën, se është kryer dhuna. Në mënyrë shtesë, gjithsesi do të parashikohet në varësi prej kohëzgjatjes së kryerjes, në varësi prej shumë faktorëve do të përcaktohet edhe lartësia e dënimit dhe ndoshta eventualisht do të bëhet e qartë edhe për vet autorët se është diçka për të cilën mund të dënohen dhe në atë mënyrë të parandalohet”, kishte deklaruar Elena Dimushevska nga Rrjeti Kundër Dhunës ndaj Grave.
Rikujtojmë që ky rrjet i organizatave kundër dhunës ndaj grave disponon me tre qendra për këshillim, edhe atë në Tetovë, Shkup dhe Manastir. Në këto qendra grave dhe fëmijëve ju ofrohet ndihmë falas psikologjike.
Përndryshe, në prill të vitit 2023 Mollëkuqja publikoi një analizë të detajuar për dhunën psikologjike në familje në Maqedoninë e Veriut ku të dhënat ishin alarmante. Në vitin 2019 pati 1554 raste, në vitin 2020 kishte 1531 raste, në vitin 2021 numri i rasteve ishte 1608 dhe në vitin 2022 gjithsej 1543 raste. Edhe këtu shumica e viktimave ishin gratë.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Sipas UN Women, 113 shtete nuk kanë pasur kurrë një grua në krye të vendit
Ardit Ramadani
21/07/2024
Patriarkati s'e kursen as shëndetin mendor: "Histeria" që ju mveshet grave s'...
Rrezearta Elezi
17/04/2024
Femërorja e përbindshme – përbindëshat femra në mitologjitë e lashta dhe ndik...
Ilir Saliu
28/09/2023
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia