Colour-purple.jpg

Ngjyra e gruas

FEMINISTING

September 5th, 2021

“ Unë jam e zezë, jam e varfër, madje mund të jem edhe e shëmtuar,

 por, i dashur Zot, unë jam këtu, jam këtu!”

 

            Sipas dokrinave fetare Zoti si fillim krijoi Adamin(Ademin) dhe më pas prej brinjës së tij krijoi Evën(Havën). Eva, ashtu siç edhe kuptimi i emrit të saj do të shërbente si prehje, paqe dhe qetësi për burrin e saj. Në anën tjetër, në mitologjinë antike greke , ishte Helena ajo që kishte futur në luftë popuj. Qetësi dhe zjarr e fuqi, ky është kombinimi më i përshtatshëm i sinonimeve që karakterizojnë gruan.  E qetë si e kaltërta e pafund e qiellit dhe e zjarrtë si e kuqja. Përzierje që sjellë në jetë ngjyrën vjollcë... e kjo po që është ngjyra e gruas.           

            Romani fitues i çmimit Pulitzer “The Color Purple” i Alice Walker, në vitin 1985 u përshtat në film me po të njëjtin titull nga regjisori i njohur ndërkombëtarisht Steven Spielberg. I nominuar në 10 kategori të Oscarit, filmi përbëhet nga aktorë si Oprah Winfrey, Woopi Goldberg, Danny Glover dhe Margaret Avery. Në skenën hapëse të filmit, shihen kokat e dy motrave që luajnë sëbashku në livadhin e pafundshëm me lule vjollcë. Muzika që përcjell ritmin e lojës së tyre i ngjanë atyre të përrallave deri në momentin kur motra më e madhe 14 vjeçare Celie, paraqitet nga këndi i gjërë: shtatëzënë. I ndarë në stinë, në film fillon dimri. Celie, përveç se privohet nga e drejta e të qenurit nënë që në momentin që mbaron procesi biologjik i të mbajturit të foshnjës nëntë muaj në bark, ajo martohet me Albertin, i cili në fakt kërkonte dorën e motrës së saj më të vogël Nettie. E përdhunuar nga njerku dhe nënë e Adam dhe Oliviasë, Celie e pashpresë pyet Zotin: “Më ndihmo të kuptoj çfarë po ndodh me mua?”. Heshtje. Celie, nuk ishte mësuar të luftojë, ajo dinte vetëm si të mbijetojë. Të mbijetojë në një shtëpi, në çdo cep të së cilës ndjente vrerin që villet kundrejtë saj. Gjithandej, e padëshiruara dhe e malltretuara Celie, për të mbrojtur motrën nga kthetrat e të atit dhe njëkohësisht për të marrë pak frymë në shtëpinë e burrit të saj, merr motrën afër saj. Por edhe burri i saj i ngjante të atit. Epshi i pangopshëm, dëshira dhe etja për ta pasur Nettie, bëjnë që Nettie dhe Celie të ndahen përsëri. 

            Në anën tjetër në film paraqitet një karakter tjetër grua, Sofia. E dashura, më pas gruaja dhe nëna e fëmijëve të Harpos, djalit të Zotëriut. Ndryshe nga Celie, Sofia është e re, kokëfortë dhe dominuese. Harpo i pafuqishëm karshi të shoqes, këshillohet nga i ati që t’i ngrejë dorë. Të njëjtën ia thotë edhe Celie. Fakt ky që dëshmon se është gruaja (për të satën herë), ajo që ishte shkelur deri më sot e që këshillon që të bëhet e njëjta gjë edhe me të tjerat. Ishte grua, ajo që udhëzoi që edhe një grua tjetër ‘të mos shohë ditë të bardhë me sy’. Në film ashtu siç edhe në libër, paraqitet problemi ‘grua’ në një dimension tjetër, në lëkurën e grave me ngjyrë të zezë. Sofia, përshkak të kësaj të fundit nuk mund të rrisë fëmijët e saj.

            Por për të gjithë, gjithmonë duhet të ketë një shpresë? Apo nuk është ashtu? Shug Avery, mëkatarja më e madhe grua në film, simboli i sensualitetit dhe feminitetit, gruaja e ëndrrave të Albertit, do të shërohej nga duart e Celie. Ashtu siç edhe Celie, do të mësonte të (ri)ndjejë, të (ri)qesh pa frikë dhe të jetë femër përshkak të Shug. Lidhja e Shug dhe Celie përcjellet me skena shumë delikate por  ajo që vlen të citohet është skena kur të dyjat flasin për seksin me Albertin. Përderisa për Shug ai është një mrekulli, për Celie zotëriu kryen vetëm ‘punën e tij’ mbi të. E padashur kurrë ndonjëherë, Celie edhepse me një jetë aktive seksuale që nga mosha e mitur quhet e virgjër nga ana e Shug. 

Celie, arrinë të merr letrat e fshehura të së motrës në saje të Shug.  Pasi kupton se fëmijët dhe motrën e ka mirë, ajo merr forcë. Për të parën dhe vetmen herë përpara të gjithëve, i kundërvihet të shoqit dhe largohet nga shtëpia e tij, duke iu përbetuar se ai do paguante gjithçka çka i kishte bërë asaj.  Celie ishte e zezë, e varfër, ndoshta edhe e shëmtuar, por ishte vetëm një grua. Ssnjëherë një hiçgjë siç i kishte thënë me plotëbindje i shoqi.  Celie, hap një dyqan për qepje pantollonash të madhësisë standarde. Një metaforë kjo që bënë qartë të kuptueshme njëllojshmërinë mes gruas dhe burrit. 

Kinematografi i filmit Allen Daviau përmes këndeve dhe ngjyrave të zgjedhura bën që në shumë skena të ndjejmë frikën, madje edhe sikletin e Celie dhe jo vetëm. Skena ku Alberti shikon Nettien duke lexuar gazetë është një nga më të preferuarat. Fëmijëria e Netties dhe mosdija se çka po ndodhë rreth saj si dhe fëlliqësia e mendimeve të Albertit ndjehet qartë. Njëkohësisht, në shumë skena janë mjaftuar vetëm me zë, si në skenën ku Alberti do të përdhunoj Nettien. Nettie e veshur në të bardha refuzon të bëhet e zotëriut, mirëpo në vend të kësaj ne shikojmë vetëm kalin i cili ulërinë. Kështu  regjisori na lë pezull, na lë në kërshëri që më pas të na bëjë katarsis duke na dhënë atë që duam dhe kemi nevojë...pak shpresë se do të bëhet mirë!

“The Color Purple” është një film që flet mbi vështirësitë e grave, e vajzave të mitura të rritura para kohe. Flet për statusin nënë. Flet për përdhunimet që treten sikur të mos kishin ndodhur fare dhe për fajet që iu lihen më të pafajshmeve në këtë rast. Flet për raportin grua me grua, për fuqinë që njëra i jep tjetrës. Ky film është si jeta, me katër stinë por që shpreson në verëra plot ngjyrë e hare. Ky film flet për pangopjen e meshkujve për pushtet dhe forcë... mirëpo në të njëjtën kohë ashtu sikurse ngjyra vjollcë është e fundit në spektrin e ngjyra, ky film mes emocionesh dhe frikës arrin të transmetojë shpresë dhe lumturi.

Shkrimi është shkruar ekskluzivisht për Mollekuqja.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Mollekuqja.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.
Besa Tusha

Besa Tusha

Besa Tusha aktualisht është studente e vitit të fundit në universitetin e Arteve të Bukura "Mimar Sinan" në Stamboll. Ajo ka punuar si asistente e regjisë në disa filma studentor atje. Përveç kësaj ka qenë pjesë e stafit në Festivalin e Filmave të Shkurtë dhe Dokumentar "DokuFest" në Prizren. Besa ka qenë edhe pjesë e jurisë në edicionin e tretë të Festivalit të Filmave të Shkurtë "KFYD" në Turqi. 

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia