September 14th, 2021
Kam fjetur me të gjithë botën...
Jam e lodhur. Kur them se jam e virgjër, askush nuk më beson.
Në kohët e lashta, kur një shqiptar ka lindur një vajzë, ai ka besuar se ajo kishte lindur në një shtëpi të huaj dhe se shtëpia e saj e vërtetë ishte ajo e burrit. Kështu, kur një vajzë shqiptare është martuar, ajo ka ndryshuar mbiemrin e saj dhe nuk ka pasur të drejtë të kishte ndonjë pronë familjare. Nga ana tjetër, në gjuhën shqipe një grua e pamartuar quhet çupë, çikë dhe vajzë. Fjala çupë vjen nga fjala "që humbë”, fjala çikë vjen nga “që ik” dhe fjala vajzë nga fjala “me vajt”. Çdo vajzë shqiptare është rritur dhe edukuar me rregullat e Kanunit por ndonëse në botën moderne një kanun i tillë nuk është më, tradita e tij vazhdon. Personazhët kryesor të filmit që do të shtjellojë në vazhdim i ngjajnë shumë stories së lartëpërmendur.
Filmi “Mustang” i regjisores Deniz Gamze Ergüven i nominuar për “Filmin më të mirë në gjuhë të huaj” nga Franca në Oskarin e vitit 2015, tregon historinë e pesë motrave që rriten nën përkujdesjen e gjyshes dhe xhaxhait. Në film i kushtohet vëmendje incesit, martesave në moshë të hershme dhe të padëshiruara, rolit vajzë-grua dhe rëndësisë së shkollimit. Pavarësisht disa frazave kuptimplotë që janë përdorur në film si “Po sikur këto vajza të dalin të prishura?” dhe si “Më tha se nuk do e mëson nga ne se si duket gruaja. Nuk ka faj. Të gjitha jemi të njëjta.”, filmi në kritikën vendore dhe botërore u cilësua si i varfër në skenar. Përshkak se tregon një histori të një fshati në Turqi, kritikët turk fajësuan bashkëskenaristen e huaj dhe regjisoren që edhe pse është turke nuk vepron më aty.
Një nga skenat e para të filmit është skena kur pesë motrat së bashku me shokët e tyre vjedhin dhe hanë mollë nga një kopsht i huaj. Kjo skenë shërben si metaforë për mollën e ndaluar. Përveç kësaj, vajzat që tanimë kishin marrë emrin e mëkatares përpara fqinjëve duhej të ktheheshin në nderin e mëparshëm, për këtë gjyshja i mbyll në shtëpi, u mëson punët e shtëpisë dhe mundohet t’iu gjejë vend të përshatshëm për t’u martuar. Së fundmi, e rëndësishme për një grua është që me nder dhe pa fjalë të martohet, apo jo?
Në përpjekje që mbesat të krijojnë familje pa turbulluar edhe më shumë ujërat e fshatit, gjyshja herë pas here ndihmon këto të fundit. Ajo edhe i rreh vajzat përpara se t’i vijë djali që t’i arsyetohet këtij të fundit se “e kanë marrë mësimin vajzat”. Me këtë tregon se gjyshja më shumë do që të mbrojë amanetet e të birit përderisa ajo i ka nën udhëheqje (gjersa ato të martohen). Pesë motrat paraqesin pesë karaktere të ndyshme. Më e madhja Sonayi (Ilayda Akdoğan) është më e guximshme të kërkojë të drejtën që të kurorëzojë dashurinë e saj, Selma (Tuğba Sunguroğlu) në anën tjetër është e pa fjalë dhe ambientohet me fatin. Përderisa Ece (Elit Işcan) abuzohet seksualisht nga xhaxhai i saj dhe bënë vetvrasjë, Lale (Güneş Şensoy) motra më e vogël nuk duron më ikjen një pas një të motrave të saj dhe merr Nurin (Doğa Doğuşlu) dhe ikën për në Stamboll. Është kjo një klishe që nga filmat e vjetër turk është përdorur shumë si fillim për ndryshim. Por ikja e tyre tek mësuesja, është një akt që tregon fuqinë dhe dritën që mund shkollimi të sjellë.
Mes skenave të pafundme të cilat shumë lirshëm ballkanasit por jo vetëm mund t’i ndjejnë të afërta, skena e ikjes së vajzave për të parë futboll është një nga skenat e mia të preferuara. Si fillim përshkak të përleshjeve të njëpasnjëshme të meshkujve kjo ndjeshje do të realizohej vetëm me tifoze vajza, më pas dëshira e Lales për të parë diçka që në familjet si ajo e saj quhet “aktivitet mashkullor”, shkuarja e vajzave aty fshehurazi dhe së fundmi tifozllëku i bërë aty është një përzierje e adrenalinës që sjellë frika dhe qejfi. Kjo skenë është një nga momentet e pakta ku vajzat, përskaj asaj se ishin vajza u ndjenë njerëz (ashtu siç çdo grua është). Një tjetër detaj i filmit është kritika që i është bërë institucionit martesor duke i zhdukur vajzat nga skenat e mëpasshme menjëherë pas martesës.
Filmi përcjellet me ngjyra të ndritura, me shumë ndriçim dhe ka kuadro përrallore. Përkundrejt asaj se është filmi i parë i gjatë i regjisores, i njëjti është shpresëdhënës. I ngjizur nga regjisorja që nuk jeton më në mëmëdhe, i ngjan një historije ikjesh nga realiteti i hidhur. Megjithatë, parë në këndvështrim tjetër, ai duket sikur është një udhërrëfyes i mirë i fillimeve të reja... e fillimieve ku nderi nuk është punë e të tjerëve.
Besa Tusha aktualisht është studente e vitit të fundit në universitetin e Arteve të Bukura "Mimar Sinan" në Stamboll. Ajo ka punuar si asistente e regjisë në disa filma studentor atje. Përveç kësaj ka qenë pjesë e stafit në Festivalin e Filmave të Shkurtë dhe Dokumentar "DokuFest" në Prizren. Besa ka qenë edhe pjesë e jurisë në edicionin e tretë të Festivalit të Filmave të Shkurtë "KFYD" në Turqi.
TË NDRYSHME
"Kleopatra, një jetë", kush ishte Kleopatra dhe si u prezantua në publik figu...
Besarta Ramadani
10/06/2023
"Nuk replikoj me gra", seksizmi s'mungon as në shtëpinë ligjvënëse, flet depu...
Fisnik Xhelili
18/05/2023
Produktet menstruale nuk do të tatimohen si produkte luksi, Qeveria e RMV-së ...
Rita Behadini
01/12/2022
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia