December 26th, 2023
Vjen nga Korça dhe prej disa viteve punon në një organizatë ndërkombëtare. Gjithnjë ka dashur të kombinojë aktivizmin dhe të jetë aktive në shoqëri përmes punës. Para katër viteve rastësisht zbuloi se mund të pikturojë, që nga atëherë vendosi që këtë formë të artit së bashku me të shkruarit ta përdorë si mënyrë aktivizmi për të ndërgjegjësuar njerëzit, për të hapur diskutime publike për tema me rëndësi, sidomos siç thotë ajo “tema që kam më shumë për zemër është ajo e të drejtave të njeriut, më specifikisht të drejtave dhe shanseve të barabarta për vajzat dhe gratë”.
Në një intervistë për Mollëkuqja, Elga Mitre rrëfen copëza nga rrugëtimi i saj në fushën e aktivizmit përmes artit.
Pjesa e kombinimit të aktivizmit me pikturën ka qenë risi që ajo e ka zbuluar viteve të fundit pasi zbuloi që mund të pikturojë, dhe kështu përmes kësaj ajo trajton tema të cilat i quan deri diku si tabu apo të vështira për tu diskutuar lirshëm në shoqërinë shqiptare, e cila ka ende vështirësitë e veta, ende është patriarkale.
“Mua më pëlqen të përdor artin si një mënyrë pak më të lehtë për të hapur debate publike të cilat e bëjnë më të lehtë komunikimin edhe formën e ndërgjegjësimit, kjo sepse prej vitesh edhe për shkak të punës që unë bëj, kontributi për respektimin e të drejtave të njeriut ka qenë një pjesë e rëndësishme dhe unë kam parë nga afër që është sa e lehtë aq edhe e vështirë të biesh nën grackën e tabuve shoqërore apo kufizimeve që njerëzit shpesh herë i vendosin vetes për të mos marrë anë apo për të mos ndarë opinionet e tyre të vërteta. Kështu jam përpjekur që këtë që ta bëjë pak më butë”, rrëfen Elga.
Ajo thotë se arti është vërtetë komplementar dhe plotësues sepse “ne nuk mund të dalim çdo ditë në protesë, ne nuk mund të bëjmë çdo ditë manifesto, ne nuk mund të kërkojmë çdo ditë llogari nga institucionet e parlamentet, ne nuk mund të vendosim një polic në çdo derë shtëpie që të mos lejohet dhuna me bazë gjinore apo dhuna në familje”.
Ne mund të konsumojmë art çdo ditë, kjo është arsyeja pse unë jam përpjekur që të plotësojë kutinë e të gjithë këtyre instrumenteve për të ndërgjegjësuar shoqërinë dhe për ta edukuar atë.
Elga Mitre
Ajo thotë se ka qenë pikërisht reagimet pozitive të njerëzve që e kanë shtyrë për të vazhduar dhe sofistikuar këtë talent që ajo zbuloi.
Ekspozita e saj e fundit është portrete të vajzave dhe grave.
Elga na tregon se ka guxuar me veprat e saj të shkojë në piktura edhe më provokative duke sjellë figurën apo trupin e gruas të zhveshur apo pjesë të caktuara të saj të ekspozuara.
“Ka nxitur debat në lidhje me atë që ne shpesh herë shohim te gratë, apo sekzizmin që është një tipar dominues në shoqërinë patriarkale shqiptare e cila e shikon gruan si një objekt në vend se të shohë përtej trupit, të shohë shpirtin, të shohë atë që një grua që ka më shumë se sa thjeshtë bukurinë fizike”, tregon Elga.
Ajo përveç aktivizmit përmes pikturës, ka botuar edhe librin “10 gra, 10 rrëfime – histori që sfidojnë botën”. Ky libër ka disa vite që qarkullon, fillimisht ka qenë vetëm online dhe më pas edhe i printuar.
“Libri ka qenë falas për ata që kanë dashur ta lexojnë edhe të ndjejnë së bashku me mua se çfarë do të thotë të jesh një grua apo një vajzë e cila ka kaluar sfida që kanë të bëjnë me forma të ndryshme të dhunës e cila nuk është gjithmonë vetëm dhunë fizike sepse ka edhe shumë variante tjera që vajzat dhe gratë ndonjëherë edhe nuk janë të ndërgjegjësuara vetë për ekzistencën e këtyre formave të dhunës”, rrëfen Elga.
Ajo na sqaroi se libri ka filluar në një mënyrë shumë spontane, ka qenë kohë Kovidi kur të gjithë ishin të mbyllur, ajo e mendoi se me izolimin mbrapa dyerve të mbyllura shumë gra dhe vajza do ta kishin shumë herë më të vështirë edhe të bashkëjetonin shpesh herë me dhunën por edhe për të kërkuar ndihmë.
“U përpoqa të sjell një tufë historish që vajza dhe gra e kanë ndarë me mua, pra janë histori të jetës së tyre të cilat unë i mora dhe i përpunova pastaj edhe në këtë libër si një formë ndërgjegjësimi për atë çfarë ne jemi si shoqëri shqiptare dhe se çfarë bëjmë dhe çfarë duhet të bëjmë”, tha Mitre.
Mesazhi kryesor i saj që ka përçuar përmes librit është se të gjithë e kemi në dorë të bëjmë diçka për të ndryshuar situatën ku jemi.
“Ne të gjithë mund të bëjmë diçka, të gjithë nuk duhet të mbyllim sytë, të mbyllim veshët, gojën, kur shohim se diçka nuk shkon me një mikun tonë, mikeshën tonë, shoqen e klasës, kolegen e punës, komshijen, të afërm, motrën, nënën... ne nuk duhet të rijmë, ne duhet të bëjmë diçka, duhet të vendosim atë gurin e vogël në atë që nesër mund të jetë një mur i madh dhe i fortë që mund t’i bëjë gratë dhe vajzat të ndjehen më të mbrojtura, më të sigurta duke filluar që nga familjet e tyre dhe më pas në shkolla, në punë, në rrugë e kudo”, rrëfeu Elga.
Elga theksoi se shoqëria shqiptare konsumon shumë dhunë dhe jo vetëm ndaj grave dhe vajzave, megjithatë ajo tha se “dëshiroj ta shoh gotën gjysmë plotë” kështu duke përmendur progreset që janë bërë në këtë drejtim por që ende ka punë për tu bërë.
“Besoj që kjo do të merr kohën e vetë, por trendin e shoh pozitiv dhe mua më pëlqen të besoj që numri i shtuar i raportimeve për rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk do të thotë që shoqëria shqiptare është duke i dhunuar më shumë gratë dhe vajzat, ajo do të thotë që gratë dhe vajzat kanë filluar të jenë të ndërgjegjshme dhe të jenë vigjilente dhe të kenë kurajo t’i thonë stop – ta ndalojnë dhunën që në fillim, pra pa u bërë një mundësi për tu marrë jetën më vonë”, tha Elga.
Ajo thekson se askush nuk lind vrasës një mëngjes, shenjat e dhunës, tendencat për të qenë të dhunshëm, tendencat për të qenë në një marrëdhënie të dhunshme janë herët, fillojnë më herët dhe sa më herët ta kuptojnë gratë dhe vajzat këtë lloj tendence aq më herët do të kenë mundësi të marrin masa.
“Në qoftë se unë si aktiviste apo kushdo që bashkohet me mua, do të kemi mundësinë që të ndryshojmë edhe jetën sikur të vetëm një vajze apo gruaje, për mua misioni është plotësuar, sepse të gjithë kemi mundësinë që të krijojmë zinxhirin të asaj që quhen zinxhiri i ndryshimit. Ne i detyrohemi shoqërisë, brezave, prindërve, fëmijëve për të ndryshuar këtë”, tha Elga.
Ndryshimi nuk ka për të ardhur sot për nesër, thekson ajo, ndryshimin mund ta sjellim ne.
“Unë do të vazhdoj të bëj detyrën time, do të vazhdoj ta bëj atë çfarë ndjej dhe çfarë dua me zemër të shoh të ndryshuar në shoqërinë shqiptare. Besoj se nuk do të jem vetëm, koha, ditët, aktivitetet e shumta, vëmendja që ka marrë duke punuar për këtë kauzë më ka treguar që ka edhe shumë njerëz të tjerë që e mendojnë si unë, u jam mirënjohës atyre që bashkojnë duart – forcat – energjitë dhe përpiqemi për të bërë diçka ndryshe për vendin tonë, për njerëzit tonë”, përfundoi Elga.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
"Më shau si nëpër dhëmbë", shoqëria s'i ul dot gratë në krye të "odës", rrëfe...
Fisnik Xhelili
23/05/2023
Kontrolle gjinekologjike falas për gratë e komunës së Tearcës
Fisnik Xhelili
25/05/2022
Islanda u bë vendi i parë në Evropë që zgjodhi më shumë gra se burra në parla...
Fisnik Xhelili
26/09/2021
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia