May 17th, 2022
Pavarësisht se periudha në të cilën jetojnë konsiderohet si “ditët moderne të shoqërisë”, një konstatim i tillë nuk mund të thuhet se vlen plotësisht për të gjitha shtetet. Në vendin tonë diferencat shoqërore janë të pranishme pothuajse në çdo aspekt, madje të njëjtat rrënjosen shpeshherë që në moshë të hershme. “Duartrokasim” për një shoqëri të barabartë gjinore, por kur këtë barazi duhet ta zbatojmë në praktikë, jo gjithçka rrjedh natyrshëm. Vija ndarëse është që në produktet që plasohen në treg, marrë shembull gardërobën për vajza, ku dominon ngjyra rozë dhe atë për djem ku dominojnë ngjyrat me të errëta. Këto ngjyra, sado të parëndësishme të duken, luajnë rol thelbësorë në mënyrën se si fëmijët krijojnë perceptimin e tyre për shoqërinë në të cilën jetojnë.
Në shtete të ndryshëm në botë çdo vit rritet numri i kompanive të cilat plasojnë në treg produktet “ gender free”, megjithatë në vendin tonë një realitet i tillë ende nuk ka mbërritur. Semra Musai, prind i një vajzë, konsideron se e ka të pamundur të gjejë për vajzën e saj gardërobë që nuk është në ngjyrë rozë. Sipas saj fëmijëve u imponohen që në moshë të vogël paragjykimet qoftë për veshjen, hobin dhe profesionin që duhet të përzgjedhin në të ardhmen, pasi rruga e tyre u është imponuar që në momentin që lindin.
Kur dal të bëj shopping për vajzën time, e kam shumë të vështirë që të gjej veshje për vajza me ngjyra të ndryshme nga ajo rozë apo e kuqe. E njëjta gjë vlen edhe për lodrat. Ajo që fillimisht bien ë sy është se ka sektorë të ndarë lodrash për vajza dhe për djem. Gjithmonë tek sektori për vajzat mbizotëron ngjyra rozë, kukulla dhe lodra për gatim apo pastrim. Për shembull, lavatriçe, hekur, kuzhinë dhe të gjitha këto janë vetëm në ngjyrë rozë. Ndërsa tek djemtë gjen vetura, vegla për ndërtim, motorë, kuti veglash, avionë dhe të njëjtat janë kryesisht blu
thotë Semra Musai, prind.
Me të njëjtën vështirësi përballet edhe Ivan Bllazheski, baba i një djali. Ai thotë se djali i tij refuzon të vesh rroba në ngjyrë rozë apo të ngjashme, duke thënë se ajo është “ ngjyrë për vajza”. Kjo shton ai është dëshmi se paragjykimet nguliten që në moshë të vogël.
Në vendin tonë nuk ka një treg të zhvilluar të tekstilit. Dominojnë 5-6 kompani të cilat, sipas meje, iu përshtaten fuqisë blerëse tek ne. Në shumicën e rasteve aty mund të gjejmë materiale ose produkte dhe ngjyra të ngjashme... Thjesht nuk ka shumë përzgjedhje, qoftë për meshkujt, qoftë për vajzat ose femrat... Në njërën anë i keni heronjtë e filmave vizatimor për djemtë, kurse në anën tjetër e keni ngjyrën rozë për vajzat dhe... këtu përafërsisht na mbyllet përzgjedhja. Shumë, shumë rrallë mund të gjendet ndonjë rrobë uniseks ose ndonjë dizajn që do të mund ta veshin edhe djemtë edhe vajzat
thotë Ivan Bllazheski, prind.
Termi unisex u përdor për herë të parë në vitin 1968 në Life, një revistë amerikane që botohej çdo javë nga 1883 deri në 1972. Megjithëse përdorimi i parë i "unisex" si term daton nga vitet 1960, mund të argumentohet se paraqitja e parë e"veshjeve unisex" daton nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Ashtu si gardëroba, edhe lodrat luajnë rol të rëndësishëm në përcaktimin e rrugës që fëmijët ndjekin në jetë.
Një shkrim i BBC i është kushtuar pikërisht ndikimit të lodrave të fëmijëve në përcaktimin e tyre për profesionin që ndjekin më vonë në jetë. Një studim i pasqyruar në tekstin në fjalë tregon se mbi 80 për qind e profesionistëve të “shkencës, kërkimit, inxhinierisë dhe teknologjisë” në Britani janë meshkuj. Kjo është në kontrast të madh me faktin se 82 për qind e punëtorëve në fushat “e përkujdesjes, kohës së lirë dhe shërbimeve të tjera”, si dhe 78 për qind e punëve administrative dhe të sekretarisë, kryhen nga gratë.
Sipas studimit në fjalë rezultonte se lodrat e dizajnuara sipas gjinisë po i largojnë vajzat nga shkenca dhe matematika dhe i nxiti prindërit të blejnë për vajzat e tyre lojërat komplekse Lego dhe t’u shtojnë interesimin për inxhinierinë. Grupi aktivist feminist “Lëri lodrat të jenë lodra” (Let Toys Be Toys), u ka kërkuar shitësve në të gjithë Britaninë e Madhe për t’i organizuar lodrat sipas llojit dhe jo gjinisë, duke thënë se stereotipat seksiste kufizojnë interesin e fëmijëve. Për rrjedhojë, disa dyqane po i heqin etiketat djem dhe vajza nëpër raftet e tyre.
Ndryshe, një botë “pa gjini” është një botë në të cilën njerëzit janë të lirë të shprehin plotësisht talentet e tyre në të gjitha fushat, qoftë matematikë, poezi, ose të dyja; në të cilën njerëzit trajtohen sipas asaj që janë, dhe jo sipas formës së organeve të tyre gjenitale; në të cilën edhe mendimi për t'i grupuar sipas organeve gjenitale tingëllon po aq i çuditshëm sa grupimi i njerëzve sipas ngjyrës së syve.
Evi Shkopi është juriste e diplomuar në Universitetin e Tetovës. Ajo ushtron profesionin e gazetarisë tashmë 11 vite, kurse aktualisht punon si gazetare dhe prezantuese në edicionin informativ në Klan Maqedoni. Evi raporton kryesisht mbi problematikat në arsim, shëndetësi, ekologji, tema sociale dhe ngjarje tjera aktuale.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia